Kulturë

“Poezi për fuqi” i jep zë dashurisë që kapërcen dallime e sfida

Mënyra e organizimit – me pjesëmarrës profesionesh e kombesh të ndryshme – nuk ka qenë thjesht çështje teknike, por ka depërtuar edhe në esencën e “Poezisë për fuqi”. Vargu i ka bërë bashkë gjuhët, temat, stilet dhe kryefjalë ka qenë dashuria. “Me e shndërru dashurinë si një gjuhë të komunikimit mes njerëzve të kombeve të ndryshme”, ka thënë në një rast Zana Hoxha, drejtoreshë e “Artpolisit”, organizatës që këtë ngjarje – e cila ka edhe karakter humanitar – e ka shndërruar tashmë në tradicionale

Melankolia ka mbërthyer ambientin kur fjala dhe vargu kanë peshuar më shumë se çdo gjë tjetër. Ka qenë poezia që i ka mbledhur njerëz profesionesh të ndryshme e që shumica emërues të përbashkët kanë artin. Poetë, aktorë, këngëtarë e politikanë u bashkuan që nëpërmjet fjalës të përcjellin mesazhe.

“Poezi për fuqi – Çdo ditë është 8 mars”, dëshmoi se për të tilla tema nuk kremtojnë vetëm gratë. Kësaj radhe thanë se bashkë me burrat janë shtysë e fortë që vizionet e tyre të shkojnë para.

Gjini, moshë, etni si karakteristika të secilit individ kësaj radhe u bënë të padukshme për të pasur në qendër atë që s’njeh dallime dhe i prek të gjithë. “Poezi për fuqi” doli përtej temës së gruas për të prekur edhe tema të tjera. Dashuria ka qenë kryefjalë. Lidhja mes gruas dhe burrit me anë të këtyre poezive reflektoi rëndësinë e të qenit bashkë si dy gjini, të cilët me anë të drejtësisë i vihen në ndihmë njëri-tjetrit.

Lufta në Ukrainë këtë vit për të dytën herë me radhë ishte temë që u prek me poezi. Kjo rrodhi si shkak i asaj se pavarësisht gjinisë njerëzit janë njësoj dhe dhimbja për ta nis nga parimi i të qenit njerëzor.

Forma tradicionale e kremtimit të 8 Marsit nga “Artpolis” në skenën e mensës “Ramiz Sadiku” të enjten mbrëma nxori në skenë emra të vlerësuar të artit dhe kulturës shqiptare dhe jo vetëm. Igballe Qena, Meli Qena, Shkelzen Veseli, Sibel Halimi, Gili Hoxhaj, Shpëtim Selmani, Arbër Selmani, Edlir Gashi, Anisa Ismaili, Aleksandra Joviçiq, Mila Mihajloviq, Donato Giuliani kanë qenë disa nga emrat që ia dhanë fuqinë gruas me interpretime, kush me poezi të vetat e kush të të tjerëve. S’pati as kufij për gjuhët. Poezitë u deklamuan në gjuhët shqipe, serbe, turke, rome e frënge, e janë fuqizuar edhe me tinguj muzikorë në sfond prej maestros Ilir Bajri në piano. Përtej vargjeve në këtë mbrëmje edhe u këndua. Semira Latifi bashkë me Bajrin dhe Arian Randobravën argëtonin publikun me pika të ndryshme, teksa valltarët e “Noa Dance Theatre Co” kombinonin lëvizjet me melodi.

Fuqinë që “Artpolis” synon ta bartë me anë të këtij organizimi çdo vit u manifestua përtej grave që gjendeshin në sallë. Shuma e fituar nga blerjet e biletave për këtë eveniment do t’u ndahen tri grave në nevojë, në tri komuna të ndryshme të cilat kanë pësuar nga vërshimet e janarit e të shkurtit.

“Tri gra, nëna vetushqyese, të cilat vijnë nga komunat e Skenderajt, Klinës dhe Mitrovicës. Kaq kemi pasur mundësi për këto fonde, që kjo mbrëmje do t’i mbledhë t’ua dedikojmë këtyre tri grave të cilat janë kryefamiljare. Këtë do ta bëjmë në bashkëpunim me shtabet emergjente të komunave përkatëse të cilat veçse i kanë listat e personave të prekur dhe e dinë se kush ka nevojë më shumë. Kjo do të jetë në formë të të hollave të cilat do t’ua dërgojmë personalisht atyre dhe do t’u tregojmë se si i kemi mbledhur”, ka thënë Zana Hoxha, drejtoresha ekzekutive e “Artpolisit”. “Si gjithmonë ne kemi një kombinim të poezisë, muzikës dhe vallëzimit. Dy vjetët e fundit e kemi pasur këtë mbrëmje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me një numër më të madh të njerëzve, ku ishte njëfarë renditjeje konservative, do të thosha. Ndërsa sonte jemi munduar që të kemi më shumë spontanitet, improvizim, jazz, hapësirë për njerëzit të lexojnë. Por kryesorja ka qenë të inspirohemi. Me e shndërru dashurinë si një gjuhë të komunikimit mes njerëzve të kombeve të ndryshme”, ka thënë Hoxha, njëherësh moderatore e ngjarjes.

Ky organizim është në luftë me dukuritë që janë pengesë në jetën e grave.

“E ku ka më mirë se poezia dhe natyrisht duke e kujtuar edhe kontributin që gratë e japin çdo ditë dhe duke ngritur vetëdije për çështje që ndërlidhen me të drejtat e grave dhe abuzimin kundrejt grave që fatkeqësisht është sistematik në vendin tonë, duke shpresuar që të kemi një masë më kritike dhe të bëhemi të gjithë dëshmitarë të dukurive që janë shkatërruese”, ka thënë Hoxha.

{gallery}

Larmia e profesioneve të pjesëmarrësve ka dëshmuar edhe fuqinë e poezisë.

“Me thënë të drejtën prej përditshmërisë si politikane vij këtu dhe e lexoj poezinë time, të cilën e kam krijuar shumë më herët. Është ‘Liria, fustani im i preferuar’. Është një ndjenjë e jashtëzakonshme, sepse unë me ‘Poezi për fuqi’ po e filloj fushatën time duke marrë pjesë në evente të ndryshme për fuqizimin e grave. Është një ndjenjë e veçantë, sepse nuk është e lehtë të kalosh nga politika në poetikë. Besoj që poezia duhet të përdoret si një zhanër letrar me të cilin ne mund ta përçojmë mesazhin për fuqizimin e grave në përgjithësi”, ka thënë Sibel Halimi, politikane, poete e aktiviste.

Ajo ka interpretuar poezinë e saj, e cila i referohet lirisë të cilën ia uron secilës grua. “Sidomos kur kalon nga politika në poetikë është liria vetë”, ka thënë ajo, duke shpjeguar një fenomen kaq të vlerësuar nga ajo në një perspektivë krejt personale.

“Për mua poezia është niveli njohës. Nuk është diçka që ne e përjetojmë vetëm kur jemi në situata specifike. Ne duhet ta përdorim poezinë edhe për ta ndryshuar jetën e një kategorie shoqërore, siç janë gratë, por pse jo edhe burrat”, ka thënë Halimi.

Secili nga interpretuesit, e edhe ata që ishin në rolin e publikut këtë herë, kanë kaluar shpesh në një situatë krejt intime nëpërmjet poezive.

“Ka qenë shumë e habitshme, sepse të gjitha poezitë që më kanë pëlqyer mua i kanë pëlqyer edhe koleges sime Qëndresës. Qëndresa është bërë nënë së fundmi dhe të dyja jemi nënat e trupës (së ‘Artpolisit’). Thashë me vete: sa interesante është puna e njeriut. Varësisht nga faza që je të pëlqen diçka”, ka thënë Donikë Ahmeti duke kaluar kështu në shumë personale interpretimin. Akoma më personale e bëri fakti që i përket trupës artistike rezidente të organizatës “Artpolis” e pjesë e përhershme e organizimit.

Këtë vit organizimi tradicional i “Artpolisit” u mbajt në ditën e dytë të marsit, nën moton “Çdo ditë është 8 mars” përderisa vitin e kaluar solli një mesazh për solidarizim me viktimat nga lufta në Ukrainë.