Kulturë

“Poezi pa kufij” nga dëshmitarë të tmerrit me thirrje për paqe

Ethet e luftës që i solli nacionalizmi serbomadh nuk e heshtën zërin e poetëve që guxuan të ëndërronin. Muzat nuk heshtën dhe poetë të dhuntishëm dëshmuan se, megjithatë, vlerat njerëzore nuk e kanë të humbur davanë. “Ka pasur zëra individualë, krijues të mëdhenj që dëshmojnë njerëzoren përmes vargut të fuqishëm, mbijetesës, sfidimit të marrëzive dhe shpresës për ditë më të mira”, ka thënë poetja Vlora Konushevci, e cila ka përzgjedhur dhe përkthyer nëntë autorë që krijuan në serbo-kroatisht në përmbledhjen “Poezi pa kufij”. Bashkë me ta në këtë botim janë edhe tre autorë nga Kosova që, të përkthyer nga Anton Berishaj, i shfaqen publikut të vendeve të ish-Jugosllavisë me nga tri poezi përfaqësuese

Dikur poeti i pashmangshëm T. S. Eliot kishte thënë se “poezia e bukur është si një dramë e vogël”. Fundi i Jugosllavisë ishte epoka e errët për popujt e saj e, veçmas, për ata më të dobëtit. Edhe nëse fjala poetike nuk mund të ketë shmangur tatëpjetën drejt çmendurisë që solli nacionalizmi serbomadh, poetë me emër gjithandej këtyre hapësirave ngritën zërin. Nëpërmjet vargut të bukur, ata i thanë luftës “Jo!”, por edhe përçuan mesazhin se vlerat njerëzore mund të jetonin edhe më tej.

Kështu, poeti, gazetari e disidenti malazias, Jevrem Bërkoviq me poezinë e tij “Dubrovnik më vjen keq” krijoi një plazmim të fortë poetik me thirrjen e tij kundër luftës.

Ai është vetëm një nga nëntë autorët që krijuan në gjuhën serbo-kroate e që tani janë të qasshëm edhe në gjuhën shqipe me nga tri poezi përfaqësuese akëcili. E, po njësoj, edhe tre poetë nga Kosova janë përkthyer në gjuhën serbe e kroate me nga tri krijime.

Kësisoj, përmbledhja antologjike “Poezi pa kufij”, me përzgjedhjen e bërë nga poetja Vlora Konushevci, vjen më mëtimin që poetikja të bëhet urë lidhëse mes kulturave fqinje në ish-Jugosllavi duke e grishur lexuesin për të kthyer vëmendjen kah krijimtaria e begatshme artistike.

“Të pathënat e shpirtit poetik”

Në përurimin e kësaj antologjie të bërë pasditen e së mërkurës në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, të pranishmit kanë vlerësuar përpjekjen për idenë e përkthimit të të pathënave që ndihen nga shpirti poetik.

Para se ky projekt të mbështetej nga programi “This Confidence Building Project” i financuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), gjithçka kishte nisur kur Konushevci përktheu Vasko Popën, njëri prej poetëve më përfaqësues të brezit të tij, dhe kryeveprën e tij “Kthemi copat e mia”.

Ky pasion kishte vazhduar pastaj me poeten e mirënjohur kroate Vesna Parun, një përvojë leximesh e rileximesh që vinte në dukje tronditjen e një lidhjeje të drejtpërdrejtë, ashtu sikurse edhe një ringjallje të shpejtë të vetëdijes.

Botim i organizatës “OMCULTI”, libri “Poezi pa kufij” bën bashkë emra të mëdhenj të botës poetike nga Serbia, Kroacia, Bosnja e Mali i Zi.

Kështu pjesë e krijimeve të përzgjedhura e të përkthyera nga Vlora Konushevci janë poetë e autorë si: Vesna Parun (me poezitë “Skllavnia”, “Kur nji zog pushon së dashtuni” dhe “Ti që i ki duert ma t’pafajshme se t’miat”); Vasko Popa (“Kthemi copat e mia”, “Mos me pas kanë sytë e tu” dhe “Kutia e vogël”); Semezdin Mehmedeviq (“Sarajeva”, “Lufta”, dhe “Me i la të dekunit”); Bisera Alikadiq (“Mos i kërkoni andrrat tona në fjalor”, “E detit” dhe “Kur qeshin gratë e zakonshme athinase”); Admiral Mahiq (“Kisha ortodokse në Sarajevën e re”, “A e kam dhanë ma t’mirën?” dhe “Përtëritje”); Miroslav Kërlezha (“Shpija jonë”, “Përmallim” dhe “Nën dritën e hanës”); Tanja Stupar-Trifunoviq (“Shumimi i kafshëve shtëpiake”, “Dikush e gjujti nji gur” dhe “Zoti modern”); Jevrem Bërkoviq (“Bijtë e kudrës”, “Qysh bahet Malazezi i lumtur”, “Bijat e mia”) si dhe Bogomil Xhuzel (“Ishull në kontinent”, “Kanga-Pohimi” dhe “Përfshirja”).

Atyre u janë bashkuar edhe tre poetë nga Kosova, të cilët Anton Berishaj i ka përkthyer në serbo-kroatisht, me nga tri poezi përfaqësuese nga opusi i tyre poetik: Halil Matoshi (“Nâna”, “Çka bân ni nanë?” dhe “Kâmba e babës”); Naime Beqiraj (“Me ik”, “Qershisht” dhe “Zemra e Atit”), si dhe Donika Dabishevci (“Kam me ardhë si deka”, “Harrimi” dhe “Edhe atëherë kur”).

“Muzat nuk heshtën”

Të pranishmit në promovim i ka përshëndetur fillimisht drejtuesi i Shtëpisë Botuese “OM”, Xhemajl Avdyli, i cili ka vlerësuar nismën e ndërmarrë nga përkthyesja Konushevci.

“Siç e ka thënë edhe vetë Vlora, kjo antologji përfshin autorë që shkruan në cilësinë e dëshmitarëve të tmerrit”, ka thënë Avdyli.

Me këtë rast, aktoret Qendresa Loki, Hajat Toçilla e Beslira Jasharaj, si dhe aktivistja Valdete Idrizi kanë interpretuar pjesë të poezive të autorëve jugosllavë të përfshirë në përmbledhje.

Në fjalën e saj, përkthyesja dhe poetja Vlora Konushevci ka folur për përkthimin, një rrugëtim të cilin e ka përshkruar si sfidues. Sipas saj, përkthimi letrar nuk është shkencë ekzakte, ndaj ai duhet ta lërë tekstin e hapur për “sa më shumë lexime që të jetë e mundur”.

Teksa i është referuar një thënieje të poetit T. S. Eliot se “poezia e bukur është një dramë e vogël”, ajo ka vlerësuar se poetët e përzgjedhur e paraqesin të gjithë dramën njerëzore dhe gjëmën që ngjau në ish-Jugosllavi.

“Thuhet se kur pushkët dëgjohen, muzat heshtin. Por muzat nuk heshtën dhe poetët e ngritën zërin kundër padrejtësisë dhe treguan që ka njerëz të mirë”, ka thënë Konushevci.

“Shpresë për ditë më të mira”

Edhe në parathënien në fillim të librit, Konushevci ka theksuar që poetët në fjalë shkruajnë në cilësinë e dëshmitarit të tmerrit, kritikëve plot mllef apo në cilësinë e viktimave. Po këtu, ajo ka cituar një thënie të Danillo Kishit nga libri i tij polemik “Ora e Anatomisë” se të gjitha të gjitha gjërat e mira e të këqija që ndodhin në jetën e një shkrimtari janë pjesë e fatit të tij letrar, sepse ai nuk ka asnjë fat tjetër.

“Shumë nga pozitë duken pothuajse të gjalla për botën reale, vigjilente ndaj asaj që ata ndiejnë dhe futuriste në mesazhin e tyre nëpërmjet gjuhës”.

Duke e përmbyllur parathënien e librit, Konushevci ka vlerësuar se me gjithë tmerrin e vuajtjet e ndodhura në ish-Jugosllavi, ka pasur “zëra individualë, krijues të mëdhenj që dëshmojnë njerëzoren përmes vargut të fuqishëm, mbijetesës, sfidimit të marrëzive dhe shpresës për ditë më të mira”.

Me një fjalë të shkurtër gjatë përurimit, poetja Donika Dabishevci ka falënderuar Konushevcin dhe shtëpinë botuese që mundësuan emocione përmes këtij botimi.

“Kam pasur nderin të isha lexuesja e parë e përkthimeve të Vlorës dhe kjo më bëri të besoja se do të dilte një libër i bukur si ky”, ka thënë ajo.