Kulturë

Pllakat e gramafonit – “goditje për xhepat e koleksionistëve”

pllaka gramafoni

Bazuar në supozimin se blerësit më të zjarrtë të LP-ve speciale që lansohen në fund të nëntorit janë “të rinjtë e përjetshëm” të moshës 50+, publikimet më të shumta dhe më të shtrenjta janë ato të artistëve të viteve ‘50, ‘60 dhe ‘70 të shekullit të kaluar

“E premtja e zezë” për “Record Store Day” me pllaka gramafoni, e paralajmëruar për 29 nëntor, bazuar në lansimet e reja sikurse edhe te çmimet e paralajmëruara, do të jetë edhe një “goditje serioze në xhepat e koleksionistëve”, raportojnë mediat e huaja. 

Në përputhje me supozimin se blerësit më të zjarrtë të pllakave speciale të lëshuara atë ditë janë “të rinjtë e përjetshëm” të moshës 50+, publikimet më të shumta dhe më të shtrenjta janë ato të artistëve të viteve ‘50, ‘60 dhe ‘70 të shekullit të kaluar.

Nga gjithsej 185 publikime që do të ofrohen në fund të nëntorit, më shumë se 110 janë pllaka të rockut dhe popit klasik dhe tok me ato të jazzit e të muzikës së filmit, përbëjnë më shumë se tre të katërtat e ofertës.

Për koleksionistët fanatikë të “The Beatles”, “e premtja e zezë” sjell dy publikime single, me një çmim “të përballueshëm” rreth 20 euro për copë. Një LP e katërfishtë e “The Doors” live në Detroit do të kushtojë së paku 85 euro, ndërsa një album i dyfishtë i regjistrimeve live nga “Birds” dhe “Buffalo Springfield” nga festivali Monterey i vitit 1967 do të jetë në dispozicion për 42 euro.

Për ata që duan një tingull “më të ashpër”, një set me shtatë këngë të “Mötley Crüe” është në dispozicion me një çmim prej 85 eurosh, ndërsa këngët e rralla dhe anës “B” të “Morphine” do të jenë në dispozicion për 40 euro.

Ende nuk dihet se sa do të kushtojë lansimi i jashtëzakonshëm i albumit live të “Rolling Stones” i vitit 1969, “Get Yer Ya Ya's Out”, por duke marrë parasysh shumat astronomike që kërkoheshin për albume të ngjashme të grupit në atë kohë, koleksionistët kanë pak shpresë për ndonjë zbritje.

Për një paketë prej pesë pllakash LP që përfshijnë krijimtarinë e plotë të grupit “War” prej vitit 1977 deri më 1994, çmimi është gati 135 euro, ndërsa për maxi-singlin e Whitney Houston duhet paguar 26 euro.
Por jo gjithçka është krejt zi për koleksionistët: për 30 euro do të shiten botimet e reja (të restauruara ose të veçanta) të LP-ve të artistëve e grupeve si: “Yes”, “Ultravox”, “U2”, “Sweet”, “T Rex”, “Ramones”, Nina Hagen, Nancy Sinatra, Cat Stevens, Cypress Hill, “Foreigner”, “Garbage”, Jimi Hendrix, Joe Jackson, Jonh Lee Hooker, “Laibach” e të tjerë.