Për kontributin e madh të dhënë për ruajtjen dhe përsosjen e këngës popullore dhe traditave krutane, grupi artistik “Pleqtë e Krujës” është nderuar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” me rastin e vizitës së presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në qytetin e Krujës
Janë të njohur si “Pleqtë e Krujës”, por përkushtimi e vlera e tyre artistike bëjnë që të ndjesohen si një grup të rinjsh me vullnet të fismë.
Me një traditë që kthehet në kohë qysh në fundvitet ’50, ky grup krutan u bën jeh këngëve popullore të Shqipërisë së Mesme.
Të hënën, “Pleqve të Krujës” u është akorduar titulli i lartë “Mjeshtër i Madh” me rastin e vizitës së presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në qytetin e Krujës.
Në një njoftim të afishuar në faqen presidenciale në “Facebook”, ai ka thënë se në Krujën e shenjtë për çdo shqiptar historia, tradita, vlerat kombëtare, patriotizmi e krenaria shpalosen pranë njëra-tjetrës dhe “ku kështjella e pamposhtur e Gjergj Kastrioti Skënderbeut spikat si dëshmi e fortë e identitetit tonë kombëtar dhe evropian”.
Sipas tij, titulli i lartë presidencial është ndarë për kontributin e madh të dhënë për ruajtjen dhe përsosjen e këngës popullore dhe traditave krutane.
Në arsyetimin e Presidencës për titullin “Mjeshtër i Madh” për grupin artistik nga Kruja është dhënë ky vlerësim: “Për kontributin e shquar në ruajtjen dhe përsosjen e këngës popullore dhe traditave etnokulturore krutane. Në shumë dekada ka shprehur me talent dhe përkushtim trashëgiminë e pasur folklorike të shumë brezave, duke shpalosur me nivel të lartë artistik këngët tradicionale, veshjet koreografike, si dhe meloditë e pasura burimore krutane”.
Në fjalën e tij para të pranishmeve, Meta ka thënë se nga një gjerdan i tërë i vlerave krutane janë zgjedhur për vlerësim vetëm disa prej personaliteteve që kontribuuan për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë folklorike krutane.
“Është tepër e rëndësishme që trashëgiminë tonë të pasur shekullore në çdo fushë ta mbrojmë dhe ta promovojmë në shërbim të forcimit të identitetit tonë kombëtar, zhvillimit të qëndrueshëm të vendit dhe prosperitetit të qytetarëve tanë, për të qenë krenarë që janë shqiptarë”, ka thënë kreu i shtetit shqiptar.
Me këtë rast, presidenti Meta ka vlerësuar edhe studiuesin e krijuesin Mehmet Llubani, si dhe dy kontribuuesit për rritjen e turizmit në zonën e Krujës, Dragush Gega dhe Bujar Bardhi.
Në motivacionin e titullit “Mjeshtër i Madh” për Llubanin është thënë “Personalitet i shquar i artit dhe kulturës popullore, i dalluar si hulumtues, studiues e krijues i talentuar i trashëgimisë kulturore krutane në fushën e muzikës, këngës popullore dhe etnografisë. Një ndër drejtuesit e spikatur të lëvizjes kulturore e artistike të trevës së Krujës, në veçanti i ‘Grupit karakteristik të Pleqve të Qytetit’ dhe ansamblit ‘Kruja Folk’, duke përcjellë në breza një kontribut të vyer të vlerave të këngës, artit popullor e traditës së pasur folklorike krutane”