“EC Ma Ndryshe” në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore kanë lansuar Platformën Digjitale të Qendrës Historike të Prizrenit. Sipas bartësve të këtij projekti, qëllimi i kësaj platforme është dokumentimi e krijimi i një baze të të dhënave mbi gjendjen ekzistuese të kësaj zone të mbrojtur, duke ofruar një mjet praktik për transparencë dhe llogaridhënie
Platforma Digjitale e Qendrës Historike të Prizrenit e krijuar nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore është publikuar të premten, me synimin për mbrojtjen e promovimin e kësaj zone.
Aktivistët e shoqërisë civile dhe zyrtarët institucionalë kanë sqaruar se bëhet fjalë për një bazë të të dhënave online, ku paraqiten të gjitha strukturat, përfshirë shtëpitë, monumentet, objektet fetare, urat e të tjera, me informatat e nevojshme, si statusi ligjor, koha e ndërtimit, etazhiteti, gjendja fizike, pastaj shfrytëzimi, vlerat që posedojnë dhe harmonia me kontekstin historik.
Valon Xhabali nga organizata “EC Ma Ndryshe” ka bërë të ditur se baza e të dhënave ka buruar nga hulumtimi i realizuar për nevojat e Planit të Menaxhimit të Qendrës Historike, i vitit 2017, i zgjeruar me hulumtimin shtesë në dy vjetët e fundit, që tani vihet në shërbim të publikut në formën online për të rritur llogaridhënien e transparencën.

“Kjo platformë ka të dhëna për të gjitha monumentet, shtëpitë e vjetra tradicionale, urat edhe monumentet fetare, të cilat janë pjesë e Qendrës Historike të Prizrenit, prandaj çdo qytetar, por edhe mediat, mund të kenë informata shumë të detajuara për secilin objekt, ku në të njëjtën kohë mundemi me pa edhe evoluimin e Qendrës Historike, si për të mirë, ashtu edhe për të keq”, ka thënë Xhabali.
Drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka shprehur qëndrimin se nëpërmjet Platformës Digjitale prezantohen të dhënat dhe gjetjet e të gjitha ndërhyrjeve që janë bërë në Qendrën Historike.
të dhëna nuk është se nuk kanë qenë të pranishme në institucionet tona, apo të ndara nëpër shumë institucione, por edhe te shoqëria civile, mirëpo tash grumbullimi i të gjitha të dhënave, elaborimi i tyre dhe diskutimi në mes të njerëzve të fushës profesionale dhe etablimi i këtyre të dhënave, përmes kësaj platforme, besoj i jep mundësi dhe qasje përtej qasjes profesionale të njerëzve të fushës, por edhe publikut të gjerë, qytetarëve të Komunës së Prizrenit, me theks të veçantë të atyre që jetojnë në Qendrën Historike”, ka deklaruar Hoxha.

Bartësi i këtij projekti në “EC Ma Ndryshe”, Veron Tara ka theksuar se për nevojat e krijimit të kësaj platforme janë hulumtuar 1,600 struktura në këtë zonë.
i platformës apo pse është shumë e rëndësishme platforma është që publiku me e pa se në çfarë gjendje ndodhet Qendra Historike, qysh e ceka është gjendja ekzistuese dhe janë bërë në 1,600 struktura që ndodhen në Qendrën Historike, tek të cilat kemi hyrë një nga një, i kemi vlerësuar, i kemi marrë të dhënat, si etazhiteti, vlera, dukja edhe a është në harmoni apo nuk është me Ligjin e Qendrës Historike dhe me planet që i përmban Ligji i Qendrës Historike”, është shprehur Tara.
Platforma, përpos të dhënave nga terreni, posedon edhe kategorinë e publikimeve me dokumente, plane, strategji e ligje relevante që lidhen me këtë qendër historike dhe është krijuar në mënyrë vullnetare nga “EC Ma Ndryshe”.
Qendra Historike e Prizrenit, sipas legjislacionit në fuqi, trajtohet si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe e klasifikuar si Zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar.