Ani pse konsiderohet si dokument bazik dhe i domosdoshëm, prej se është inauguruar si park arkeologjik, në tetorin e vitit 2016, Ulpiana nuk ka pasur plan menaxhimi. Prej së mërkurës, së paku në letër, e ka një të tillë. Ndonëse edhe të tjera plane, si ai i Kalasë së Prizrenit, nuk janë “përkthyer” në praktikë, ambicioz është ky për lokalitetin e gjurmëve dardane. Shndërrohet në një lloj institucioni më vete që i plotëson kriteret ashtu siç e ka statusin dhe vjen pas zotimit të shpronësimit të shumëpritur
Fiks edhe tetë ditë rrumbullakohen shtatë vjet prej kur një pjese të lokalitetit arkeologjik të Ulpianës i ishte “prerë shiriti” për t’u bërë Park Arkeologjik me tre sektorë. Prej atëherë në terren nuk ka ndryshime. Asnjë prej mungesave të asaj kohe nuk është plotësuar. Njëkohësisht prej atëherë është punuar në Planin e menaxhimit.
E të mërkurën është bërë një hap administrativ: është miratuar Plani i menaxhimit. Të paktën në letra Ministria e Kulturës dhe institucione të tjera kanë marrë përsipër implantimin e një plani që do ta bënte Parkun Arkeologjik me të kompletuar. Në fakt, është bazik për një park të tillë. Ky edhe është qëllimi i Planit, të aprovuar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Dokumenti prej 47 faqesh është një lloj manuali i menaxhimit të Parkut Arkeologjik deri më 2027. Aty përfshihen prej deklaratës së rëndësisë, vizionit, brendimit, historikut, fushat e veprimit e deri te plani i veprimit.
Në skemën e organizimit dhe funksionimit të Parkut do të jetë Bordi Drejtues me pesë anëtarë: menaxheri ose përgjegjësi i Parkut dhe stafi profesional e ai administrativ. Te stafi profesional do të ketë një arkeolog, një konservator, dy ciceronë dhe një kurator. Kurse te stafi teknik: katër mirëmbajtës, katër persona për sigurim fizik dhe planifikohet një kafene e dyqan suveniresh. Shërbimet shtesë ishin paraparë qysh në projektin e Parkut, por nuk ishin realizuar asnjëherë.
Te plani i veprimit parashihet shpronësimi, çështje së cilës Qeveria i ka hapur rrugë javën e kaluar. Themelimi e funksionimi i laboratorit e hartimi i planit të konservimit janë paraparë të përfundohen deri më 2026. Kërkimet arkeologjike do të zhvillohen në vazhdimësi.
“Themelimi i Njësisë Menaxhuese; Integrimi i shtigjeve të ecjes dhe aseteve të tjera si Manastiri i Graçanicës, Veletini, Kishnica, rrjetit të gjurmëve dhe galerive të minierave antike në arealin e Shashkocit dhe Janjevës e të tjera në kuadër të ofertës turistike”, janë synimet me prioritet të mesëm e që llogaritet të përfundohen deri më 2028. Për këto pika përgjegjës kryesorë janë Ministria e Kulturës dhe Instituti Arkeologjik. Te themelimi i njësisë menaxhuese ka dy afate. Në një tjetër rast shkruhet se afati i fundit është viti 2026.
Vendosja dhe shtrirja e rrjetit të instalimeve elektrike, makinave, ujësjellësit dhe kanalizimit, nyjave sanitare, janë plane që duhet të përfundojnë deri më 2025. Kurse vendosja e infrastrukturës së nevojshme për akomodimin e stafit dhe veprimtarisë kërkimore shkencore në terren ka kohë deri më 2028.
Plani i veprimit parasheh edhe përcaktimin e hapësirave që mund të shfrytëzohen për funksione alternative dhe hartimin e planit të biznesit. Viti 2028 llogaritet të jetë edhe afati i fundit për sigurimin e të hyrave për Parkun Arkeologjik nga shitja e biletave, suvenireve, replikave e materialeve promovuese.
Sipas Planit të menaxhimit, Parku do të shfrytëzohet si hapësirë multikulturore për organizim të aktiviteteve të ndryshme, si shfaqje dhe performanca historike, dizajn kostumesh tradicionale, festivale kulturore të integruara, punëtori dhe trajnime, ekskursione shkollore e deri te ofrimi i biletave me pako të kombinuara.
Gjendja e deritashme në lokalitet, pavarësisht asaj që shihet, nuk ka qenë aspak e mirë. Ka munguar konservimi i vazhdueshëm, nuk ka ende punonjës të përhershëm e shpesh me muaj të tërë nuk janë vazhduar as kontratat e përkohshme për mirëmbajtësit. Mungon rrjeti i energjisë elektrike e gjatë dimrit rojtarët ngrohen me gaz në kabinën te hyrja. Vazhdimisht ka pasur telashe deri te ato sa nuk është paguar mirëmbajtja e WC-ve të përkohshme, duke pamundësuar pastrimin dhe shfrytëzimin e tyre. Zakonisht është kamufluar sa i përket mirëmbajtjes deri në nivelin sa stafi i pakohshëm kanë blerë vetë edhe benzinë për prerjen e vegjetacionit e kositjen e barit. Mungesa e ciceronëve është evidente.
Por tash, të paktën me Plan menaxhimi dhe me zotimet e Ministrisë së Kulturës, pritet të ndryshohet gjendja.
“Ky plan do të mundësojë zbatimin e vizionit për ruajtjen dhe menaxhimin e këtij lokaliteti, me qëllim të mbrojtjes dhe vlerave të trashëgimisë dhe shfrytëzimit të potencialit për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe lokal. Pas aprovimit, do të ndërmarrim hapat përkatës: Themelimin e Njësisë Menaxhuese dhe sigurimin e mbështetjes financiare për zbatimin e Plani”, shkruhet në përgjigjet që i ka dhënë KOHËS kabineti i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.
Kurse arkeologu Milot Berisha, i cili i ka prirë projektit të shndërrimit të tre hektarëve të lokalitetit në Park arkeologjik, ka thënë se Plani i menaxhimit dhe shpronësimi janë procese të ndërlidhura ngushtë me njëri-tjetrin.
“Sigurisht që nuk do të realizohen synimet brenda natës. Por tash janë në fazën që sigurohet të punohet në realizimin e tyre. Përfitimet janë të shumëfishta dhe do të hapin perspektiva të reja. Por edhe do të përdoret si shembull për lokalitete të tjera me potencial”, ka thënë Berisha. Sipas tij, është e natyrshme që duhet përkrahje dhe përkushtim institucional që të kurorëzohen këto synime që tashmë janë të karakterizuara si interes me vlera nacionale.
Paraprakisht në ditën e 12-të të tetorit, Qeveria e Kosovës ka marrë një prej vendimeve më të rëndësishme sa i përket trashëgimisë kulturore në vend: i ka hapur rrugë shpronësimit të “lokalitetit arkeologjik Ulpiana”. Me këtë vendim të miratuar unanimisht, në mbledhjen e 165-të të Qeverisë ka nisur procesi që lokaliteti më i rëndësishëm arkeologjik në vend të jetë pronë shtetërore. Ky hap i Qeverisë është përshkruar si nismë tejet e rëndësishme për punën që bëhet nga institucionet për të shpalosur trashëgiminë arkeologjike të vendit. Synimi është që të shpronësohen 21 hektarë.
Sipas sqarimeve të dhëna në Plan të menaxhimit, lokaliteti arkeologjik që gjendet 12 kilometra në juglindje të Prishtinës me emër zyrtar “Ulpiana-Iustiniana Secunda” përmes materialit autentik të zbuluar dëshmon mbi ekzistencën e jetës përreth 2000-vjeçare të pandërprerë mes shekujve XIII para Krishtit deri në shekullin VII pas Krishtit, duke përfshirë edhe transicionin e Ulpianës nga vendbanimi dardan i tipit Opidum në Municipium romak. Aty shkruhet se me integritetin e vet strukturor, urban dhe të peizazhit, Ulpiana pasqyron transformimin e një hapësire nga një vendbanim dardan i koncentruar i tipit Opidum në Municipium romak më pas në një qytet të hershëm bizantin dhe qendër të rëndësishme kishtare paleokristiane në Dardani.
“Lokaliteti arkeologjik Ulpiana-Iustiniana Secunda paraqet gjurmë tipike të teknikave të ndërtimit, stileve arkitektonike dhe artistike të periudhës perandorake romake, antikitetit të vonë dhe Bizantit të hershëm. Si i tillë paraqet vendbanimin më autentik në Dardani përmes të cilit mund të pasqyrohet transformimi nga një qytet romak në atë bizantin”, shkruhet midis të tjerash. Lokaliteti arkeologjik i Ulpianës, përkatësisht në tërësinë e saj shtrihet në një hapësirë prej afërsisht 100 deri në 120 hektarë. Po sipas Planit të menaxhimit, perimetri dhe zona mbrojtëse e Parkut arkeologjik përfshin një areal mbi 257.33 hektarësh, ndërsa pjesa e ekspozuar në kuadër të tij zë një sipërfaqe prej mbi 3 hektarësh dhe është i organizuar në tre sektorë, por me tendencë të zgjerimit të hapësirave të ekspozuara në të ardhmen.
Plani i menaxhimit rrumbullakon në tërësi vlerat dhe krejt hapat që duhet të ndërmerren. Por Ministria e Kulturës jo gjithmonë u përmbahet obligimeve që ia jep vetes.
Në dhjetor të vitit 2020 ishte miratuar Plani i Menaxhimit të Kalasë së Prizrenit. Sipas Planit, ky aset i trashëgimisë kulturore duhet të ketë 16 punonjës. Por shpesh ka ndodhur që të ngelet edhe pa punonjës të angazhuar përkohshëm, ta ketë të mbyllur edhe Muzeun që ndodhet brenda Kalasë. Prej korrikut të vitit të kaluar Ministria e Kulturës ka emëruar edhe njësinë menaxhuese për Kalanë. Por në praktikë efekti i Planit të menaxhimit që ka mbushur gati tre vjet është i barabartë me zero.