Kulturë

“Pingpongu” midis Ministrisë së Kulturës dhe Festivalit të Teatrove në Ferizaj, shfaqje paralele

Historia e përplasjeve të Ministrisë së Kulturës dhe organizatorëve të Festivalit të Teatrove në Ferizaj të hënën ka përjetuar edhe një episod: atë të përballjes. Organizatorët dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, janë thumbuar mes vete. Ministri Çeku ka folur për gjoja telashet administrative e gabimet e organizatorëve që kanë çuar në mosfinancim të ngjarjes nëpërmjet subvencioneve, përderisa drejtuesi i Festivalit, Besim Ugzmajli, ka ngulmuar se Ministria ka telashe me qasje dhe me kritere

Ani pse ishte i ftuar për ceremoninë hapëse të edicionit të 53-të të “Festivalit të Teatrove të Ferizajt”, që u mbajt të dielën mbrëma, ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, nuk ishte bërë i gjallë. Mirëpo, të hënën pasdite ka hequr setrën dhe ka përvjelë mëngët për të vazhduar “lojën e pingpongut” dhe thumbimet ndaj organizatorëve të ngjarjes në lidhje me kritikat që ia kanë bërë në vazhdimësi për mosfinancimin e edicionit të sivjetmë të festivalit. Përplasja zanafillën e ka në korrik kur Ministria e Kulturës ia refuzoi aplikimin për financim me subvencione dhe ofroi memorandum bashkëpunimi. Por, organizatorët kishin refuzuar duke i dhënë institucionit më të lartë të kulturës edhe epitet si “Ministri e Kuturusë” dhe e “Fiskulturës”.

Ndërkaq të hënën, në panelin me temën “Qëndrueshmëria financiare e Festivalit të Teatrove – Ferizaj”, në të cilin mori pjesë bashkë me drejtorin e Festivalit dhe përfaqësuesit e Komunës së Ferizajt, nënkryetari Lulzim Aliu dhe drejtoresha për Kulturë, Xhemile Murati-Shabani, ministri Çeku për nja 15 minuta ka prezantuar punët që ka kryer si ministër, ka akuzuar organizatorët se ia kanë huqur kur kanë aplikuar. Problemin e ka thjeshtëzuar në terma krejt teknikë e administrativë.

“Organizata aplikuese nuk i plotësoi kriteret”

“Në skemën e riprogramuar të thirrjes për kulturë ne e patëm krijuar kategorinë ‘Festivalet tradicionale’, kategori më vete, kategori vetëm për ngjarje tradicionale me mbështetje deri në 35 mijë euro, pothuajse një lloj financimi i garantuar, që të mos i përfshinim në konkurrencë me të tjerët, sepse ka vlera përtej të tjerave, por për dallim nga viti paraprak, aplikimi për ‘FTF 2023’ u bë në kategori tjetër, jo në kategorinë e festivaleve tradicionale. Organizata aplikuese nuk i plotësoi kriteret”, është arsyetuar ministri Çeku. “Është aplikuar në kategorinë që targeton organizatat e kulturës dhe ofron mbështetje institucionale vjetore”, ka vazhduar ai.

Çeku ka shkuar përtej. Ka thënë se edicioni i sivjetmë nuk është rezistencë, siç ka dëgjuar se po quhet. Teksa ka shtuar se nikoqirët po refuzojnë të bashkëpunojnë me Ministrinë që ai i prin.

“Nuk besoj se është rezistencë dhe që po përdoret fjala rezistencë. Sepse nuk është e qartë cila është forca ose shtypja kundër të cilës po bëhet kjo rezistencë. Kush po ju shtyp që po rezistoni. Por, besoj se është refuzim. Ministria nuk është mbështetëse e festivalit jo pse nuk e kishte vullnetin dhe gatishmërinë, por sepse është refuzuar. Paradokalisht nga punonjësit e teatrit të qytetit, që është teatër publik e që vepron në kuadër të Komunës”, ka thënë Çeku.

“Nëse keni diçka personalisht me mua, eventualisht, rruga për t’u marrë me një individ nuk duhet të kalohet përmes dëmtimit të festivalit. Nuk është e drejtë e askujt, as më pak të disa njerëzve të marrin vendime kaq të mëdha dhe të rrezikshme për një festival që është më i madh se gjithë ne”, ka thënë ministri Çeku.

Ministri pastaj ka kaluar në gjëra personale duke përmendur fyerje e sharje, të cilat pretendoi se i ka marrë në lidhje me refuzimin e financimit të Festivalit të Teatrove të Ferizajt. Këtu ka nisur edhe të ashpërsohet debati për shkak të qëndrimeve indirekte që ka shpalosur Çeku.

“Janë thënë shumë të pavërteta qe një kohë të gjatë. Ose të vërteta jo të plota. Këto dinë të jenë ndonjëherë më të rrezikshme se të pavërtetat. Por edhe shumë ofendime, fyerje, shpikje betejash të paqena. Të panevojshme dhe të padobishme”, ka thënë ministri, derisa Besim Ugzmajli, organizator i Festivalit të Teatrove, i ka ndërhyrë duke i thënë që t’i drejtohej atij me këto fjalë.

“Drejtohu tek unë, po shpresoj që të dalë pezmi jashtë”, ka thënë Ugzmajli.

Çeku ka vazhduar edhe më, duke i quajtur organizatorët si heronj të vetëshpallur që po provojnë ta demonizojnë atë.

“Bile edhe më keq duke u vetëshpallur si heronj që sakrifikojnë për festivalin, ndërsa ministrin e demonizuar si njëfarë figure si shkatërrues të festivalit. Ky ka qenë diskursi”, ka thënë Çeku. “Bes, nuk ekziston ajo betejë”, i është drejtuar ministri regjisorit Ugzmajli, njëherësh udhëheqës artistik i teatrit “Adriana” e drejtues i festivalit.

“Në improvizim mendoj se ju jeni më të mirë”

Drejtuesi i Festivalit, Ugzmajli, ka kritikuar mënyrën e kategorizimit për aplikim. Ka shtuar se Ministria nuk mund t’i vendosë themelet se çka është ngjarja tradicionale. Regjisori nga Ferizaj ka thënë se kjo qasje duhet të ndryshohet.

“Sipas asaj që tha ministri, ai e ka idenë se këto janë festivale tradicionale që organizohen për dhjetë ditë dhe kaq. Si event i tillë nuk paskan të drejtë të marrin dimensione të tjera zhvillimi. Kjo tradicionale nuk është konturë që nuk guxon të ndryshohet. Kjo nuk do të thotë se eventet duhet të përsëriten, të jenë të njëjta vit pas viti. Kjo përpjekja që t’i mbajmë eventet tradicionale të tilla nënkupton pamundësi e zhvillimit. Eventet që përngjajnë nga viti në vit mendoj se nuk duhet organizuar fare”, ka thënë Ugzmajli. Ai ka sqaruar se ideja kryesore ka qenë që festivali të jetë kulminacion i një programi vjetor.

Organizatori i FTF-së ka thënë se problemi kryesor janë kriteret e vendosura në aplikim për financim, teksa ka pyetur se përse janë vendosur kriteret e tilla që nuk përkrahin idetë e mira.

“Ne po flasim sikur kriteret janë diçka e mirëqenë, e padiskutueshme që i kemi vendosur, të cilat nuk lëvizin janë të betonuara dhe që ju keni gabuar kur keni aplikuar këtu, sepse ne i kemi caktuar disa kritere, të cilat ju nuk i kaloni dot”, ka thënë Ugzmajli.

“Thonë se kategoria është gabim. Sipas juve, kategoria është e gabuar, jo se është plani. A duhet financuar idetë e mira apo idetë e mira duhet të jenë robër të kritereve, a duhet të ketë rrugëdalje për ide të mira, apo t’i thoni dikujt i kemi vu disa pengesa gjatë rrugës që ti nuk mund t’i kalosh, kështu që mbaj për vete ato ide të mira”, ka shtuar ai.

Përplasja mes drejtorit të Festivalit dhe ministrit të Kulturës ka vazhduar edhe te kriteret dhe kategorizimi i Festivalit. Vazhdoi me pyetjen e ministrit ndaj Ugzmajlit se çfarë do të kishte bërë ai me kriteret sikur të ishte ministër.

“Si e kisha bërë pa dashur të improvizoj, sepse në improvizim mendoj se ju jeni më të mirë në atë aspekt”, ka thënë Ugzmajli. Ai ka këshilluar që kriteret duhet të bëhen duke i njohur edhe festivalet dhe rëndësinë që kanë.

Nënkryetari i Komunës, Lulzim Aliu, ka thënë se organizimi i festivaleve ka qenë i gabuar që nga fillimi. Ai ka thënë se Komuna e Ferizajt për një kohë të gjatë ka kërkuar që Festivali i Teatrove të Ferizajt të përfshihet në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, në kategorinë e trashëgimisë shpirtërore.

“Shteti i ka detyruar organizatorët dhe njerëzit e artit, të kulturës e sportit që të krijojnë OJQ. Ka qenë e vetmja rrugë që të bëhet organizimi i një festivali”, ka thënë Aliu, teksa e ka pranuar se memorandumi i MKRS-së ka qenë një prej zgjidhjeve të mira për organizimin e Festivalit të Teatrove të Ferizajt.

Ndërkaq drejtoresha e Kulturës në Komunën e Ferizajt, Murati-Shabani, ka thënë se duhet të bëhet një grant i veçantë dhe i përhershëm nga Ministria e Financave dhe më pastaj procedurat të zhvillohen nga institucionet komunale.

“Pastaj kjo trashëgimi shpirtërore të realizohet nga vetë artistët dhe realizimi i krejt kësaj të bëhet nëpërmjet blerjes së shërbimeve”, ka propozuar Murati-Shabani.

Telashet e MKRS-së me subvencionimin e kësaj ngjarjeje kulturore zënë fill prej listës preliminare të rezultateve në muajin qershor. Ashtu si për shumë ngjarje të tjera, MKRS-ja kur e kishte publikuar listën preliminare, mosfinancimin e këtij festivali e kishte arsyetuar me: “Nuk e plotëson kriterin e veçantë Kategoria 1; pika 4”. Por organizatorët kanë pasur shpresë se do të gjendeshin në listën përfundimtare. E kjo e fundit është histori më vete. Ishte publikuar. Pas pak orës ishte fshirë për t’u publikuar një tjetër listë të nesermën. Shumë akterë të jetës kulturore krejt këtë e kishin përshkruar si lojë listash e joseriozitet të skajshëm. KOHA kishte raportuar se si tre zyrtarë të MKRS-së dhe institucioneve vartëse pa qenë të thirrur fare për art e kulturë kishin vendosur për ndarjen e afro dy milionë eurove. Madje, burimet asokohe i kishin thënë KOHËS se treshja ishte takuar paraprakisht me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku.

Ministria kishte dalë me listë të re për përfituesit e “Thirrjes për projekt-propozimet kulturore 2023”. Të renë e kishte fryrë për fiks 283 mijë e 805 euro, ishin shtuar edhe 11 projekte. Me listën e “avulluar” nja një orë pas lansimit ishin 106 projekte. Në të renë 116, plus një pa numër rendor. Te fryrja e shumës futen projektet e reja dhe rritja e buxheteve për disa prej projekteve fituese. Përtej kësaj historie, në njëfarë mënyre palët të hënën janë marrë vesh për ta gjetur një zgjidhje. Por, se cila do të jetë ajo nuk dihet ende. Ne parim ka pasur dakordim midis zyrtarëve komunalë dhe ministrit Çeku për një financim afatgjatë të Festivalit. Në këtë rast drejtuesi i Festivalit, Besim Ugzmajli, ka ironizuar duke thënë: “Mandej që ju del kohë na pyetni edhe neve”.