Vepra, të cilën e gjeti një tregtar që merret me shitblerjen e gjësendeve të përdorura, sipas ekspertëve të artit del të jetë pikturë origjinale e artistit ikonik, Pablo Picasso. Portreti i vënë në një ram të thjeshtë e të lirë kishte qëndruar i varur për dekada në shtëpinë e tij, derisa gruaja e tij e përshkruante si “pikturë të tmerrshme” dhe familjarët po mendonin se si ta hiqnin qafe atë
Një pikturë, të cilën një tregtar që merret me shitblerje gjësendesh të përdorura e kishte gjetur, teksa po e pastronte bodrumin e një shtëpie në Capri – e që vazhdimisht nga bashkëshortja e tij ishte përshkruar si e tmerrshme – në fakt është portret origjinal i realizuar nga Pablo Picassoja. Kështu pohojnë ekspertët italianë të artit.
Pasi e kishte zbuluar pikturën në vitin 1962, Luigi Lo Rosso e mori me vete kanavacën e mbështjellë në shtëpinë e tij në Pompei, ku për dekadat e ardhshme ajo qëndroi e varur, në një ram të lirë, në murin e dhomës së ndenjës. Portreti, i cili tani besohet nga pronarët e tij se është një imazh i shtrembëruar i Dora Maarit, një fotografe dhe piktore franceze që atëkohë ishte dashnorja dhe muza e Picassos, përfshinte nënshkrimin dallues të artistit të famshëm në këndin e sipërm të pikturës në anë të majtë.
Por Lo Rosso nuk e kishte idenë se kush ishte autori. Shumë vjet më vonë, kur djali i tij Andrea filloi të bënte pyetje, pasi kishte studiuar një enciklopedi të historisë së artit që ia kishte dhuruar një familjare, lindën dyshimet rreth origjinës së pikturës. Përfundimisht, familja Lo Rosso u këshillua me një ekip të ekspertëve, përfshirë këtu detektivin e njohur të artit, Maurizio Seracini. Pas vitesh hetime, Cinzia Altieri, një grafologe dhe anëtare e komitetit shkencor të fondacionit “Arcadia”, i cili merret me vlerësimet, restaurimet dhe autorësinë e veprave të artit, konfirmoi se nënshkrimi në pikturë – sot e vlerësuar me çmim prej 6 milionë eurosh – ishte i artistit spanjoll, Picasso.
“Pasi u bënë të gjitha ekzaminimet e tjera të pikturës, mua më angazhuan për të studiuar nënshkrimin”, ka thënë Altieri për “The Guardian”. “Kam punuar me muaj të tërë, duke e krahasuar me disa nga veprat e tij origjinale. Nuk ka dyshim që nënshkrimi është e tiji. Nuk kishte asnjë provë që sugjeronte se ishte i rremë”.
Pablo Picasso ishte një vizitor i shpeshtë në ishullin jugor italian të Caprit dhe piktura, e cila është jashtëzakonisht e ngjashme me “Buste de femme (Dora Maar)”, besohet të jetë realizuar midis viteve 1930 dhe 1936.

Luigi Lo Rosso nuk jeton më, por djali i tij Andrea, tani 60 vjeç, e vazhdoi misionin e tij për ta zbuluar artistin prapa pikturës.
“Babai im ishte nga Capri dhe mblidhte gjësende të përdorura për t’i shitur për pak para. Ai e gjeti pikturën para se unë të lindja dhe nuk e kishte idenë se kush ishte Picasso. Ai nuk ishte një person shumë i kulturuar. Ndërsa lexoja për veprat e Picassos në enciklopedi, shikoja lart pikturën dhe e krahasoja me nënshkrimin e tij. I thosha babait tim se ishte e ngjashme, por ai nuk e kuptonte. Por ndërsa u rrita, vazhdova ta pyesja veten rreth origjinës së veprës”, tha Andrea.
Ai gjithashtu tregoi se kishte pasur momente kur familja po e konsideronte ta hiqte qafe këtë pikturë.
“Nëna ime nuk dëshironte ta mbante atë – vazhdimisht e përshkruante si të tmerrshme”.
Lo Rosso e ka kontaktuar disa herë fondacionin Picasso në “Málaga”, por thotë se nuk kanë shfaqur interesim për t’i shqyrtuar pretendimet e tij, duke besuar se ato ishin të rreme. Fondacioni ka fjalën përfundimtare për vërtetësinë e pikturës, e cila tani ruhet në një kasafortë në Milano.
Ndoshta një arsye për mospërfilljen e tyre është fakti që një version i veprës “Buste de femme” ekziston tashmë në koleksionin e Picassos. Ajo u shit për më shumë se 22 milionë dollarë në një ankand në vitin 2016.
Luca Marcante, drejtor i fondacionit “Arcadia”, beson se mund të ketë dy versione të veprës në fjalë.
“Që të dyja pikturat mund të jenë origjinale. Ndoshta janë dy portrete, jo saktësisht të njëjta, të të njëjtit subjekt të pikturuar nga Picasso në dy kohë të ndryshme. Një gjë është e sigurt: vepra e gjetur në Capri dhe e cila tani po ruhet në një kasafortë në Milano, është autentike”, deklaroi ai për gazetën “Il Giorno”.
Tani, Marcante planifikon t’ia paraqesë provat e vërtetësisë së veprës, fondacionit “Picasso”.
“Jam kureshtar të di se çfarë thonë ata. Ne ishim thjesht një familje normale dhe synimi ka qenë gjithmonë të dalë e vërteta. Nuk jemi të interesuar të fitojmë para prej saj”, deklaroi pronari aktual i pikturës, Andrea Lo Rosso.
Picasso, i cili vdiq në vitin 1973, realizoi më shumë se 14 mijë vepra dhe fondacioni merr qindra mesazhe në ditë nga njerëz që pretendojnë se posedojnë një pikturë origjinale të piktorit. E realizuar në vitin 1938, “Buste de femme (Dora Maar)”, besohet të jetë vjedhur nga jahti i një Sheiku nga Arabia Saudite në vitin 1999, para se të zbulohej nga Luigi Lo Rosso pas 20 vjetësh.