Një fëmijë ka dëmtuar pikturën me vlerë disa miliona dollarë të artistit Mark Rothko në një muze në Roterdam, raporton “CNN”.
Zëdhënësi i Muzeut “Boijmans Van Beuningen” ka thënë se po shqyrtohen “hapat e ardhshëm” për trajtimin e pikturës “Grey, Orange on Maroon, No. 8” të Rothkos.
Dëmtimi ndodhi “gjatë një momenti pakujdesie”, tha zëdhënësi i muzeut.
Piktura “u gërvisht” nga një fëmijë që po e vizitonte galerinë në Roterdam ku ishte shfaqur ajo.
Piktura abstrakte e vitit 1960, ishte pjesa qendrore e Muzeut “Boijmans Van Beuningen” në Roterdam.
“Piktura ‘Grey, Orange on Maroon, No. 8’ e Mark Rothkos ka pësuar dëmtime sipërfaqësore, pasi një fëmijë e preku atë kur ishte e ekspozuar. Si rezultat, gërvishtje të vogla janë të dukshme në pjesën e poshtme të pikturës. Ekspertiza është kërkuar në Holandë dhe jashtë vendit. Aktualisht po shikojmë hapat e ardhshëm për trajtim të pikturës. Presim që vepra të jetë në gjendje të shfaqet përsëri në të ardhmen”, tha Muzeu për “CNN”.