Zuhair Xheladini, nipi i Hafiz Islam Prishtinës, piktori që krijoi në Siri, Jordani dhe tani në Austri, është autori i shumë pikturave që ruajnë kujtesën kolektive për lagjen shqiptare në Damask, e cila gati u shkatërrua
Në librin e posabotuar, “Figura shqiptare në Lindjen e Mesme”, ia kushtova një kaptinë një figure të njohur në mesin e kolonisë shqiptare në Damask që u formua me ardhjen e shqiptarëve nga Kosova si pasojë e masakrave gjatë luftërave ballkanike 1912-1913, si dhe gjatë presionit shtetëror kundër tyre në periudhën midis dy luftërave botërore 1918-1939. Fjala është për Hafiz Islam Prishtinën, i cili ishte figurë me kulturë të gjerë që mbajti lidhjen me Kosovën deri në vdekjen e tij, më 1929. Vlen të përmendet këtu se ai u lind në Nekovc të Drenicës dhe e kreu Medresenë në Prishtinë e më vonë u bë myderriz në Medresenë Pirinaz në Prishtinë, deri në shpërthimin e Luftës Ballkanike në tetor 1912 dhe pushtimin serb të Kosovës. Në Damask vazhdoi kultivimin e poezisë në gjuhën shqipe me shkronja arabe, duke shkruar një mevlud që e dërgoi në Kosovë më 1921, i cili u njoh si “Mevludi i Hafiz Islamit”.
Në Damask iu lindi Abdulgani Xheladini (ashtu siç u bë e njohur familja tani), kurse më 1955 u lindi nipi Zuhair Xheladini, i cili u mor me pikturë duke vazhduar traditën e dy piktorëve më të njohur të kolonisë shqiptare në Damask: Enver Ali Arnauti (1911-1992) dhe Abdulkader Arnauti (1936-1992).
Zuhair Xheladini u lind në lagjen shqiptare, e cila u ndërtua në veri të pjesës historike të Damaskut, i pasur me monumente historike preislame dhe islame të njohura sikurse Xhamia e Madhe e shekullit XVIII e të tjera. Mu në këtë pjesë historike Z. Xheladini ndoqi shkollën fillore duke shikuar përditë turistët e huaj duke fotografuar e vizituar ato monumente. Po ashtu, në një lagje që i përket shekullit XIV dhe u njoh më vonë si “Stambolli i vogël”, ai ndoqi shkollën gjysmë të mesme në fillim të viteve ‘70 të shekullit XX, ku iu shfaq talenti në vizatim nën kujdesin e arsimtarit të lëndës, kurse në shkollën e mesme gjatë 1972-1975 filloi t’i ruajë pikturat e tij.
“Xhamia e shqiptarëve”, akuarel, 2009
Më vonë ndoqi kurs profesional në vizatim më 1983 pasi që dështoi të regjistrohet në Fakultetin e Arteve të Bukura me gjithë talentin dhe notat e mira që i kishte. Kështu, duke punuar në dekorim ai vazhdoi të merret me vizatim deri kur shpërthyen demonstratat kundër regjimit më 2011 dhe u detyrua – si qindra e mijëra sirianë të shpërngulej në Jordani më 2013, prej nga vazhdoi rrugën deri në Austri më 2017, ku fitoi statusin e refugjatit. Mirëpo, si në Jordani ashtu edhe në Austri, Z. Xheladini vazhdoi të merrej me vizatim duke shpërfaqur mallëngjimin për lagjen shqiptare në Damask dhe duke ruajtur kujtesën kolektive të kësaj lagjeje që u dëmtua shumë në dekadat e fundit.
Në shikim të parë duket se Z. Xheladini e ndjek rrugën e piktorit të parë të njohur në koloninë shqiptare në Damask, Enver Ali Arnautit, i cili u inspirua me monumentet historike në Damask, por Z. Xheladini dallohet me atë se – përveç inspirimit nga monumentet historike – ai u kujdes të ruajë me pikturat e tij lagjen shqiptare në Damask, e këto vepra tani kanë vlerë sepse prezantojnë ato objekte që u rrënuan ose që mund të rrënohen në çdo moment.
Këtu vlen të përmendet se lagjja u ndërtua në veri të Damaskut të vjetër, kurse tani me zgjerimin urbanistik është në zemrën e Damaskut. Pra, rrënimi i pjesës së mbetur shikohet si biznes që në vend të shtëpive modeste të asaj kohe të ndërtohen ndërtesa shumëkatëshe prej të cilave do të kishte profit të madh.
Në mesin e pikturave, të gjitha me akuarel, është një që prezanton portën e shtëpisë së tyre, pra ku u lind dhe jetoi piktori deri më 2015 duke përjetuar të gjitha ndryshimet dhe rrënimet që ndodhën në lagjen shqiptare. Në mesin e këtyre objekteve të rrënuara për shkak të zgjerimit urbanistik është edhe “Xhamia e Arnautëve”, e cila u rrënua më 1971. Vlen të përmendet se kjo xhami lidhet me dy figura të njohura të kolonisë shqiptare dhe botës islame: Naserdin Albanin (1914-1999) dhe Abdulkader Arnautin (1928-2004). Me gjithë këtë nuk kemi ndonjë foto të kësaj xhamie, kështu që piktura e Z. Xheladinit mbetet e vetmja dëshmi e pamjes së saj.
“Porta e shtëpisë së familjes”, akuarel, 2009
Po kështu, në koleksionin e Z. Xheladinit kemi disa piktura për objekte që mbetën në kujtesën kolektive të kolonisë shqiptare në Damask. Njëra prej tyre prezanton “Spitalin e të huajve” (al-Guraba) në Damask që u ndërtua më 1899 dhe u ofronte shërbime falas të huajve që vinin në Damask. Deri në vitet ‘60 të shekullit XX, shqiptarët e Damaskut, e sidomos ata që nuk kishin zgjedhje tjetër, shkonin në atë spital dhe gëzonin trajtim të mirë atje, sidomos pasi njëri prej tyre punonte në kuzhinën e atij spitali.
“Spitali i të huajve”, akuarel, 2018
Një pikturë tjetër në koleksion paraqet Stacionin e Trenit në Damask që u lëshua në funksion më 1908. Në atë stacion arritën disa familje shqiptare në fillim të shekullit XX, kurse në drejtorinë e asaj hekurudhe u punësuan ca shqiptarë të ardhur në sektorin teknik, ku punonin në mirëmbajtjen e lokomotivave. Po ashtu, atje punonin si lokomotivistë babë e bir, Abdulrrahman Barakat dhe Latif Barakat.
“Stacioni i trenit”, akuarel, 2008
Me këtë përvojë që e ka dhe me koleksion të gjerë që ruan Z. Xheladini meriton të ftohet nga Ministria e Kulturës ose nga Fakulteti i Arteve për një qëndrim profesional dhe për një ekspozitë në Prishtinë.