Kulturë

Pianoja e palëkundur në formacionet e muzikës klasike me solistë vendorë

Zana Badivuku-Basha dhe Nezahate Shala-Zeka

Dyshja në piano, Zana Badivuku-Basha dhe Nezahate Shala-Zeka, kanë sjellë për herë të parë për këtë edicion vepra për piano në katër duar (Foto: Chopin Piano Fest)

Për koncertin e 12-të edicionit të 14-të, “Chopin Piano Festi” ka hapur skenën për muzikantët e Kosovës. Shtatë instrumentistët kanë sjellë vepra premierë duke dëshmuar harmoninë në lojë dyshe e treshe. Tri pjesët e koncertit të enjten janë pasuruar me tingujt e instrumentit të cilin festivali ndërkombëtar i muzikës klasike e ka në qendër. E ka dëshmuar pozitën e palëkundur të pianos në repertorin e veprave klasike

“Kosovo Soloists’ Evening” ka qenë dedikimi i “Chopin Piano Fest” për solistët vendorë të skenës së muzikës klasike. Vepra të periudhave të ndryshme të krijimtarisë muzikore kanë sjellë kombinime atraktive sa u përket instrumenteve. Që nga veprat për piano për katër duar, e deri tek ato për saksofon, solistët kanë shpalosur mjeshtëri në zotërimin e instrumenteve. 

Tri pjesët e koncertit të enjten mbrëma janë pasuruar me tingujt e instrumentit të cilin Festivali ndërkombëtar i muzikës klasike e ka në qendër. E ka dëshmuar pozitën e palëkundur të pianos në repertorin e veprave klasike. 

Meloditë e para në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare kanë jehuar për “Pjesë romantike op.55” nga kompozitorja franceze, Cécile Chaminade. Dyshja në piano, Zana Badivuku-Basha, dhe Nezahate Shala-Zeka, kanë sjellë për herë të parë për këtë edicion vepra për piano në katër duar. 

Në tingull ngjan se kompozitorja ishte frymëzuar nga imazhe të dashura për të si natyra dhe ekzotikja. Tingujt e larmishëm dhe të rafinuar janë harmonia e një sharmi melodik. Fryma e valsit mbretëron. “Primavera” josh me një lloj freskie, harmonie e elegancë të linjave të tingujve. “La chaise a porteurs” sjell tingujt harmonikë nëpër ritmet e basit. Prekjet e lehta dhe akordet ngjajnë se stilizojnë tingullin e një kitare në “Idylle arabe”. Nga kjo seri pjesësh të veprës së Chaminades, pianistet Badivuku-Basha dhe Shala-Zeka kanë interpretuar edhe “Serenade d’autonome” dhe “Danse hindoue” në të cilën natyra ekzotike është më e shprehur. 

Pianistja Nezahate Shala-Zeka ka thënë se kjo vepër ka qenë me motive të pranverës dhe me melodi të tjera shoqëruese. Ka thënë se është sfiduese loja në vepra për katër duar.

“Në koncertin e sontëm u ndjeva mjaft mirë, sidomos kur kemi bashkëpunime me kolegë është kënaqësi tjetër, sepse mund ta ndash përvojën bashkë. Edhe muzikimi është më i lehtë. Veprat i kemi zgjedhur vetë paraprakisht”, ka thënë pianistja Shala-Zeka. 

Në “Pranvera në Prishtinë” të Musa Piperkut të aranzhuar nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj tingujt e lehtë kryesisht rrëfejnë, ndërsa ata bas janë përcjellja melodike. 

Bashkërisht kanë luajtur edhe katër pjesë nga vepra “Jeux d’enfants, op.22” të kompozitorit francez Georges Bizet. 

“The top” sjell një temë të thjeshtë, ndërsa te “Merry-go-round” tingujt rrotullohen në vetvete rreth atyre dominues. “Little husband, little wife” vjen si dialog i butë e ekspresiv nga dy temat, që zhvillohet njëkohësisht në piano. Butësia dhe toni melankolik lënë shumë hapësirë që të dyja meloditë ta balancojnë njëra-tjetrën në mënyrë harmonike. 

Në fund kanë interpretuar “The ball” e cila, bashkë me pjesë të tjera ngjajnë se sjellin imazhet e fëmijërisë së kompozitorit. Kjo pjesë tingëllon sikur sjell momente të lumtura dhe përmbyllet me tinguj të furishëm. 

Treshja Denita Dedushaj në piano, Nita Krajku me flaut e Malbora Krajku me klarinetë kanë interpretuar “Petite suit” nga francezi Claude Debussy. Në pjesën “En Bateau” të kësaj vepre, flauti e klarineta akordohen në tinguj paralelë derisa pianoja përcjell me ata romantikë e më intim. Instrumentet frymore zhvillojnë një lloj harmonie midis tyre. 

Në “Cortege” vija melodike shpërfaq një temë që shkon duke u përshpejtuar. Introja është pothuajse e njëjtë në secilën pjesë. Edhe në të tretën dy instrumentet frymore nisin lojën paralele në tinguj ndërsa pianoja e mban ritmin duke zhvilluar një tjetër temë. Më e ndjeshme e më romantike ka qenë në “Menuet”. Kjo avari ndryshon në të fundit – “Ballet” – ku pjesa hapet me klarinetë dhe pasojnë dy instrumentet tjera. Harmonizimi me dinamikën pështjellohen. E dyta triumfon. 

Flautistja Nita Krajku ka thënë se energjia e publikut të vëmendshëm ka ndikuar në performancën e tyre në skenë. Ka thënë se vepra ka qenë premierë për publikun në Prishtinë. 

“Kemi luajtur veprën suitë nga Debussy që realisht është për dy piano, por në këtë rast është aranzhuar për flaut, klarinetë dhe piano. Ka qenë premierë në Prishtinë. Bashkëpunimi ynë ka qenë organik, sepse e duam punën që e bëjmë dhe ftesa për pjesëmarrje në festival ka qenë e qëlluar”, ka thënë ajo, derisa bashkëpunimin me solistet Dedushaj e Krajku e veprën i ka konsideruar të veçanta. 
“Bashkëpunimi ka qenë goxha i lehtë, i përshtatshëm dhe i veçantë. Sepse vetë Debussy është goxha i veçantë, kërkues, shumë muzikal, ndryshe nga të tjerat”, ka thënë flautistja Krajku. 

Kapitulli i radhës ka qenë kombinimi jo fort i shpeshtë në muzikë klasike me piano e saksofon. Pianisti Besart Shala dhe saksofonisti Dardan Gjinolli kanë luajtur pjesët “Scaramouche”, “Modere” dhe “Braziliera” nga vepra “Scaramouche” të francezit Darius Milhaud. Tingujt e saksofonit dominojnë dhe tingëllojnë tejet improvizues. Shpesh nisen nga tingujt e ulët dhe kulmojnë duke zënë pozitë qendrore karshi pianos. 

“Valse Vanite” e kompozitorit amerikan, Rudy Wiedoeft, ka sjellë tjetër dimension duke hapur një temë melankolike. “Czardas, Pequena Czarda” nga spanjolli Pedro Iturralde ka rrjedhur si një lloj tregimi romantik. 

Saksofonisti Dardan Gjinolli ka thënë se kanë përzgjedhur vepra më atraktive dhe më të pranueshme për publikun. Sipas tij, edhe instrumenti të cilin e zotëron ka vend në muzikën klasike. 

“Janë vepra shumë të mira dhe të këndshme për vesh. Për vendet tona, në Kosovë, veçmas në Shqipëri mendojnë se saksofoni është instrumente vetëm për ahengje dhe muzikë jazz. Përkundrazi, saksofoni është instrument shumë klasik, vetëm varet se si e luajmë. Kështu që publiku ka pasur rastin ta dëgjojë një repertor shumë të mirë”, ka thënë Gjinolli. 

Edhe pianisti Besart Shala i ka konsideruar veprat atraktive. 

“Me profesorin Dardan është kënaqësi të koncertojmë, bashkëpunimi ka qenë shumë i lehtë, është profesionist i vërtetë. Kemi kaluar mirë gjatë provave, si edhe në koncert. Veprat ishin shumë atraktive’, ka thënë ai. 

Në mbrëmjes e radhës, të premten mbrëma frymën e veprave operistike ka sjellë sopranoja Ulpiana Aliaj në shoqërimin e tingujve të pianos nga sllovaku Peter Valentoviq.