Kulturë

Petrit Halilaj në Pallatin e Kristaltë me erëra dashurie e shprese

Artisti kosovar çon Pallatin e Kristaltë në Madrid, “një korb dhe uraganet që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar”. Kësisoj titullohet ekspozita e tij, ku ai gërsheton privaten dhe publiken. Zbërthen edhe histori personale tek kthen vëmendjen te ndjenjat, dashuria e shpresa. Organizuar prej Muzeut “Reina Sofia”, instalacioni i tij është një ftesë për thyerje barrierash e kufijsh

Artisti kosovar, Petrit Halilaj, ka krijuar një botë të re për ekspozitën e Muzeut “Reina Sofia” të Madridit. E ka bërë këtë nëpërmjet realizimit të skulpturave dhe intervenimit që i ka bërë “Pallatit të Kristaltë”, e ka shndërruar në një fole gjigante që lidh enterierin me ambientin e jashtëm. “Një korb dhe uraganet që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar”, e ka titulluar ekspozitën bartëse e së cilës është Muzeu “Reina Sofia”, nja tre kilometra larg objektit unik ku Halilaj shpalos artin e tij.

Për realizimin e saj, ka përdorur një gamë të gjerë elementesh përmes të cilave ka eksploruar temat, si shtëpia, kombi, dashuria dhe identiteti kulturor. Ekspozita e hapur të enjten qe planifikuar në prill të këtij viti, por u shty për shkak të pandemisë. Do të zërë vend aty deri më 28 shkurt të vitit 2021.

Petrit Halilaj për këtë ekspozitë ka hapur për herë të parë nëntë dritare në objektin e ndërtuar në vitin 1887, projektuar nga arkitekti spanjoll, Ricardo Velázquez Bosco. Ndërtesa është gati tërësisht e veshur me xhama të vendosura në korniza të hekurta në një bazë të betonit, që është e dekoruar me qeramikë. Halilaj ka krijuar një mjedis miqësor për vizitorët, por edhe për zogjtë e krijesat që jetojnë në parkun “Retiro” ose kalojnë nëpërmjet tij. Përmes hapjes së dritareve, ua ka lejuar zogjve që të hyjnë brenda objektit dhe për të njëjtit ka vendosur edhe pika ushqyese.