Kulturë

Petrit Halilaj i Kosovës që i flet botës

“Nuk kam dëshirë që të bëj një përmbledhje të vitit pasi që gjithçka e shoh si vazhdimësi”, thotë artisti me famë botërore, Petrit Halilaj, kur i kërkohet të bëjë një bilanc. Intervista me të është si një vepër arti. Lista e ekspozitave të tij nëpër botë është e gjatë. Ajo “Lule Mosmëharro” me të cilën iu rikthye vendlindjes bashkë me Alvaro Urbanon qe njëra prej tyre. Me “Very volcanic over this green feather” zbërthen kujtimet e luftës, pushtoi botën

Intervistat me artistin Petrit Halilaj asnjëherë nuk shkojnë ashtu siç mund të jetë planifikuar. I dërgohen dhjetë pyetje, merr një fotografi. Faleminderit për ndihmën! Herëve të tjera ia kërkon një citat të shkurtër dhe përfundon duke marrë një incizim zëri, a një e-mail ku me detaje tregon çdo gjë. Mos jo çdo gjë shkon ters. Pa marrë parasysh se si zhvillohet komunikimi, as shkrimi për të nuk është i zakonshëm. Halilaj e kthen atë në një vepër. Nëse ekziston diçka si shkrim gazetaresk bashkëkohor, pa dyshim do të ishin tekstet për të. Edhe për këtë intervista jo rrallë del nga pyetjet. Komunikimi zhvendoset me shkëmbim mesazhesh të shkurtra, një ditë para afatit për ta përfunduar tekstin për të.

Shumë ndjenja, një ekspozitë

Halilaj ka pushtuar mediat botërore dhe makinat e kërkimit duke e rivendosur Kosovën në botën elitare të artit me “Very volcanic over this green feather” (Shumë vullkanik mbi këtë pendë të gjelbër). Ekspozita u hap zyrtarisht të shtunën e 16 tetorit në galerinë “Tate St Ives” në St Ives të Cornwallit. Veprat e artistit 35-vjeçar nga Kostërci i Skenderajt do të qëndrojnë të ekspozuara aty deri më 16 janar, në atë që njihet si një nga galeritë më të rëndësishme britanike e madje edhe nga më të vizituarat.

Brenda ekspozitës së përkohshme Halilaj ka krijuar një pyll të dendur me fragmente nga vizatimet e adoleshencës së tij, të zmadhuara, të printuara dhe të varura nga tavani. Në hyrje, siç përshkruhet, peizazhi është ekzotik dhe tërheqës, bashkë me kafshë dhe zogj. Skenat e qeta gjatë hyrjes kthehen në skena tmerri. Një pas një dalin fragmentet, shtëpia e djegur, eksplodimi i bombave, ushtarët serbë me thika e armë dhe varre masive. Ato nuk janë kombinim i imazheve nga mediat, imagjinatës së tij dhe asaj që ai me të vërtetë ka parë.

Image
Kartolina e Petrit Halilajt për KOHËN

Ekspozita vjen si deshifrim i shikimit të 38 vizatimeve të realizuara kur ishte 13-vjeçar, refugjat në kampin e Kukësit. Vë në pah emocionet e një fëmije e që përjeton shpërnguljen me forcë nga shtëpia, dhunën dhe diskriminimin. Në atë kohë arti i shërbente si terapi dhe udhëzimet i merrte nga psikologu Giacomo Poli, të cilin të gjithë e quanin Angelo. Një njeri shumë i dashur për artistin kosovar pasi, siç thotë ai, italiani që tani ka dalë në pension pati ndikim të madh në jetën e artistit dhe ishte mbështetës i madh i zgjedhjes së tij për ta ndjekur rrugën e artit.

Halilaj dhe familja e tij u kthyen në Runik disa ditë pasi që forcat paqësore të NATO-s arritën në Kosovë në qershor të 1999-s. Shtëpia e tyre ishte shkatërruar, kështu që ata vendosën një tendë në oborr.

Kur shikon prapa, Halilaj thotë se shpreson se ekspozita t’i bëjë njerëzit të mendojnë për mënyrën se si politikanët dhe mediat e kanë paraqitur luftën.

“Edhe sot ligjbërësit në Ballkan kanë ndryshuar realitetin e luftës në Kosovë për t’u dhënë fuqi agjendave të tyre nacionaliste”, thotë ai. Tregon se i gjithë procesi i punës i ka ndihmuar që të përballet me kujtimet e veta e të kaluarën. Shkak ishte bërë Bienalja e Beogradit.

Triumfi i ëndrrave dhe i dashurisë

Halilaj në korrik të 2020-s kishte refuzuar që të marrë pjesë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Beograd. Vendimi i tij ka ardhur pas publikimit të listës së artistëve në të cilën mungonte vendlindja e artistit. Por pas komunikimit të Halilajt me organizatorët Kosova shoqërohej me fusnotë. Përmes një letre të gjatë ai më pas dha arsyet e veta. Bëri të ditur se ka vendosur që të mos marrë pjesë në Bienale pasi i ishte druajtur një keqinterpretimi të veprës së tij dhe përdorimit të saj për qëllime politike.

Kjo mospërmendje e Kosovës e kishte tronditur atë, duke vënë në pah diçka që ai kishte menduar se e kishte tejkaluar. Duke hulumtuar më pas literaturën që flet për traumat, zbuloi se është e zakonshme që të kalojnë 20 vjet para se një person të mund t’i rivizitojë ankthet e veta. Rasti me Beogradin konsistoi me një ftesë për të realizuar një ekspozitë për “Tate St Ives”. Befas ai gjeti kurajën për të rishqyrtuar vizatimet që i kishte bërë si 13-vjeçar.

“Unë nuk jam i sigurt që jam gati, por nëse mund të jem, ajo që do të doja të bëja do të ishte një rishqyrtim i vizatimeve”, kujton t’i ketë thënë ai drejtoreshës së galerisë “Tate St Ives” Anne Barlow. Gjersa koha kalonte, ai e dinte se kjo duhej bërë. Kështu mori formë ekspozita në Britani.

Halilaj (35) tregon se ishte befasuar nga ajo që kishte parë mes vizatimeve. Mes dhunës ai kishte vizatuar zogj – fazanë e pëllumba – dhe ata ishin po aq të mëdhenj sa ushtarët, po aq të lumtur e krenarë.

“Kisha shfrytëzuar pjesën më të madhe të hapësirës për të pikturuar peizazhe që më bënin të ndihesha mirë”, thotë ai, duke treguar se kjo ishte si shenjë që ani pse situata është e tmerrshme, ai mund edhe të ëndërrojë e të dashurojë.

“Gjatë procesit të realizimit të kësaj ekspozite kam studiuar se si trauma ruhet në trup, si ajo ndikohet nga veprimet tona, pa qenë ne të vetëdijshëm, por edhe se si njerëzit mund të flasin për të dhe ta kthejnë në një mjet që i afron njerëzit në vend se të krijojë një mur që i ndan”, thotë Halilaj. Tani, më shumë se njëzet vjet nga përfundimi i luftës, ai është figurë në ngritje në skenën e artit në Evropë. Ose më saktë: ka kohë që është në piedestal.

Një shtëpi me lule në vendlindje

Pas ekspozitës në Britani – e shumë ekspozitave të tjera grupore në mes – bujë pa dyshim bëri me ekspozitën e përbashkët me bashkëshortin dhe bashkëpunëtorin artistik Alvaro Urbano. Çifti vari lule nën kupolën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës gjatë “Javës së krenarisë”. Lulet masive të bardha, luleqershi e aso të ftoit ishin kopje nga buqeta e fejesës së çiftit.

“Dhe në njëfarë mënyre ky udhëtim i bukur ka qenë një nga ndalesat më të mira”, do të thoshte në hapje të ekspozitës Urbano, artisti 38-vjeçar nga Madridi. “Lule për Kosovën, këtë herë”, do të thoshte Halilaj për KOHËN. Kishte shtuar se ai dhe Urbano këto lule po i sjellin në Prishtinë “për të festuar moskonformizmin, një nxitje për një vizion për ndryshim, një ftesë për të ëndërruar, një thirrje për diversitet”.

Në të vërtetë, ekspozita “Lule Mosmëharro” ishte veçse riformatizim i asaj që në korrik të 2020-s pati një hapje spektakolare në Pallatin e Kristaltë në Madrid me titullin “Një korbi dhe uraganet që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar”. Titulli i ekspozitës rrjedh nga lulja “Myosotis”, emri i së cilës vjen nga greqishtja e vjetër (μυοσωτίς) “veshi i miut”, e që njihet edhe si lulja “Mosmëharro”. Ekspozita ishte në kërkim të lirisë e dashurisë për të gjithë. Me lulet Halilaj dëshironte që publiku të jetë në gjendje të bisedojë për dashurinë dhe miqësinë.

Pas katër muajve, kur flet për ekspozitën në Kosovë, thotë se atë ditë nën lule ishte ndier si në shtëpi për herë të parë në jetën e tij. Halilaj dhe Urbano, dy rakunët e dashuruar, bashkë me ekipin e tyre, ditët e fundit të dhjetorit i kaluan në pushime.

Si kartolinat e vjetra që dërgoheshin më herët, edhe KOHËS ia nisën një të tillë. Nuk do shumë dhe Halilaj do t’i kthehet punës.

“Nuk kam dëshirë që të bëj një përmbledhje të vitit pasi që gjithçka e shoh si vazhdimësi”, thotë ai. Për gazetarinë që mban bilancet, vazhdimi i suksesit është ajo që projektohet. Si shpresë dhe si urim.

Udhëtimi i sivjetmë i artistit

“Very volcanic over this green feathe”

Ekspozitë personale

Kuruar nga Anne Barlow

Galeria “Tate St. Ives” në Londër

16 tetor 2021 – 16 janar 2022

“Tremblements”

Kuruar nga Celia Bernasconi

“Muzeu i ri Kombëtar i Monakos” në Monako

25 nëntor 2021 – 15 maj 2022

“Kaunas Biennial”

Kuruar nga Josée Drouin-Brisebois

Lituani

12 nëntor 2021 – 20 shkurt 2022

“The point of sculpture”

Kuruar nga David Bestue dhe Martina Milla

Fondacioni “Joan Miro”, Barcelonë

14 tetor 2021 – 6 mars 2022

“Mother!”

Muzeu i Artit Modern “Louisiana” në Danimarkë

6 prill – 29 gusht 2021

Muzeu “Kunsthalle Mannheim”

1 tetor 2021 – 6 shkurt 2022

K60

“Wilhem Hallen” në Berlin

5 shtator – 19 shtator 2021

“In the Pupil of the Panther”

Kuruar nga Magnus af Petersens

“Lunds Konsthall”, Suedi

5 shtator 2021 - 14 nëntor 2021

“Flowers in Art”

Muzeu “Arken”, Kopenhagë

4 shtator 2021 - 9 janar 2022

“How Long is Now?”

Kuruar nga Orly Rabi dhe Mira Lapidot

Muzeu i Izraelit, Jerusalem

4 shtator 2021 – 15 qershor 2020

“Lule Mosmëharro”

Ekspozitë personale

Në kuadër të “Autostrada Biennale”

Kuruar nga Övül Ö. Durmuşoğlu

dhe Joanna Warsza

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Prishtinë

1 korrik – 11 shtator 2021

“EVROVIZION. Crossing Stories and Spaces”

Ekspozitë udhëtuese

Organizuar nga “Institut für Auslandsbeziehungen”

Kuruar nga Sabina Klemm dhe Sanja Kojić Mladenov

Muzeu Historik i Bosnjë-Hercegovinës, Sarajevë

26 nëntor 2021 – 27 shkurt 2022

“Diversity United”

Kuruar nga Bernard Blistène, Candida Gertler,

Christina Lange, Hermann Parzinger,

Mikhail Piotrovsky dhe Peter Weibel

Aeroporti “Tempelhof”, Berlin

9 qershor – 19 shtator 2021

“Jardín satélite”

Kuruar nga Gilberto Gonzalez dhe Silvia Navarro

“Tenerife Espacio de las Artes”, Spanjë

2 korrik – 12 shtator 2021

Image
“Lule Mosmëharro” nga Petrit Halilaj e Alvaro Urbano, e hapur më 30 qershor 2021, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës (Foto: Driton Paçarada)