“Ishte pak si një shaka, pjesërisht utopike. Ai tha: ‘Oh, ndoshta mund të bëj diçka për këtë. ‘Aeroméxico’ mbështet mjaft shumë Muzeun Tamay. Unë vij nga Evropa Lindore, dhe në Ballkan gjërat e logjikshme janë të pamundura, por ëndrrat e mëdha mund të bëhen realitet”, thotë Petrit Halilaj kur flet për veprën e tij në aeroplanin e kompanisë ajrore “Aeroméxico”, e cila fluturon përderisa ekspozita e tij “Runik” vazhdon të jetë e hapur në Mexico City
Mexico City, 27 shkurt (ARTNews) – Nëse keni fatin që të udhëtoni me kompaninë ajrore “Aeroméxico”, mund ta gjeni veten në një avion që bart më vete një vepër arti. Piktura, e cila shfaqet në pjesën anësore të aeroplanit, paraqet një pulë që duket se fluturon kur aeroplani niset, ndërsa “Nga Runiku me dashuri” lexohet teksti në shqip, që është shkruar në trupin e aeroplanit.
Artisti prapa kësaj vepre është Petrit Halilaj, artisti i ri kosovar që mbetet një sensacion, me instalacionet e mëdha të tij që shfaqen nëpër bienale dhe muze në të gjithë Evropën. Halilaj nuk ka qenë kurrë një person që ndjek rregullat e vendosura nga institucionet – një herë shpërndau fondet nga Bienalja e Berlinit për të ndërtuar një shtëpi të re për familjen e tij – kështu që ka kuptim që ekspozita e tij e parë në Amerikën Latine ekziston jo vetëm brenda mureve të muzeut, por edhe në formë aeroplani që udhëton nëpër botë.

Tani, mund të udhëtoni me atë aeroplan “Aeroméxico” në Mexico City, ku, në Muzeun Tamayo, Halilaj po bën diçka me një analizë të karrierës. Ekspozita përfshin një gamë të veprave të artit që dëshmojnë për stilet e ndryshme të tij: skulptura gjigante lulesh, avatarë që ngjasojnë me shpendët, e këmbë pulash më të mëdha se vetë jeta. Të gjitha janë vendosur brenda atriumit ikonik të Muzeut Tamayo, i cili, si arti i Halilajt, bën ndarjen midis paqartësive natyrale dhe atyre industriale.
I gjithë arti që Halilaj prodhon ka një energji fantastike, sikur nuk mund të jetë i vendosur në universin tonë. Por kur Halilaj fliste këtë javë nga apartamenti i tij në Berlin përmes “Zoomit”, bëhej e dukshme se arti i tij është thjesht një pasqyrë e botës së tij. Muret e tij ishin mbuluar me bimë të gjelbra, dhe ai fliste për kënaqësinë e mbajtjes së 12 kanarinave brenda shtëpisë gjatë karantinës.
“Unë vërtet besoj në përhumbjen e idesë se çfarë është jeta dhe ç‘mund të jetë vepra”, tha ai me një buzëqeshje. “Dihet, disa nga projektet e mia e kanë bërë jetën time më të mirë”.
Për të mësuar më shumë për ekspozitën në Muzeun Tamayo, “ARTnews” bisedoi me Halilajn, i cili gjithashtu është gati të përgatisë një vepër në katin e sipërm për Muzeun Metropolitan të Arteve në New York.

ARTnews: Arkitektura e Muzeut Tamayo, i cili ndodhet në Parkun Chapultepec të Meksikos, ka një histori të pasur. Sa e morët në konsideratë këtë fakt gjatë realizimit të kësaj ekspozite?
Halilaj: Më duhej vërtet ta njihja hapësirën. Më duhej të dija qëllimin e [artistit Rufino Tamayo, themeluesit të muzeut], se si muzeu kishte një identitet të tij të vetin, se si lidhej Meksika me zërat ndërkombëtarë. Njohja e hapësirës, e kafshëve, e qenve në park, zogjve – ishte shumë e rëndësishme. Ka një marrëdhënie të pashembullt midis brendisë dhe hapësirës së jashtme, midis natyrës dhe veprave nga dora e njeriut që po përhumben. Isha shumë i entuziazmuar kur drejtoresha e muzeut [Magalí Arriola] më tha se dikush vendos lule çdo javë në oborr. Ajo nuk e ka parë se kush i vendos këto lule, sepse ndodh gjatë fundjavës. Unë mendoja: Wow! Dhe nuk doja ta dija, as unë. Ndoshta është një nga rojat ose dikush nga njerëzit që punojnë në depot e muzeut.
ARTnews: Keni medituar shpesh mbi idenë se çfarë e krijon një shtëpi, dhe më të vërtetë ekspozita në Tamayo përfshin madje një skulpturë që synon të replikojë strukturën e shtëpisë së familjes suaj në Kosovë.
Halilaj: José [Esparza Chong Cuy, kuratori i ekspozitës] dhe unë filluam të flisnim për dallimin midis një shtëpie si objekt dhe një shtëpie si entitet. Këtu shfaqet vështirësia ime për të hyrë në Meksikë. Nuk munda të aplikoj për një vizë, sepse Meksika nuk ka marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Nuk kam mundur të shkoj në Meksikë për shumë vjet – vetëm kur mora një pasaportë italiane përmes Álvaro (Urbano, artisti me të cilin Halilaj është i martuar). Kur më në fund mora pasaportën, ne vendosëm të bënim muajin e mjaltit në Meksikë. Magali na bëri turin e hapësirës dhe na ftoi të bënim ekspozitën. Po imagjinoja tashmë pulat dhe çdo detaj të ekspozitës. Më pyeti, “A po të pëlqen hapësira?” Dhe unë ia ktheva: “Po e dashuroj”. Cytja ime e parë ishte të vendosja pula dhe kafshë të tjera rreth muzeut dhe të hapja kopshtin. Por për shkak të koleksionit, kjo nuk ishte e mundur.
ARTnews: Ekspozita titullohet “Runik”, sipas një vendbanimi neolitik në Kosovë, të cilin ju e keni trajtuar disa herë në artin tuaj. Publiku meksikan, ndoshta, nuk ka asnjë lidhje me historinë e Runikut. A ju shqetëson kjo?
Halilaj: Titulli i ekspozitës i referohet një vendi të saktë në kohë dhe hapësirë gjeografike, që është aq larg sa mund të bëhet një tokë e imagjinuar. Njëzet e nëntë për qind e vizitorëve nuk kanë dëgjuar kurrë për të. Gjithashtu, Meksika, si shumë vende të tjera në botë, nuk e njeh Kosovën. E dija se shqiptarët nga Kosova nuk do të vinin në ekspozitë, sepse nuk mund të hynin.

ARTnews: Si u realizua komisionimi i “Aeroméxico”?
Halilaj: Që nga fillimi doja të bëja diçka që nuk ishte në muze. Isha i lumtur që pata mundësinë të integroja peshqit meksikanë të Pierre Huyghe [pjesë e një vepre të përhershme në muze] – zakonisht, artistët e tjerë e mbyllnin atë pjesë gjatë ekspozitave të tyre. Por unë po flisja me José dhe i thosha: “Nuk mund të besoj se askush nuk mund të vijë nga Kosova për të parë ekspozitën time. Ndoshta duhet të dërgoni një fluturim të “Aeroméxicos” në Kosovë një herë, pastaj ta sillni përsëri”. Ishte pak si një shaka, pjesërisht utopike. Ai tha: “Oh, ndoshta mund të bëj diçka për këtë. ‘Aeroméxico’ mbështet mjaft shumë Muzeun Tamayo”. Unë vij nga Evropa Lindore, dhe në Ballkan gjërat e logjikshme janë të pamundura, por ëndrrat e mëdha mund të bëhen realitet. Kështu, e kuptova atë logjikë. Biseda u bë një takim. Ai takimi u bë një bisedë tjetër, dhe njerëzit nga “Aeroméxico” e pranuan si ide.
Përdora të njëjtën teknikë sikur disa vizatime që kisha bërë si fëmijë në një kamp refugjatësh. I kujtoj pulat si miqtë e mi. Dëshiroja të dija se çfarë do të thotë kur njerëzit në një aeroplan mund të fluturojnë me një vepër arti, por gjithashtu dëshiroja të bëja pyetje lidhur me emigracionin dhe kush mund të fluturojë dhe kush mund të kalojë kufijtë. Më pëlqen ideja që krahët e saj zhduken duke u përfshirë në krahun e aeroplanit dhe që shkrimi është në shqip.
ARTnews: Është e qartë që zogjtë shfaqen si simbol për ju, siç kanë bërë për më shumë se një dekadë në artin tuaj. A ndieni se kuptimi i tyre ka ndryshuar për ju gjatë viteve?
Halilaj: Ka ndryshuar shumë. Doja të luaja me këtë idenë e shtëpisë si një vend i mbrojtjes, por edhe si një vend imagjinate. Të gjitha ndjenjat e mia për zogjtë janë të bashkuara në këtë ekspozitë.
ARTnews: Për hapjen në nëntor ke veshur një kostum zogu, diçka që keni bërë disa herë më parë. Si ishte reagimi ndaj asaj?
Halilaj: Ai kostum është vërtet i rëndësishëm për mua me gjithçka që po ndodh. Ndihem më rehat si një zog sesa si një qenie njerëzore. Ne duhet të mësojmë si të riformulojmë hapësirën publike dhe marrëdhëniet gjeopolitike. Është një gjë që lëviz pa pushim dhe zogu vërtet më ka shpëtuar nga kjo ide dhe mendimet për të.
Marrë nga “ARTnews”. Përktheu: Enis Bytyqi. Titulli është i Redaksisë