Lulet e Petrit Halilajt e Álvaro Urbanos, që shkojnë përtej një simboli dashurie, do të ekspozohen në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ekspozita që u hap në kryeqendra botërore, në monumentin e veçantë me nëntëdhjetë e nëntë kupola, sipas Halilajt, është një festim i jokonformizmit, nxitje e vizionit për ndryshim, ftesë për të ëndërruar e thirrje për diversitet. “Lule për Kosovën, këtë herë”, ka thënë Halilaj për KOHËN në lidhje me ekspozitën, e cila në Kosovë vjen me titullin “Lule mos më harro”
Artisti Petrit Halilaj, gati dhjetë ditë më parë dha shenja për projektin e tij të ri, por nuk jepte detaje. Insistonte se krejt atë do ta shpaloste një javë më vonë. Nuk u është përmbajtur emocioneve as të enjten kur bëri të ditur emrin e projektit.
“Lule mos më harro” është titulli i ekspozitës së tij të re, që do ta sjellë në Prishtinë. Ka qenë fillimisht “Autostrada Biennale” që e dha lajmin.
“Ky është titulli i ekspozitës, por edhe emër i lules”, ka thënë Halilaj. Në fakt bëhet fjalë për riformatizim të asaj që në korrik të vitit të kaluar pati një hapje spektakolare në Pallatin e Kristaltë në Madrid. Në tetorin e atij viti u hap njëkohësisht në “Quadriennale di Roma” dhe në “Berghain” në Berlin.
Lulet e Petrit Halilajt dhe Álvaro Urbanos do të ekspozohen nën kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, prej ditës së fundit të qershorit. Të punuara në madhësi gjigante nga një kornizë delikate e çeliktë dhe me pëlhurë të ngjyrosur, ato ngërthejnë në vete historitë personale dhe lidhjen e dy artistëve me njeri-tjetrin. Mes luleve është zambaku i dhuruar për propozimin e martesës – për dasmën që ishte paraparë të ishte organizuar vitin e kaluar në Spanjë – lulja “Mos më harro” (lule e bardhë), lulet e ftoit të dhuruara gjatë karantinës, luleqershia, nga një pemë e mbjellë jashtë shtëpisë së tyre në Berlin.
Titulli i ekspozitës rrjedh nga lulja “Myosotis”, emri i së cilës vjen nga greqishtja e lashtë (μυοσωτίς) apo (veshi i miut), në hemisferën veriore njihet si “Mos më harro”.
“Lule për Kosovën, këtë herë”, ka thënë Halilaj për KOHËN. Ka shtuar se ai dhe Urbano këto lule po i sjellin në Prishtinë “për të festuar moskonformizmin, një nxitje për një vizion për ndryshim, një ftesë për të ëndërruar, një thirrje për diversitet”.
Ekspozita “Lule mos më harro” do të hapet në kuadër të edicionit të tretë të “Autostrada Biennale” në bashkëpunim me BKK-në, “Manifesta 14”, si dhe do të shënojë edicionin e 5-të të Javës së Krenarisë në Kosovë. Në komunikatën për media të “Autostrada Biennales” është shkruar se këto lule gjithashtu shërbejnë si përkufizuese të potencialit që kujtesa personale mbart më vete për ta rishkruar gradualisht kujtesën kolektive.
“Lulet e prezantuara mishërojnë format e dashurisë, dëshirat seksuale, intimitetin, lidhjet, dhe identitetin, në përgjithësi, e sidomos të atyre që janë vazhdimisht të lënë, e të lëna anash, apo të shtypur, e të shtypura nga politikat dhe normat regresive të krijuara nga shoqëria”, është shkruar aty. Kuratoret e bienales, e cila sivjet shënon edicionin e tretë, Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu, citohen të kenë thënë se arti i thërret dëshirës për transformim të thellë në shoqëri, dhe mundëson aty krijimin e lidhjeve mes pikëpamjeve të ndryshme. “Jemi jashtëzakonisht të lumtura që po prezantojmë instalacionin e Petrit Halilajt dhe Álvaro Urbanos, një instalacion që me një ndjeshmëri të veçantë u jep dëshirave dhe nevojave të njeriut një formë poetike e plotë imagjinatë”, janë cituar Warsza dhe Durmuşoğlu.
Në komunikatë është bërë e ditur se ekspozita mbështet kampanjën qytetare për të drejta të barabarta në Kosovë, veçanërisht për komunitetin LGBTQI+, fushatë kjo që kërkon nga hartuesit e Kodit të ri Civil të përfshijnë aty të drejtën e martesës mes personave të gjinive të njëjta, si dhe mes personave të gjinive joheteronormative, duke fuqizuar kësisoj fushatën me bukuri lulesh - që tanimë është bërë edhe imazhi i kësaj kauze.

Petrit Halilaj e Álvaro Urbano, historinë e tyre nëpërmjet artit e zbërthyen në ekspozitën e Madritit, e cila për titull kishte “Një korbi dhe uraganet që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar”, e hapur më 16 korrik. Atëherë për KOHËN, Halilaj kishte treguar se frymëzimi fillestar për lulet kishte ardhur nga një histori personale, kremtimi i lidhjes së tij me artistin Álvaro Urbano.
“Në fakt, ekspozita flet për shtigjet e rënda dhe shpeshherë dramatike që duhet t’i ndjekim për të arritur te pika ku mund ta dashurosh dikë, për ta ndier njohjen e dashurisë sonë, së pari nga vetë ne dhe pastaj nga familja dhe miqtë dhe më pas nga e gjithë shoqëria”, kishte thënë ai për ekspozitën që hapi dyert e Pallatit të Kristaltë pas mbylljes për shkak të pandemisë. Ekspozita qëndroi aty deri në shkurtin e sivjetmë.
Të njëjtat lule ishin paraqitur edhe në “Palazzo delle Esposizioni”, që shërben si hapësirë ekspozuese, qendër kulturore dhe njëkohësisht edhe muze në Romë. Objekti i ndërtuar në vitin 1883 ishte nikoqir i “Quadriennale di Roma”, që nisi më 29 tetor dhe përfundoi më 17 janar të këtij viti. Në Berlin, nikoqir ishte klubi “Berghain”, që ndryshe konsiderohet edhe tempulli i teknos.
Petrit Halilaj u lind në Kostërc, në vitin 1986, ndërsa u rrit në mes të Italisë e Kosovës. Álvaro Urbano ka lindur në vitin 1983 në Madrid të Spanjë. Dy artistët jetojnë e veprojnë në Berlin.