Në kohën kur vendi po përjeton një valë të re të kinematografisë e të sukseseve, KOHA ka biseduar me kineastë e njohës të botës së filmit, që zbërthejnë rrugëtimin që ka marrë arti i shtatë, sukseset e fundit dhe çfarë duhet bërë tash e tutje. Sipas tyre, detyrat kryesore bien mbi qeverinë në ardhje
Dy javët e para të këtij muaji e kanë ndryshuar rrjedhën e kinematografisë në vend. Më 3 shkurt, “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, me tre trofe bëri histori në “Sundance Film Festival”. Katër ditë me vonë, “Në kërkim të Venerës”, nën regji të Norika Sefës, u bë i pari një projekt nga Kosova që përfshihet dhe shpërblehet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam. E pas tri ditëve, në listën e ngushtë të “Academy Awards” u përshinë edhe dy filma me tre aktorë nga Kosova. Bëhet fjalë për “The Van”, nën regji të Erenik Beqirit nga Shqipëria, ku luajnë aktorët nga Kosova, Arben Bajraktaraj dhe Afrim Muçaj. Filmi vazhdon garën në kategorinë e filmit të shkurtër. Ndërsa filmi boshnjak “Quo vadis, Aida?”, nën regji të Jasmila Zhbaniqit, ku luan aktori Alban Ukaj, është në listë të ngushtë në kategorinë për filmin më të mirë ndërkombëtar.
Në kohën kur vendi po përjeton një valë të re të kinematografisë e të sukseseve, KOHA ka biseduar me kineastë e njohës të botës së filmit, që zbërthejnë rrugëtimin që ka marrë kinematografia vendore, sukseset e fundit dhe çfarë duhet bërë tash e tutje. Sipas tyre, detyrat kryesore bien mbi qeverinë në ardhje.
Shansi e sukseset që duhen shfrytëzuar
“Kineastët tanë kanë nevojë të ndiejnë mbështetjen nga shteti në forma të ndryshme”, ka thënë Veton Nurkollari. Sipas tij, kineastët duhet të udhëtojnë lirshëm në festivale të ndryshme dhe jo domosdoshmërisht vetëm atëherë kur kanë filma. Thotë se me këtë çështje duhet të merret kushdo që formon qeverinë e re.
Norkollari është drejtor artistik i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar “DokuFest”, kryengjarjes së filmit në vend, e që dita-ditës po radhitet në mesin e festivaleve me nam në Evropë. Nuk ka si të ndodhë tjetër kur filmat e edicionit XIX, që u mbajt në gusht të vitit të kaluar – “The Van” që ishte në garë kategorinë e filmit të shkurtër ndërkombëtar, “Collective” nën regji të Alexander Nanau që ishte në kategorinë “Truth” dhe “The Mole Agent” nën regji të Maite Alberdi që ishte në kategorinë “View From the World” – janë në listën e ngushtë për “Oscars” 2021.
Nurkollari ka thënë se suksesi i fundit i filmave dhe filmbërësve nga Kosova mund dhe duhet të përdoret në promovimin e mëtejmë të kinematografisë kosovare dhe rrjedhimisht edhe shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, pas sukseseve të fundit do të ketë një interesim të shtuar në një të ardhme të afërt për kinemanë kosovare dhe Kosovën në përgjithësi dhe kjo duhet të përdoret sa më mirë. Për të, esenciale është rritja e buxhetit për kinematografi dhe mbështetja e festivaleve të filmit në Kosovë.
“Sepse aty shfaqen shumica e filmave për herë të parë në Kosovë dhe aty ndodhin kontaktet e para dhe në shumicën e rasteve më të rëndësishme për kineastët, prandaj suksesi i festivaleve garanton edhe suksesin e kineastëve në të ardhmen”, ka thënë ai.
“Bota po flet për kinemanë kosovare”
Regjisori Isa Qosja thotë se suksesi i Kosovës është i pashmangshëm.
“Është kinematografia ajo që po e trand këtë rajon. Uroj që të mendojmë njëherë mbarë e mirë! Bota po flet për kinemanë kosovare”, ka thënë Qosja.
E producenti Yll Uka ka thënë se filmat kosovarë kanë shënuar suksese të shumta në këto vitet e fundit dhe e gjithë bota i ka sytë nga Kosova, se çfarë është duke prodhuar e çfarë filmash po sjell.
“Edhe pse me një buxhet shumë, shumë, të ulët, ne e kemi bërë punën tonë kemi treguar se dimë se si të bëjmë filma, se mund të prodhojmë filma të mirë dhe mund ta konkurrojmë botën me filma”, ka theksuar Uka, njëri nga producentët e filmit “Zgjoi”.
Isa Qosja: “Është kinematografia ajo që po e trand këtë rajon. Uroj që të mendojmë njëherë mbarë e mirë! Bota po flet për kinemanë kosovare”.
“Kosova në një valë të valë të re të kinematografisë”
Samir Karahoda, kinematograf, tutor dhe kurator i programit të filmit të shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar, “DokuFest”, ka thënë se sukseset e fundit në kinematografinë e vendit do ta ndryshojnë edhe perceptimin e selektorëve të festivaleve ndaj filmit kosovar.
“Për momentin, Kosova është duke përjetuar një valë të re të kinematografisë. Krahasuar me numrin e filmave të prodhuar dhe shumat e ndara, suksesi mund të konsiderohet jashtëzakonisht i madh”, ka thënë ai. Sipas tij, për këtë arsye, pasi që vendi është një valë të re, fokusi i institucioneve duhet të përqendrohet në prodhimin edhe më të madh të filmave dhe përkrahjen e kineastëve të rinj.
Karahoda ka thënë se Kosova ka shumë tema të patrajtuara për dallim nga vendet e tjera.
“Për këtë arsye mendoj që duhet shfrytëzuar këtë momentum dhe të gjenden metodat më kreative dhe më efektive për rritjen e numrit të prodhimeve filmike në vend”, ka thënë ai.
“’Zgjoi’ e ka një të ardhme edhe më të rëndësishme. Jam i bindur që ai do t’ia sjellë ‘Oscarin’ e parë Kosovës”
Zanafilla e “Survival Generation”
Edhe aktori Arben Bajraktaraj – që ka rolin e babait në filmin “The Van”, me temën e emigrimit në fokus – ka thënë se beson që vendi është në zanafillë të një rryme të re. “Survival Generation”, e ka quajtur ai.
“Që ka shumë degëzime, por që vërteton se krijimet e mirëfillta herët a vonë japin frytet e veta dhe njihen si të tilla”, ka vazhduar tutje sqarimin e këtij emërtimi.
Sipas tij, ndikimet për këto suksese janë të shumta, ngase vijnë nga rrugëtime të ndryshme.
“Por, edhe përvojat tona jetësore dhe artistike duke qenë të shumëllojshme i japin pasuri dhe çka është më e rëndësishmja vërtetësi krijimeve filmike. Askush s’të mbështet se i ke sytë e bukur, por vetëm nëse ke cilësi dhe diçka thelbësore për të treguar”, ka thënë ai.
Samir Karahoda: “Për momentin, Kosova është duke përjetuar një valë të re të kinematografisë. Krahasuar me numrin e filmave të prodhuar dhe shumat e ndara, suksesi mund te konsiderohet jashtëzakonisht i madh”.
Se origjinaliteti dhe mënyra e jetesës në Kosovë kanë mundësi që të jenë përbërës sekretë, e dëshmojnë mjaft mirë filmat.
Blerta Basholli e ka shkruar skenarin e “Zgjoit”, duke u bazuar në 22 vjetët e jetës së krushianes Fahrije Hoti. Pas zhdukjes së burrit në luftën e fundit në Kosovë, asaj i duhet që të nisë punën dhe të kujdeset për familjen e saj (dy fëmijët dhe vjehrrin). Përballë skamjes, Hotit i mbetet rrugëdalje e vetme të punojë, ani pse paragjykimet ndaj saj nuk ndalen nga rrethi patriarkal. I gjithë fshati flet për të.
Edhe te filmi tjetër, “Në kërkim të Venerës”, personazhi kryesor është nën trysninë e të e të qenët një grua e mbarë. Venera (të cilën e luan Kosovare Krasniqi), jeton në një shtëpi ku konfliktet në mes të tri gjeneratave janë të pashmangshme, pasi ndajnë të njëjtën hapësirë. Adoleshentja, që është në kërkim të individualitetit, ka shumë pak mundësi zgjedhjeje.
Yll Uka: “Ka qenë vetëm festivali i parë, e ky film e ka jetën përpara dhe presim që do të shkojë në shumë festivale të tjera, të korrë edhe shumë suksese të tjera. Shpresojmë deri në ‘Oscars’, pasi veç kemi filluar të punojmë në atë drejtim, por edhe për festivale të tjera, distribuim dhe shitje të filmit”.
Hapat e domosdoshëm
Sipas Arben Bajraktarajt, i cili jeton e punon në Paris – i njohur për publikun ndërkombëtar edhe për filmat “Harry Potter and the Order of the Phoenix” (2007), “Taken” (2008), “Harry Potter and the Deathly Hallows” (2010) – janë disa gjëra që mund të bëhen me pak më shumë kujdes dhe vëmendje, ose “me dy fije mend, siç thotë populli”. Ka numëruar disa prej tyre, si rritja e buxhetit, mbështetja e filmave edhe nga komuna, krijimi i një platforme gjithëshqiptare, ani pse jo me fuqinë e “Netflixit”.
Por, kryesorja për kineastët është rritja e buxhetit.
“Elementarja: mbështetja financiare. Jo më lëmoshë, por me përkrahje serioze në kulturën kinematografike. Unë mendoj që kineastët kosovarë e kanë një mbështetje goxha të rëndësishme në Qendrën Kinematografike dhe kjo është ajo e duhura”, ka thënë regjisori Isa Qosja.
Regjisori Ismet Sijarina ka thënë se institucionet relevante nuk duhet t’i marrin si të mirëqena sukseset e filmit kosovar në vitet e fundit, të cilat kulmuan me çmime.
“Politikat e tyre duhet të shkojnë rreth përkrahjes serioze të artistëve të filmit dhe QKK-së, duke filluar nga rritja e buxhetit e deri të lehtësirat e tjera të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në realizimin e një projekti filmik”, ka thënë ai. Sipas tij, duhet punë e madhe në promovimin e filmave, si në rrafshin lokal, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
“Përndryshe, vështirë që artistët të vetëm do ta mbajnë në shpinë për një kohë të gjatë përgjegjësinë e promovimit kulturor të vendit tonë”, ka theksuar ai.
E për kinematografin Samir Karahoda, primare është edhe votimi i ligjit të ri për kinematografinë. Sipas tij, diçka tjetër që vërehet si problem është edhe mosnënshkrimi i marrëveshjeve të Ministrisë së Kulturës me shtetet e tjera për bashkëprodhim të filmit.
“Për momentin, Kosova ka marrëveshje vetëm me 5-6 shtete, edhe ato janë shumica nga rajoni. Pra, nëse një projekt do që të bëjë një bashkëprodhim me një shtet tjetër nëpërmjet qendrave kinematografike, kushti i parë është që të kenë marrëveshje shtetërore nëpërmjet ministrive”, ka thënë ai. Ka treguar se kjo ndikon automatikisht që projektet kosovare të mos kenë mundësi të sjellin fonde nga jashtë, rritje të buxheteve të filmit e njëkohësisht edhe bashkëpunime ndërkombëtare.
Arben Bajraktaraj: “Edhe përvojat tona jetësore dhe artistike duke qenë të shumëllojshme i japin pasuri dhe çka është më e rëndësishmja vërtetësi krijimeve filmike”
Sipas producentit Yll Uka, është radha që Qeveria t’i kthejë sytë nga kultura.
“Të na mbështesë seriozisht dhe jo me kësi shuma shumë, shumë, të vogla”, ka thënë ai. Përveç mbështetjes financiare, ka theksuar se duhet punuar në pranimin e Kosovës nëpër organizata evropiane e botërore të filmit, si “Euroimage” në të cilën tashmë Kosova ka aplikuar.
“E, po ashtu, është me rëndësi edhe lidhja e marrëveshjeve për bashkëproduksion me vendet të ndryshme, pasi ne kemi shumë barriera juridike dhe shumë probleme”, ka thënë ai, duke shpresuar se qeveria e re do ta marrë më seriozisht komunitetin kulturor. Por, është kthyer te kalimi i ligjit për kinematografinë.
“Kemi punuar qe disa vite në drafte të ndryshme me qeveri të ndryshme, por kur ka ardhur koha që të shkohet në parlament, kanë rënë qeveritë. Ky ndryshim i qeverive na ka dëmtuar shumë dhe ligji nuk ka ecur përpara. Shpresoj që kushdo që vjen si ministër i kulturës në të ardhmen e afërt ta shtyjë përpara këtë ligj të kinematografisë”, ka thënë ai.
Mundësia për “Oscarin” e parë të Kosovës
Producenti Yll Uka, gjersa ka biseduar për suksesin e filmit “Zgjoi”, ka theksuar se ky është vetëm një fillim i mbarë i këtij filmi, të cilin e pret një rrugë e suksesshme.
“Ka qenë vetëm festivali i parë e ky film e ka jetën përpara dhe presim që do të shkojë në shumë festivale të tjera, të korrë edhe shumë suksese të tjera. Shpresojmë deri në ‘Oscars’, pasi veç kemi filluar të punojmë në atë drejtim, por edhe për festivale të tjera, distribuim dhe shitje të filmit”, ka thënë ai.
Kur flet për sukseset e fundit në kinematografi, regjisori Isa Qosja veçon filmin “Zgjoi”.
“Është fillimi i një suksesi më të madh që do të vijë shumë shpejt dhe ne nuk duhet të kënaqemi me kaq, sepse filmi ‘Zgjoi’ e ka një të ardhme edhe më të rëndësishme. Jam i bindur që ai do t’ia sjellë ‘Oscarin’ e parë Kosovës. Blerta e ka bërë lëvizjen e saj, tani është radha te produktorët dhe institucionet përkatëse ta bëjnë angazhimin e duhur, në mënyrë që filmi ta bëjë pjesën tjetër të jetës së vet”, ka thënë ai. Sipas tij, duhet një angazhim shtesë në fushatën e filmit për “Oscar”.
“Angazhim ky edhe në nivel individësh dhe institucionesh, por edhe në nivel financiar. Do të ishte marri e paskajshme me e humbë këtë shans marramendës për formalitete. Filmi është ai i duhuri për çmimin më të lartë, qoftë tematikisht, qoftë artistikisht. Për këtë jam i sigurt. Atëherë çka presim..?!!”, ka thënë ai. Sipas tij, ky sukses nuk duhet parë vetëm si sukses artistik dhe Kosova duhet të angazhohet seriozisht në çdo nivel që çmimi i radhës të jetë ai i aulës “Kodak” në Hollywood. E, sa i përket regjisores, ka thënë se duhet t’i akordohet një buxhet i sigurt për projektin e ardhshëm. Sipas Qosjes, institucionet e Kosovës duhet të mendojnë mirë se kush po ia sjell këtij shteti namin kulturor nga bota. Nuk do shumë hamendje – kultura.