Kulturë

Pesë shekujt e “Bodrumit të Auerbachut” dhe fama nga Fausti i Goethes

“Auerbachs Keller” në Leipzig është një nga restorantet më të famshme në botë

“Auerbachs Keller” në Leipzig është një nga restorantet më të famshme në botë

Teologu Martin Luther, kompozitori Robert Schumann dhe shkrimtari Johann Wolfgang von Goethe kanë qenë në lokalin legjendar “Auerbachs Keller”. Por ka shumë kapituj që e shoqërojnë historinë e tij. Njëri prej tyre – ai se si shkrimtari i madh gjerman u frymëzua për dramën “Fausti”. Në skenën që zhvillohet në “Auerbachs Keller”, Mefistofeli bën marifetet e veta. Ai do ta fusë mësuesin plak e melankolik Faust, “në një shoqëri gazmore”

“Auerbachs Keller” (Bodrumi i Auerbachut) është një nga restorantet më të famshme në botë. Çdo vit këtu konsumohen 36.000 role me mish viçi, shërbehen 90.000 litra birrë dhe po e njëjta sasi vere. “Ne kemi rreth 300.000 klientë në vit, shumë prej tyre vijnë nga jashtë”, thotë Tanja Pieper, zëdhënëse dhe ambasadore e jubileut të restorantit. Por më mbresëlënës se të gjitha këto shifra është fakti se poeti Johann Wolfgang von Goethe u frymëzua këtu para 250 vjetësh për të shkruar dramën e tij të famshme “Faust”. Një skenë në librin e tij zhvillohet në “Auerbachs Keller”, i cili tërheq ende sot në Leipzig admirues të Goethes nga e gjithë bota.

Ta festosh 500-vjetorin si Goethe

Gjatë sezonit të Pashkëve të vitit 1525 mjeku dhe profesori i universitetit nga Leipzigu, Heinrich Stromer von Auerbach, u shërbeu për herë të parë studentëve verë në bodrumin e tij. Ai ishte mik me Martin Lutherin. Kështu që edhe reformatori i kishës Lutheri në fillim të shekullit të 16-të e frekuentonte lokalin “Auerbachs Keller”, ku edhe fshihej herë pas here nga armiqtë e tij.
Këtë vit, periudha e Pashkëve shënon kulmin e festimeve të 500-vjetorit. Këtu bën pjesë, si të themi edhe sofra e madhe: “Këtë e kemi kopjuar nga Goethe, ka një ‘schlampamp’ një gosti me të ngrënë e me të pirë me shoqëri të madhe. Ne festojmë në tavolina të gjata si në kohët e vjetra”, thotë Tanja Pieper për DW-në. Shërbehet në dërrasa dhe në tasa si në shekullin e 18-të.

Enterieri plot art dhe afreske i “Auerbachs Keller”

Lidhja e “Faustit” me “Auerbachun”

Drama e Goethes ka në qendër mësuesin e plakur e melankolik Heinrich Faust, i cili ia shet shpirtin Mefistofelit, djallit. I kthyer me magji në një djalë të ri, Fausti pushtohet nga një dëshirë e re për jetën. Por Mefistofeli vazhdon të ketë ndikim, për shembull kur Fausti josh dhe lë shtatzënë të renë Margarete (Gretchen). Nga dëshpërimi ajo vret fëmijën e saj jashtëmartesor, arrestohet dhe pret në burg shpëtimin e Zotit.

Edhe në skenën, që zhvillohet në “Auerbachs Keller”, Mefistofeli bën marifetet e veta. Ai do ta fusë Faustin “në një shoqëri gazmore”. Para syve të disa pijanecëve, ai krijon verë të shijshme dhe më vonë del nga bodrumi duke fluturuar mbi një fuçi. Sot në bodrumin e restorantit, nëntë metra nën tokë, zhvillohet një event shumë i preferuar, e ashtuquajtura “ceremonia e bodrumit të fuçive të verës”.

Aktori Hartmut Müller i shoqëron prej 30 vjetësh vizitorët në një rrugëtim kulturo-historik. Si “mjeshtër i bodrumit të fuçive” ai u rrëfen atyre historinë, ndërsa kalojnë nën harqet e shumta të ndërtesës.

Ceremonia e bodrumit të fuçive të verës

Qemerët e bodrumit janë të ilustruar me skena legjendare. Në bodrumin e fuçive të verës shërbehen ushqimi dhe pijet. “Në një orë të vonë përmes një dere të veçantë kalohet pastaj poshtë në kuzhinën e shtrigës”, shpjegon Tanja Pieper. Është një dhomë e vogël dymbëdhjetë metra nën tokë. Këtu të ftuarit marrin një pije rinuese – si Fausti në dramën e Goethes. “Ata duhet të recitojnë tabelën e shumëzimit të shtrigës dhe të kërcejnë në njërën këmbë rreth zjarrit të shtrigës”, thotë Tanja Pieper, duke përshkruar aktivitetin argëtues.

Më pas gjithçka ka të bëjë me fitimin e bastit për fuçinë e madhe në bodrumin e fuçive të verës.

“Nëse mysafirët arrijnë ta nxjerrin jashtë duke e ngarë fuçinë – atëherë ata mund ta mbajnë atë, por fuçia mbetet nën mbikëqyrjen tonë”.

Johann Wolfgang von Goethe u frymëzua këtu para 250 vjetësh për të shkruar dramën e tij të famshme “Faust”

Saga e vjetër e doktor Faustus

Goethe nuk e shpiku Faustin e tij dhe fluturimin mbi fuçi. E gjitha rrjedh nga një legjendë e vjetër nga thesari i përrallave popullore (Volksbuch nga Johann Spies), libër të cilin Goethe e njihte. Në bodrumin e fuçive ai pa dy tabela druri të vitit 1625, që ilustronin fluturimin me fuçi të magjistarit legjendar Dr. Faustus. Thuhet se ai vëzhgonte se si transportuesit përpiqeshin të nxirrnin një fuçi jashtëzakonisht të rëndë nga bodrumi i verës dhe tallej me ta. Ai vuri bast, se mund ta nxirrte jashtë fuçinë, duke e ngarë atë.

“Sigurisht shihet si vepër e djallit, kur ai e nxjerr fuçinë duke e ngarë”, thotë Pieper. “Nga këto dy tabela druri, që vareshin aty, Goethe u magjeps aq shumë, saqë na përfshiu në dramën ‘Faust’”, thotë ajo. Sot dy tabelat qëndrojnë të varura në dhomën “Goethe’ të restorantit, e cila ofron vend për 30 veta. Edhe Martin Lutherit i është kushtuar një dhomë e veçantë, “Lutherstübchen” (dhoma e Lutherit), me po aq vende.

Lokali në kohën e Goethes

Në shekullin e 18-të lokali ishte ende një tavernë, ku pihej verë. “Ky bodrum ishte shumë i madh në atë kohë”, shpjegon Tanja Pieper. Atëherë vera nuk mbushej në shishe, por shërbehej nga fuçitë, ku dhe ruhej. “Ka piktura ku mund të shohësh, se si pihej mes fuçive”.

Në atë kohë gatimi nuk bëhej në “Bodrumin e Auerbachut”. Ushqimi përgatitej në restorantin e atëhershëm “Auerbachs Hof”, i cili sot nuk ekziston më dhe sillej në bodrum. “Në shekullin e 19-të filluan të gatuanin në ‘Auerbachs Keller’ dhe gjellët servireshin krahas pijeve”.

Gjatë sezonit të Pashkëve më 1525 mjeku dhe profesori universitar nga Lepizigu, Heinrich Stromer von Auerbach, u shërbeu për herë të parë studentëve verë në bodrumin e tij

Fausti i Bachut në festivalin e Leipzigut

Në aktivitetet për përvjetorin e “Auerbachs Keller” në Leipzig bën pjesë edhe “Fausti i Bachut”, një pjesë nga drejtori i Festivalit të Bachut, Michael Maul. Në Leipzig, Johann Sebastian Bach ka qenë Thomaskantor (drejtor i korit të Kishës së Shën Thomasit), nga viti 1723 deri sa vdiq në vitin 1750. Rruga e tij e përditshme për në punë e çonte atë edhe pranë bodrumit të Auerbachut. Për nder të Bachut çdo vit në qershor në qytet organizohet Festivali i Bachut. 

“Në Faustin e Goethes përmendet shumë muzika, por Goethe nuk e përcakton, se për cilën është fjala saktësisht”, shpjegon Maul në një intervistë për DW-në. Goethe e vlerësonte shumë muzikën e Bachut. Prandaj në pjesën e tij Michael Maul e ka komentuar, ilustruar dhe shoqëruar Faustin e Goethes me korale dhe kantata të Johann Sebastian Bachut.

“Kur Fausti do të bëjë vetëvrasje në fillim të dramës, në momentin kur ai vë pijen në buzë, dëgjon nga larg himnin e Pashkëve ‘Krishti u ringjall’”, shpjegon Maul. Premiera e Faustit të Bachut me këngëtarë, muzikantë dhe aktorë do të shfaqet në kuadër të Festivalit të Bachut më 15 qershor në sallën e madhe të “Auerbachs Keller”. Përvjetori i restorantit historik do të festohet gjatë gjithë vitit.