Shteti serb, në opinionin ndërkombëtar, kur flet për të drejtat mbi Kosovën, ngre çështjen e kishave dhe të manastireve në Kosovë. Kjo orvatje jo e drejtë historike ka pasur sukses, saqë propaganda serbe ndikoi në marrëveshjen ndërkombëtare e arritur me “Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen Statusit të Kosovës”, të hartuar nga presidenti i Finlandës, (mars 2007), që manastiret ortodokse të ndërtuara në mesjetë t’i njihen si trashëgimi Kishës Ortodokse Serbe. “Kosova do ta njohë Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, duke përfshirë manastiret, kishat dhe objektet e tjera që shfrytëzohen për qëllime fetare si pjesë integrale e Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd” (Aneksi V, pika 1.2 e Marrëveshjes së Atisaarit). Edhe sot në zyrën e misionit serb në Bruksel, në takimin midis komisionarit evropian për zgjerim, z. Oliver Varhelyi, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në ekspozimin e qëllimshëm të librit “The Christian heritage of Kosovo and Metohija – The historical and spiritual heartland of the Serbian” , që jo vetëm se është skandal politik, por komisionari evropian shfaqet përkrah tezës serbe për trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe, për më tepër, nesër mund të shpërfaqë ide konkrete, të tilla të njohura: “Atisaari plus”; “të domosdoshme kompromise të hidhura nga pala kosovare” e të tjera, që qartë politikisht mund të konceptojnë lloj-lloj standardesh të panjohura teorikisht e praktikisht në bazamentin politik të Bashkimit Evropian, duke e paraqitur këtë vetëm “sui generis” apo si zgjidhje “modus vivendi”. Por faktet historike kurdoherë mundësojnë rishqyrtim dhe trajtim të drejtë politik sa i parket kulturës historike të Kosovës.
E gjithë kjo ka bazën e vet historike në kohën e mesjetës. Territori i Kosovës së sotme nuk ka qenë epiqendra e veprimtarive të ndërtimit të kishave serbe në kohën e Nemanjidëve. Kishat më të hershme serbe u ngritën kryesisht në territorin e ngushtë të Rashës si: Studenica (afër Novi- Pazarit), e ndërtuar nga Stefan Nemanja; Manastiri Maleshevo (afër kufirit të Bosnjës), Sopoçani (Novi-Pazar) dhe Manastiri i Zhicës, i rindërtuar më pastaj afër Kralevës, që ishte edhe seli e Autoqefalisë serbe, u ndërtua nga Stefani i Kurorëzuar. Me fjalë të tjera, djepi i kishave dhe i manastireve serbe gjatë dy-tre brezave të sundimit të Nemanjidëve gjendej në territoret serbe e jo brenda Kosovës.
Kjo shtrirje e kishave serbe përkon me territorin serb mesjetar që e jep studiuesi Kostandin Jireçek, sipas të cilit: “Në brendi, në shekujt XI – XII shtrihej, me disa ditë ecje në këmbë, një shkretëtirë e madhe në rripin e gjerë kufitar bizantin ndërmjet serbëve dhe bizantinëve, ndërmjet qyteteve kufitare bizantine Prizreni, Lipjani dhe Nishi, nga njëra anë, dhe vargmalet serbe mbi Lim e Ibër, në anën tjetër. Pas okupimit serb në kohën e Nemanjës (viti 1180 etj.), shumë shpejt u populluan këto vise të pasura natyrore e veçanërisht luginat e nxehta të Drinit të Bardhë dhe të Sitnicës”.
Uzurpimi i kishave katolike
Territori i Kosovës pas pushtimeve serbe nga sundimtarët serbë Stefan Deçanski (1321-1331), Stefan Dushani (1331-1355) dhe në kohën e sundimtarit të fundit të kësaj dinastie Uroshit V (1355-1371) u gjet në pjesët qendrore të shtetit të Nemanjidëve. Në kohën e Nemanjidëve, pushteti dhe Kisha Ortodokse Serbe kanë uzurpuar shumë kisha katolike. Njëherësh u adaptuan e u rindërtuan një sërë objektesh fetare, si Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Spasit, Kisha e Shën Nikollës, Manastiri i Shenjtorëve Mihal e Gabriel, si dhe kishat në Korishë, Hoçë e Madhe, Mushtisht etj.
Monumentet kryesore të kultit të krishterë në Kosovë, të cilat sot konsiderohen kisha apo manastire ortodokse serbe, si Manastiri i Deçanit, i Graçanicës, Kisha e Shenjtorëve Mihal e Gabriel dhe Kisha e Zojës Prendë në Prizren, Patrikana e Pejës, Kisha e Shtjefanit në Mitrovicë, janë të moçme si për arbrit autoktonë ashtu edhe për serbët pushtues në Kosovë, meqë deri më sot, nga studiues seriozë askush nuk e mohon faktin se kishat dhe manastiret ne fjalë janë ndërtuar, rindërtuar apo meremetuar mbi themelet e monumenteve të moçme të periudhës romake e bizantine.
Kishat ortodokse mesjetare, që gjenden sot në Kosovë (Graçanica afër Prishtinës, Levishka në Prizren, Patrikana e Pejës dhe Kisha e Deviqit në Drenicë), nuk janë dëshmi e kulturës serbe, sepse ato janë ndërtuar para ardhjes së tyre në këto treva, kurse Kishën e Deçanit e ka projektuar dhe e ka mbikëqyrur zbatimi i projektit të priftit katolik shqiptar frati Vita Kuqi nga Kotorri. Kisha e Manastirit të Deçanit është vepër më e madhe që ruan elemente nga ndërtimtaria dalmate - arbërore e ardhur nga bregdeti. Në arkitraun e portalit jugor të narteksit gjendet edhe mbishkrimi i gdhendur i arkitektit arbëror dom Vita Kuqi, i cili së bashku me 18 skulptorë e gurskalitës ndërtoi Kishën e Manastirit të Deçanit, shkruan Jahja Drançolli në librin, “Feja në Kosovë gjatë mesjetës”, “Dardania Sacra 2”, Prishtinë, 2000, fq. 114)
“Serbët nuk kanë pasur kurrfarë tradite të veten në ndërtimtari...”
Këtë e sqaron mirë edhe studiuesi serb, Pero Slijepçeviqi, tek shkruan se këto kisha nuk janë vepër e atyre sundimtarëve serbë, emrin e të cilëve e kanë ato, sepse në atë kohë “serbët nuk kanë pasur kurrfarë tradite të veten në ndërtimtari, as në pikturim. Nemanjiqët kanë ndërtuar (financuar) edhe larg kufijve të shtetit serb, me qëllim të afirmimit të dinastisë së tyre...Manastire të tilla kanë financuar edhe në Jerusalem, në Stamboll, në Greqi” etj.” Në një shënim të arkivave të Vatikanit shënohet se mbreti serb, Stefan Dushani, skizmatik, kur filloi rindërtimin (jo ndërtimin), e Kishës së Deçanit dhe u detyrua të mbante, të siguronte një njësi të fortë ushtarake që t’i ruante mjeshtërit, sepse vendasit (arbrit katolikë) nuk lejonin mjeshtrit të punonin në kishën e tyre.
Serbët për t’i siguruar kishat formuan një institucion të posaçëm. Ky institucion i posaçëm quhej “vojvodë i kishës” – rojë e kishës. Vojvodët ishin të caktuara nga familjet e caktuara nga popullsia e vendit për ta ruajtur kishën me ndihmën e katundit. Vojvoda merrte nga manastiri edhe njëfarë shpërblimi material në të holla, sepse një mashkull nga shtëpia e tij ruante ditë e natë në manastir. Në Deçan vojvodë ka qenë shtëpia e Sali Rrustës. Për Patrikanën e Pejës vojvodë ka qenë familja e Zhujë Veselit nga fshati Shtupeq i Madh i Rugovës. Kurse familja e Brahim Vojvodës nga Llausha e Drenicës e ka ruajtur Kishën e Deviqit. Nuk eksitojnë të dhëna të sakta se kur janë emëruar vojvodët, mirëpo, sipas disa shënimeve dhe supozimeve, vojvodët u emëruan para më se tre-katërqind vjetësh.
Shqiptarët e Rugovës e zgjedhin mes vete eprorin që duhet të kujdeset për sigurimin e Patrikanës”
Historiani serb Stojan Novakoviq, i cili ka qenë në Pejë më 1898, me atë rast ka shënuar disa të dhëna edhe për vojvodët e Patrikanës së Pejës. Përveç tjerash, ai thotë: “Shqiptarët e Rugovës e zgjedhin mes vete eprorin që duhet të kujdeset për sigurimin e Patrikanës, i cili quhet vojvod i kishës. Atë që e zgjedhin ia paraqesin igumenit të Manastirit të Pejës, e ai ishte i detyruar që ta pranojë atë që e zgjedhin vetë”. Novakoviq madje thotë se rugovasit e ruajnë këtë manastir tash e 300 vjet. Në vitet e rrezikut gjithmonë përforcohej roja e manastirit. Tradita e ruajtjes së kishave nga popullsia përreth tyre është mjaft e lashtë. Kështu, nga një krisobulë e Car Dushanit lëshuar manastirit të Shën Arhangjejve afër Prizrenit, shihet se disa fshatra kanë qenë të obliguara ta ruajnë këtë kishë dhe ta përcjellin Igumanin (kryemurgun) kur ai të shkojë në rrugë, shkruan Drançolli në “Monumentet e kultit katolik”.
Historiani Muhamet Mala, në librin “Monumentet e Kosovës – Kosova Monuments”, botuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve më 2004, shkruan se tradita e mbrojtjes së kishave nga arbrit-shqiptarët nuk ishte e rastësishme, ata në këtë akt shihnin mbrojtjen edhe të vlerave të objekteve të veta te përvetësuara nga të tjerët në rrethana të caktuara historike
Kështu, Manastiri i Graçanicës, sipas njoftimeve burimore historike dhe gjetjeve arkeologjike gjatë viteve 1957, 1963 dhe 1964, është një bazilikë e ndërtuar midis shekujve VI-XI. Kjo bazilikë ishte qendër e Ipeshkvisë së Ulpianës dardane. Pas rrënimit të saj, mbi themelet e anjatës së mesme u rindërtua një kishë kushtuar Zojës së Bekuar të Graçanicës. Ka të ngjarë se po kjo kishë të përmendet në letrën e Papës Benedikti XI, në vitin 1303, si kishë famullitare katolike. Mbi këtë kishë të moçme që nga viti 930, mbreti Nemanjid Millutin rindërtoi Manastirin e Graçanicës rreth vitit 1316, shkruan Drançolli në “Monumentet e kultit katolik”. Po aty, shkruhet se gjithashtu edhe Manastiri i Shenjtorëve Mihal dhe Gabriel është ndërtuar mbi një kishë të moçme dardane të periudhës së antikitetit të vonë. Rindërtimi është bërë rreth vitit 1348. Në kompleksin e manastirit gjenden Kështjella e epërme, Kisha e Shën Kollit, Kisha e Shenjtorëve. S’do mend se këtë kompleks të kultit e shfrytëzuan banorët e ritit ortodoks, si arbrit (shqiptarët) ashtu edhe serbët, shkruan Fejaz Drançolli në “Ndërtime kulti krishtere iliro-shqiptare” botuar në “Dardania Sacra 2”, Prishtinë, 2000.
Po sipas këtyre burimeve, kontribut të madh në rindërtimin e tij kanë dhënë tregtarët katolikë raguzanë që jetonin dhe vepronin në Prizren. Arkeologët në rrënojat e këtij manastiri kanë zbuluar fragmente interesante të artit bizantin, romak dhe gotik. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është mozaiku që nuk ka ndonjë paralele me ndonjë mozaik të punuar në Serbi, veçse më shumë i ngjan mozaikut në pagëzoren e katedrales Santa Maria në Firencë. Në kishën e këtij manastiri ruhet edhe varri i kryezotërisë arbëror Strazimir Balsha, nga viti 1372, atëbotë zotërues i qytetit të Prizrenit.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë
Autori është doktor i shkencave historike, bashkëpunëtor shkencor në institutin e historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Fusnotat – të përfshira pjesërisht brenda tekstit – janë hequr nga redaksia.