Kulturë

Përurohet pulla postare “Nga arti skenik - Besim Sahatçiu dhe Leze Qena”, Rita Ora me mesazh “live”

Është përuruar pulla postare "Nga arti skenik-Besim Sahatçiu dhe Leze Qena" në ambientet e Cineplexx në Albi Mall, Prishtinë.

Nën praninë e artistëve, kolegëve dhe të ftuarve të tjera u kujtuan dy ikonat e kulturës shqiptare, artit skenik e regjisorial. Dokumentari "Besim Sahatçiu dhe Leze Qena" bëri që momente të shumta nga jeta e dy veprimtarëve të artit të bashkohen në sekuenca, duke shfaqur pjesë që nga fëmijëria, fillimet e karrierës, sukseset e deri te momentet e fundit para ndarjes nga jeta.

Fjalët e tyre përshëndetje i morën kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, përfaqësuesi familjar Besnik Sahatçiu e Argjenda Qena, fotografi Afrim Spahiu dhe drejtori i QKK-së, Arben Zharku.

Një fjalë përshëndetëse e dha edhe Rita Ora, mbesa e Besim Sahatçiut nëpërmjet lidhjes virtuale. Ylli muzikor me famë botërore, u lidh drejtpërdrejtë me një fjalë përshëndetëse për të pranishmit, duke çmuar iniciativën e marrë nga Posta e Kosovës.

“Jam shumë e lumtur për Postën e Kosovës, që e respekton gjyshin tim, Besim Sahatçiun me pullën e Postës të Kosovës për suksesin në film në Kosovë”, u shpreh Ora.

Këngëtarja me prejardhje shqiptare shprehi keqardhjen e saj për mos praninë fizike. “Më vjen keq që s’jam sot me ju, ju dua shumë të gjithëve!”, përfundoi ajo.