Kulturë

Përurimi i trefishtë i Kosovës në Leipzig, “Kësulëkuqja” me mirënjohje nga BE-ja

Veprat “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur” e Ag Apollonit, “No Man’s Lands: eight extraordinary women in Balkan history” e Elizabeth Gowing e Robert Wilton si dhe “Një amerikane në Kosovë 1981-1997” nga Janet Reineck, kanë qenë tre librat nga Kosova të cilët janë përuruar të shtunën në ditën e parafundit të Panairit të Librit në Leipzig. Për “Kësulëkuqen...”, ka rastisur të festojë edhe si vepër e vlerësuar prej Bashkimit Evropian. Një ditë më parë, u nderua me Mirënjohje të veçantë nga Çmimi i BE-së për letërsi.

Përurimet janë moderuar dhe ligjëruesja e UP-së dhe përkthyesja, Blertë Ismajli, në ngjarjet e organizuara në kuadër të programit promovues “Traduki”, me të cilin po bashkëpunon Biblioteka Kombëtare e Kosovës, që cila përfaqëson Kosovën për herë të dytë në Panair.

Romani i Apollonit u nderua tok me veprat e katër shkrimtarëve si Hari N. Spanou nga Qiproja, Tõnis Tootsen nga Estonia, Maud Simonnot nga Franca dhe Iida Rauma nga Finlanda, ndërsa Çmimin e BE-së për letërsi e mori Martina Vidaiq nga Kroacia.

Nderimi me Mirënjohje të veçantë e ka vlerësuar edhe vetë shkrimtari Apolloni. Ndonëse sipas tij, rëndësia e veprave letrare nuk mund të peshohet, Çmimi i BE-së për Letërsi – EUPL, kthen fokusin nga autorët e përzgjedhur, një gjë shumë e rëndësishme për një gjuhë të vogël si shqipja.

“EUPL ka një të mirë, që kthen fokusin e botuesve kah autorët e përzgjedhur. Kjo është diçka që vërtet na duhet ne si gjuhë e vogël që jemi. Unë mendoj se nuk ka peshore për veprat letrare, dhe është absurde të kërkohet diçka e tillë, por natyrisht konkurset më shumë se evente kulturore, janë politika kulturore. Fatmirësisht, politika kulturore e EUPL-së është promovuese”, ka thënë Apolloni

Në përurim në Lepzig bashkë me Apollonin, ishte edhe përkthyesja e “Kësulëkuqes” në gjermanisht, e cila lexoi një fragment nga përkthimi i cili pritet të dalë së shpejti.

“Fola për dy romanet e mia të fundit, veçmas për ‘Kësulëkuqen’. Lexova një fragment nga kapitulli dhe diskutova për relacionin mes faktit dhe fantazisë. Përkthyesja Zuzana Finger, lexoi një kapitull që e emocionoi publikun. Aty u binda që ajo ka bërë një përkthim të shkëlqyeshëm”, ka bërë të ditur Apolloni.

I pranishëm në Panairin e Leipzigut është edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku. Për KOHËN ai ka treguar për eksperiencën në këtë Panair, teksa ka përmendur edhe aktivitetet që Kosova është duke zhvilluar atje.

“Të tri promovimet e programit të sotshëm janë përcjellë nga një auditor i interesuar për kulturën dhe letërsinë e Kosovës, përfshirë botues, studiues e lexues me interesime të veçanta për autorë dhe botime të zhanreve të ndryshme letrare dhe joletrare. Botimet e autorëve të programit të sotëm: Janet Reineck, Elizabeth Gowing, Robert Wilton dhe Ag Apolloni, janë promovuar në një format diskutimesh të rëndësishme për letërsinë, kulturën dhe historinë e Kosovës”, ka thënë Gajraku.

Robert Wilton dhe Elisabeth Gowing të cilën kanë mbi pesëmbëdhjetë vjet që jetojnë në Kosovë, kanë marrë pjesë gjithashtu në Panairin e Leipzigut ku kanë promovuar veprën "No Man’s Lands: eight extraordinary women in Balkan history”. Pjesëmarrja në këtë panair sipas Wilton dhe Gowing, është tejet e rëndësishme, sepse ndikon në përhapjen dhe njohjen e historisë, kulturës dhe letërsisë shqipe.

“Për ne, tash si dy kosovarë me përkushtim të vazhdueshëm që përhapim njohurinë për kulturën e vendit – gjuha, letërsia, historia – ishte edhe kënaqësi edhe nder që kishim mundësi ta përfaqësojmë Kosovën me librin tonë të ri në botën letrare mbarë-evropiane. Me angazhimin e Bibliotekës Kombëtare, të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani, si dhe të një sërë shkrimtarësh, Kosova ka dalë në skenë në një mënyrë tepër mbresëlënëse, baras me fqinjët tanë evropianë. Kështu promovohet vendi, si edhe në librin tonë “No Man's Land”, të promovuar në Prishtinë para disa muajsh, kështu promovohet beteja e vazhdueshme për mirënjohjen e plotë të të drejtave të barabarta të të gjithëve”, ka thënë Wilton për KOHËN.

Panairi i Librit në Leipzig sivjet u bën vend rreth 100 titujve të Kosovës që janë atje në kuadër të programit promovues të rrjetit “Traduki”. Biblioteka Kombëtare e Kosovës, si përfaqësuese e vendit, ka njoftuar se në këtë panair Kosova po prezantohet në njërën prej hapësirave të përzgjedhura, që gjendet përballë shtandit dhe hapësirës promovuese të “Tradukit”. Në ditën e parë të ngjarjes aty ka qëndruar edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

“Çfarë lajmi fantastik nga Panairi i Librit në Lepzig. Ag Apolloni me romanin ‘Kësulëkuqja – përrallë për të rritur’, është nderuar me ‘Special Mention’, në një ceremoni solemne të ndarjes së çmimeve për letërsi nga Bashkimi Evropian në Panairin e Librit në Lepizig”, ka shkruar Ajeti në një postim në rrjete sociale, të shtunën.

Në ditën e hapjes, të enjten, BKK-ja në bashkëpunim me “Tradukin” – rrjetin e themeluar më 2008, me synimet për komunikim nëpërmjet librit duke përkthyer vepra, e në të cilin rrjet Kosova synon të anëtarësohet sivjet – kanë organizuar promovimin e veprës “Libërthi i dashurisë” të Shpëtim Selmanit. Për një orë e gjysmë aty është diskutuar mbi temën “Poezia mes poetit dhe lexuesit: ‘Personizmi’ dhe Konsumerizmi”.

Nesër, në ditën e fundit të panairit, do të promovohet romani grafik i Gani Jakupit, “Le Serpent à deux tetës”, ku temë diskutimi do të jetë “Optika grafike dhe letrare - një roman grafik për aborigjenët australianë”.

Me rreth dy mijë e 500 ekspozues nga më shumë se 40 vende, me mbi tre mijë e 400 pjesëmarrës, mbi 3 mijë e 600 ngjarje në 550 skena, Panairi i Leipzigut është panairi i dytë më i madh në Gjermani, pas atij të Frankfurtit. Edicionin e parë e mbajti këtu e 391 vjet më parë, në vitin 1632. Më 2021 e më 2022 nuk u mbajt për shkak të pandemisë.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës është organizatore që përkrahet nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Punëve të Jashtme. Shtandi i Kosovës ndodhet në sallën 4 dhe mban numrin “D404”.