Pas dy vjetësh me ngjarje online për shkak të pandemisë, Victoria Leshchenko, Yuliia Kovalenko dhe ekipi i tyre i organizatorëve mezi prisnin që më në fund të festonin tradicionalisht festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar për të drejtat e njeriut “Docudays UA”.
Por më pas, pikërisht teksa po përfundonin planifikimin e festivalit të tyre, që do të mbahej nga 25 marsi deri më 3 prill, Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Që atëherë është shtyrë për një kohë të pacaktuar edhe ngjarja. “Kjo është një histori e dhimbshme për ne”, ka thënë Kovalenko nëpërmjet një videoje nga Odesa.
Kovalenko qëndroi në vend me prindërit e saj, ndërsa Leshchenko arriti të ikte në Berlin. Edhe pse jeta e tyre u ndërpre nga lufta, kanë ndjekur misionin e tyre për të promovuar kinemanë ukrainase duke krijuar një iniciativë kuratorë filmash të quajtur “Sloik Film Atelier”.
Duke bashkëpunuar me dy kuratorët, “Deutsche Kinemathek” me qendër në Berlin tani po publikon një program special të quajtur “Perspektivat e kinemasë ukrainase”.
Nga data 12 deri më 30 qershor, kinematë në Berlin, Hamburg dhe Leipzig do të shfaqin - pa pagesë - një përzgjedhje të filmave ukrainas, shoqëruar me diskutime me kineastët dhe ekspertët.
“Ne nuk dimë aq sa duhet të dimë për kulturën, shoqërinë dhe historinë e Ukrainës”, ka thënë Rainer Rother, drejtor artistik i “Deutsche Kinemathek” në një prezantim të mbajtur për ngjarjen. Duke shfaqur këta filma, arkivi gjerman i filmit synon të rrisë ndërgjegjësimin e njerëzve se “Ukraina ka një kulturë të veten. Siç e dimë, propaganda ruse mohon ekzistencën e kulturës ukrainase”, shtoi ai.
Kësaj ideje i bëri jehonë edhe komisionerja gjermane e Kulturës, Claudia Roth, gjatë vizitës së saj zyrtare në Odesa të martën. “Kjo luftë është gjithashtu një luftë kundër kulturës”, ka thënë ajo, duke theksuar se pas më shumë se 100 ditëve të luftës, 375 institucione kulturore dhe 137 kisha janë shkatërruar apo dëmtuar. “Kjo tregon qartë se bëhet fjalë për sulm ndaj identitetit kulturor të Ukrainës", shtoi ajo.
Në prezantimin për media të “Perspektivat e kinemasë ukrainase", bashkëkuratorja Kovalenko dërgoi një videomesazh të filmuar përpara “Studios së Filmit” të Odesas. Zgjedhja e saj nuk ishte e rastësishme.
Studioja e filmit, e cila festoi zyrtarisht njëqindvjetorin e saj më 2019, është një simbol i traditës së gjatë të filmave të Ukrainës.
Por kohët e fundit, më 18 maj, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë se Rusia e konsideron Studion e Filmit një “objekt ushtarak” dhe një objektiv të mundshëm për një sulm raketor.
Fakti që Rusia po kërcënon të shkatërrojë këtë simbol kulturor rizgjon kujtime të dhimbshme, pasi skena e lulëzuar e filmave në Ukrainë ishte shtypur tashmë nga regjimi totalitar sovjetik shekullin e kaluar.
Ukrainasit janë krenarë për traditën e tyre kinematografike. Siç theksoi Kovalenko, banorët e Odesës e shohin qytetin e tyre si shtëpinë e shpikjes së kamerës së parë filmike në botë. Shpikësi Joseph Timchenko mbajti një shfaqje të filmave të xhiruar me aparatin e tij në 1894 - dy vjet përpara projeksionit të parë të vëllezërve Lumiere, i cili hyri në histori si lindja e kinemasë. Timchenko, megjithatë, kurrë nuk e patentoi atë.
Studioja e Filmit në Odesa e udhëhequr nga shteti u themelua zyrtarisht në vitin 1919, në krye të mbetjeve të studiove private të kinemasë të mbajtura nga Myron Grossman dhe producentë të tjerë.
Fillimisht e menaxhuar nga një agjenci shtetërore e quajtur Administrata Gjithukrainase e Foto Kinemasë, “për 10 vjetët e parë ishte ende e mundur të punohej në mënyrë të pavarur nga Moska”, shpjegoi Kovalenko. Ishte epoka e artë e kinemasë ukrainase dhe Odesa shihej si “Hollywood ukrainas”.
Por më pas, duke filluar nga vitet 1930, studioja ra nën kontrollin e Moskës, me shumë krijues që u larguan pasi u përballën me ndjekjet politike.
“Ishte një periudhë e errët terrori kundër intelektualëve dhe qytetarëve”, ka thënë Kovalenko.
Ndër ata që vuajtën ishte edhe Les Kurbas, i cili shihet si një nga regjisorët më të rëndësishëm të teatrit ukrainas të shekullit XX. Ai u ekzekutua në vitin 1937, mes 700 mijë deri në 1.2 milionë të vrarë gjatë fushatës së Jozef Stalinit për të forcuar kontrollin e tij në pushtet.
Një tjetër emër i shquar është Isaac Babel, një skenarist dhe autor, librat e të cilit janë përkthyer në disa gjuhë, duke përfshirë “Tregimet e Odesas”. Pasi udhëtoi rreth Ukrainës në fillim të viteve ‘30, ai dëshmoi procesin brutal të kolektivizimit të BRSS-së dhe urinë e qëllimshme të Stalinit, Holodomor, i cili vrau rreth 4 milionë ukrainas. Babel u arrestua në vitin 1939 dhe, sipas autoriteteve sovjetike, vdiq në një kamp të Siberisë në vitin 1941. Familja e tij supozon se ai u ekzekutua menjëherë pas arrestimit.
“Perspektivat e kinemasë ukrainase” hapet me një film klasik nga Oleksandr Dovzhenko, i cili arriti të vazhdonte të punonte gjatë asaj periudhe pasi mbështeti idealet komuniste. “Por pavarësisht bindjeve të tij komuniste, ai nuk u përpoq të prodhonte filma agjitpropë”, ka thënë Kovalenko.
Filmi ekspresionist avangard i Dovzhenkos i vitit 1929, "Arsenal", që portretizon kryengritjen e 1918-s të punëtorëve në fabrikën e Kievit me të njëjtin emër, shmang gjurmimin e linjave të qarta ideologjike dhe ngjall absurditete të kohës së luftës, të cilat mund të interpretohen si vënie në dyshim moralin e revolucionit të dhunshëm. “Është vërtet interesante të analizosh dhe rimendosh filmin sot”, tha Kovalenko.
Të gjithë filmat e tjerë në serinë “Perspektivat e kinemasë ukrainase" janë vepra të fundit, të realizuara në pesë vjetët e fundit.
Kinemaja ukrainase ka përjetuar një ringjallje gjatë dekadës së fundit, e nxitur nga një skenë e fortë e filmave dokumentarë. Nga atje, shumë kaluan nën drejtimin e filave artistikë, vuri në dukje Leshchenko në prezantimin për media të programit.
Ky brez i ri regjisorësh mban pishtarin e trashëgimisë së pasur kinematografike të vendit, thanë fansat e filmit. Veprat e tyre jo vetëm që shfaqin një gamë të gjerë zhanresh, vuri në dukje Leshchenko, por shumë filma dëshmojnë gjithashtu faktin se konflikti aktual me Rusinë fatkeqësisht nuk filloi në vitin 2022.