Një qasje shumëdimensionale ndaj gjenocideve në Bosnjë, Ruandë, Kosovë e Darfur. Dale C. Tatum, “Gjenocid në agim të shekullit të 21-të: Bosnja, Ruanda, Kosova dhe Darfuri”, botoi “Palgrave Macmillan”, New York, ShBA, 2010
Përse ndodhin gjenocidet edhe në këtë shekull të prosperitetit, informatës e të ndërkomunikimit global? Përse ndodhën dhe ndodhin gjenocidet edhe në shekullin XXI? Autori amerikan Dale C. Tatum në librin “Gjenocid në agim të shekullit të 21-të: Bosnja, Ruanda, Kosova dhe Darfuri” e bën një përmbledhje jashtëzakonisht sqaruese dhe vlerësuese për çështjen e gjenocidit, parakushtet e përgatitjes së gjenocidit, faktorët gjeostrategjikë që ndikojnë në neglizhencën e ndërhyrjes së faktorëve relevantë e deri te qasjet e politikave të brendshme të shteteve të fuqishme që kanë ndaj rajonit e më gjerë.
Në kohën kur u mendua se bota doli nga rreziku i konfrontimeve ideologjike dhe parakushteve për shfarosje në masë, kur u proklamua për “fundin e historisë” (Francis Fukuyama) me triumfin e demokracisë liberale perëndimore, pikërisht në ato vite të entuziazmit dhe optimizmit global për fillimin e epokës së globalizmit dhe të mirëqenies ndodhën katër gjenocide, njëri pas tjetrit. Dale C. Tatum e bën një ekspertizë paraprake të shkaqeve që çuan në katër gjenocidet, dy që ndodhën në Evropë e dy në Afrikë. Gjenocidi serb kundër boshnjakëve e kroatëve (1991-1995) në fushatën e spastrimit etnik, nganjëherë shihet edhe në prizmin e luftës kulturore (Samuel P. Huntington), por që dominon qëllimi për zgjerime territoriale mbi hapësirat territoriale të grupeve etnike (popujve) të pambrojtura, ose më të dobëta në vetëmbrojtje. Qasja jashtëzakonisht objektive që ka autori mbi palët në konflikt, mbi kryesin e gjenocidit dhe mbi viktimën, i jep këtij libri një dimension të paralajmërimit human për zgjimin e ndërgjegjes njerëzore dhe ndërkombëtare për parandalimin dhe ndaljen e gjenocideve në tashmen dhe në të ardhmen.
Për gjenocidin në Ruandë autori i sqaron rrethanat historike koloniale të Ruandës dhe fillet e ndarjes dhe urrejtjes së ndërsjellë ndërmjet komuniteteve tashmë të diferencuara: hutu dhe tutsi. Ndërkaq për mosndërhyrjen e Perëndimit dhe veçmas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, autori i paraqet shkaqet e inferioritetit të opinionit perëndimor ndaj “fiseve afrikane”, e deri te mosinteresimi për shkaqe strategjike. Edhe si studiues, edhe si humanist, autori e shpjegon njollën e opinionit publik botëror ndaj gjenocidit në Ruandë, ku vetëm brenda 3 muajsh vriten mbi 800.000 civilë, kryesisht tutsi, një barbari e paparë dhe e pandodhur që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Një kapitull i veçantë i kushtohet gjenocidit në Kosovë. Të theksojmë se emërtimin “gjenocidi në Kosovë”, sikurse në rastet e gjenocideve në Bosnjë, Ruandë dhe Darfur, Dale C. Tatum e përkufizon në prizmin juridik, politik dhe historik. Kështu, gjenocidin e shtetit serb kundër shqiptarëve të Kosovës e përkufizon sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1948, me qëllim të garantimit të mospërsëritjes së mizorive hitleriane që kishin ndodhur gjatë LDB. Në artikullin e dytë të Konventës, gjenocidi është definuar si:
(a)Vrasje e anëtarëve të një grupi;
(b)Lëndim serioz fizik dhe mental mbi anëtarët e një grupi;
(c)Shkatërrim i qëllimshëm i kushteve jetësore të grupit me qëllim të shkatërrimit fizik të tërësishëm, ose të pjesshëm;
(d)Imponim i detyrimeve me synim të ndaljes së lindjeve brenda një grupi.
“Të gjitha këto gjëra (pika të përshkrimit të gjenocidit sipas Konventës - vërejtja ime) ndodhën në direktivat e Milosheviqit; prandaj, taktikat e Milosheviqit përbëjnë gjenocid” (f.126). Duke e shikuar dimensionin e gjenocidit në përgjithësi, e në këtë rast në Kosovë, autori e potencon faktin historik si përcaktues të shumë aspekteve të tjera. Kapitullin “E vërteta për Kosovën” autori e fillon me një fjali: “Kosova nuk është djep i kulturës serbe” (f.111). Dale C. Tatum i potencon faktet historike dhe arkeologjike mbi territorin administrativ të Kosovës, ku Serbia dhe serbët janë gjithnjë në periferi të saj, madje edhe atëherë kur synohet apo realizohet pushtimi, kolonizimi dhe spastrimi etnik. Edhe miti i famshëm i “Betejës së Kosovës”, sipas autorit del krejtësisht në suaza të ndërtimit të një miti me qëllime të zgjerimit të territoreve në dëm të hapësirave shqiptare, ku Lufta ruso-turke e vitit 1877-1878 ishte filli i ndërtimit të mitit të Betejës së Kosovës dhe realisht fillimi i konfliktit serbo-shqiptar.
Pesë vjet pas gjenocidit serb kundër shqiptarëve të Kosovës bota dhe opinioni publik botëror u sfiduan me gjenocidin e radhës, që për nga ndërlidhja historike dhe qëllimi është i ngjashëm si më gjenocidet e kaluara: një etnitet politik e ushtarak bën përpjekje për eliminimin e grupit tjetër. Gjenocidi i Darfurit paraqitet në dimensione të ndryshme historike, politike e gjeostrategjike, ku konstantë e realizimit të gjenocidit mbetet mosgatishmëria e Perëndimit, në radhë të parë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e gjithsesi dështimi kolosal i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ta parandaluar dhe ndaluar gjenocidin.
Një qasje interesante e bën autori nga prizmi i opinionit publik amerikan që ka pasur ndaj katër gjenocideve të lartpërmendura. Është një thirrje intelektuale dhe humane e autorit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj demokracisë amerikane dhe botërore që gjenocidet duhet të parandalohen dhe të ndalohen me forcë. Dale C. Tatum e citon, atëbotë, senatorin Joseph Biden, sot president i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës: “Duhet shpresuar se Perëndimi ka mësuar diçka nga ngurrimi patetik në Bosnjë në fillim të kësaj dekade... ishte vetëm përdorimi i forcës ajrore amerikane që për tri javë, në vjeshtën e vitit 1995, i solli Milosheviqin dhe marionetat e tij serbe të Bosnjës të ulen në tavolinën e bisedimeve” (Honorable Joseph Biden, “Resolution of the Kosovo Problem,” June 17, 1998, Senate, Congressional Record, vol. 144, op. cit., S64463.).
Autori amerikan Dale C. Tatum e interpreton rolin e medies botërore, veçmas të asaj amerikane, ndaj interpretimeve të konflikteve, luftërave dhe gjenocideve në botë. Ai del kundër neoizolacionistëve amerikanë në përgjithësi dhe propaganduesve të saj në veçanti, që nuk e shohin rolin e superfuqisë më të madhe në planet, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të mirë të paqësimit të botës dhe ndërtimit të sigurisë dhe demokracisë në botë. Mandej ai i analizon edhe kronikat kryesore të korrespondentëve dhe të analistëve amerikanë të mediumeve më të rëndësishme, për mënyrat e qasjes së tyre ndaj luftërave dhe gjenocideve. Mungesa e studimit real të luftërave nëpër botë ka bërë që opinioni amerikan të mos jetë në dijeni të shkaqeve të vërteta të luftërave. Prandaj, autori bën thirrje për përfshirjen e opinionit publik amerikan në çështjen ndërkombëtare, si garantuese e sensibilizimit të ndërhyrjes në parandalimin dhe ndaljen e gjenocideve.
Libri “Gjenocid në agim të shekullit të 21-të: Bosnja, Ruanda, Kosova dhe Darfuri”, i autorit Dale C. Tatum, është një studim substancial mbi shkaqet dhe pasojat e gjenocidit në të kaluarën, të sotmen dhe në të ardhmen. Për lexuesit ballkanas në përgjithësi e për shqiptarët, në këtë rast, në veçanti, leximi dhe promovimi i një libri me përmbajtje të tillë të fakteve historike dhe të konkludimeve juridike, paraqet një referencë të veçantë dhe të vlefshme sensibilizuese në aspektin ndërkombëtar. Në këtë libër nënkuptohet se si duhet mësuar nga e kaluara, si duhet t’u përgatitemi sfidave rajonale, e sidomos si të dimë të qëndrojmë në turbulencat gjeostrategjike të aktorëve të mëdhenj. Leximi i librit “Gjenocidi në agimin e shekullit të 21-të: Bosnja, Ruanda, Kosova dhe Darfuri” e sforcon thënien se duhet ta kuptojmë të kaluarën, për të mos na u përsëritur historia. Gjatë këtyre dy dekadave të pasgjenocidit, kur Perëndimi, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i çliroi shqiptarët e Kosovës nga gjenocidi serb, asnjëherë institucionet tona nuk i janë qasur profesionalisht dokumentimit juridik dhe faktik të gjenocidit serb. Të preokupuar me ndërtimin e narrativave heroike e legjendare për tarafin e vet, si instrument për kapjen dhe zaptimin e shoqërisë dhe shtetit, gjatë dy dekadave, kapësit dhe zaptuesit e shtetit, në vend të prezantimit të shumëllojshëm ndërkombëtar të gjenocidit dhe Epokës së Holokaustit Kosovar, e ndërtuan Epokën e Cubave.
Izraelitët për 75 vjet me radhë nuk ndalën në portretimin e gjenocidit ndaj tyre, e rrallë, shumë rrallë flasin për trimëri...
{gallery}