Salla historike e muzeut “Hamburger Bahnhof” në qendër të Berlinit është hapësira më e madhe për ekspozita në kryeqytetin gjerman. Tani është radha e artistes çeke, Klára Hosnedlová, ta mbushë këtë hapësirë me tapiceritë e mëdha dhe skulptura të ngjashme me fosile, të gjitha të frymëzuara nga shtëpia e saj pranë kufirit sllovak. “Përqafimi” është ekspozita me të cilën ajo sjell një copë Çekie në stacionin e dikurshëm të trenit
Është një hapësirë e frikshme që krahasohet me sallën gjigante të Turbinës në muzeun “Tate Modern” në Londër apo atë “Grand Palais” në Paris. Salla kryesore e muzeut “Hamburger Bahnhof” në qendër të Berlinit shtrihet në një sipërfaqe prej 2.500 metrash katrorë dhe fillimisht u ndërtua në mesin e shekullit të 19-të si një stacion treni. Qëkur u bë muze në vitin 1996, një numër artistësh nga e gjithë bota kanë marrë përsipër sfidën për të prezantuar veprat e tyre në këtë hapësirë të gjerë.
Tani është radha e artistes çeke, Klára Hosnedlová, me tapiceritë dhe skulpturat e saj gjigante.
“Sa herë që kam qenë e pranishme në këtë hapësirë, gjithmonë e kam ndier se hapësira është shumë e ftohtë për mua. Kështu që doja të krijoja diçka ku mund të fshihesh, ku do të ndiheshe e sigurt dhe rehat. Kjo është arsyeja pse unë, për shembull, ndërtova anash mureve metalike, për të sjellë më shumë intimitet brenda. Dhe gjithashtu pse i krijova këto tapiceri të mëdha. Sepse vendosa që nëse doja të punoja me ndonjë material apo në ndonjë shkallë të madhe, atëherë vepra duhej të ishte prej një materiali shumë të brishtë dhe njëkohësisht të ashpër – diçka që vjen nga jashtë dhe jo nga brenda”.
Hosnedlová jeton dhe punon në pjesën juglindore të Republikës Çeke, pranë kufirit me Sllovakinë. Ekspozita është e frymëzuar nga vendlindja e saj — tregimet, arkitektura dhe traditat e vendit.

Artistja ka krijuar gjithashtu një instalacion zanor në sfond, i cili përfshin këngë tradicionale nga kjo zonë.
“Po, të gjitha punimet në ekspozitë janë frymëzuar shumë nga natyra e vendit prej nga vij unë dhe veçanërisht në tingujt, për shembull, këta zëra grash që këndojnë këngë shumë të vjetra tradicionale nga një zonë që quhet Kopanice. Është një zonë e vogël afër kufirit çeko-sllovak. Dhe këto këngë gjithmonë më duken shumë modeste. Ato flasin për dashurinë, për vdekjen dhe për marrëdhëniet mes njerëzve, janë shumë melankolike”, ka thënë ajo.
Klára Hosnedlová, e lindur në vitin 1990, ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë dhe në Fakultetin e Arteve të Bukura në Brno. Ajo është bërë e njohur në rrethet artistike me instalacionet e saj gjigante, që shpesh fokusohen në sistemet politike, sociologji dhe histori.
“Embrace” (Përqafimi) është ekspozita e saj më e madhe deri më sot dhe shënon prezantimin e parë të artistes për publikun e gjerë gjerman.
“Pra, këtu ka më shumë shenja ku mund të lexosh se për çfarë bën fjalë ekspozita. Por, nga ana tjetër, gjithmonë më pëlqen kur njerëzit mund të përjetojnë çfarëdo që duan përmes veprave dhe që të ndihen të sigurt këtu, edhe pse janë në një sallë kaq të madhe dhe të hapur”, ka thënë artistja çeke.

Procesi i përgatitjes së ekspozitës ka zgjatur më shumë se një vit e gjysmë dhe është koordinuar nga kuratorja Anna-Catharina Gebbers, e cila kaloi shumë kohë me Hosnedlován në vendlindjen e saj.
“Këtu kemi gjashtë seri të mëdha tapicerish të thurura me fije liri, që arrijnë deri në 9 metra në përmasë. Gjithashtu kemi dhjetë qëndisje që janë të integruara në këto elemente skulpturore. Janë përfshirë edhe relieve që duken si fosile me sipërfaqe minerale. Kemi mure metalike. Mbi të gjitha, kemi shtruar mbi 3 mijë pllaka betoni këtu — pllaka të zakonshme trotuari — rrjeti i të cilave krijon ndjesinë e epokës industriale. Dhe për herë të parë këtu kemi përfshirë një kompozim zanor”, ka thënë Gebbers.
Ekspozita mbështetet nga fondi kulturor “Chanel”, që synon të mbrojë barazinë e zërit dhe të sjellë vëmendje te personat që po bëjnë ndryshime në botë, në një kohë kur projektet artistike ofrojnë një burim jetik frymëzimi dhe ndryshimi në mënyrën se si ne e shohim botën. Kjo është një nismë e re për të cilën drejtori i muzeut “Hamburger Bahnhof”, Sam Bardaouil, thotë se do të bëhet një ngjarje e përvitshme.
“Është një nismë e re që do të zhvillohet çdo vit në bashkëpunim me fondin ‘Chanel’, ku do të ftojmë një artist për të ardhur dhe për t’iu përgjigjur kësaj hapësire të jashtëzakonshme, kësaj arkitekture të jashtëzakonshme, dhe për të sjellë një qasje të re në punën me instalacione, skulptura dhe media të tjera të artit të përmasave të mëdha— vepra këto që do të na lejojnë me të vërtetë të përjetojmë hapësirën në një mënyrë ndryshe dhe të lidhemi disi me historinë e saj, me tregime të reja, me mundësi të reja për të imagjinuar se çfarë mund të ekzistojë këtu brenda”.
“Embrace” është në dispozicionin e publikut gjerman nga 1 maji dhe qëndron e hapur deri më 26 tetor të këtij viti.