Gjuhët nuk janë të njëjta mes vete dhe përkthimi është sfida për të siguruar ndërmjetësimin mes tyre. Problem i përjetshëm i përkthimit mbetet konteksti kulturor i gjuhës origjinale dhe transmetimi i tij në gjuhën e përkthyer. Kështu, një kalim tekstor nga një gjuhë në tjetrën rrezikon të mbetet i fjalëpërfjalshëm nëse ndërmjetësuesi nuk kap edhe ngjyrimet kulturore.
Në të vërtetë, një nga përkthyesit e parë kishte qenë një ilir i lindur në një fshat mes Dalmacisë dhe Panonisë: Jeronimi – i kanonizuar më vonë nga Kisha si Shën Jeronimi – kishte përkthyer Ungjijtë nga greqishtja dhe hebraishtja në latinisht. Me përkthime kishte nisur edhe letërsia shqipe: Gjon Buzuku dhe pasrendësit e tij, si Pjetër Budi, kishin përkthyer e përshtatur jo pak tekste biblike e kishtare nga latinishtja e italishtja.
Sfida e përvoja përkthyesish janë evokuar të mërkurën mbrëma në një diskutim të organizuar nga qendra “Multimedia” dhe Goethe-Institut në shënim të 30 shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit.
Në debatin e moderuar nga Anton Berishaj, profesor në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë, përkthyesit letrarë, Gazmend Bërlajolli dhe Qerim Ondozi kanë ndarë për publikun përvojat e tyre në transmetimin e teksteve në shqip nga gjuhë të tjera.
Si dashuri me gjuhën e tekstit origjinal e ka përshkruar Gazmend Bërlajolli, studiues i gjuhës dhe përkthyes – pasionin e tij për të kthyer në shqip tekste joshqipe dhe anasjelltas. Për të, elementi i dashurisë për tekstin është i domosdoshëm për çfarëdo përkthimi cilësor.
“Të përkthesh është ai që në teorinë e përkthimit quhet ton e që ka të bëjë me ndjeshmërinë që përftohet gjatë leximit të një teksti”, ka thënë Berlajolli.
Kështu, zhytja në tekstin origjinal mundëson kapjen e një lakoreje të ndjeshmërive që pastaj përkthyesi duhet t’i kalojë tek lexuesi. Por jo të gjithë përkthyesit ia dalin mbanë që të përcjellin tonet e tekstit origjinal.
Duke e cilësuar këtë si “grackë të fjalës”, ai mori si shembull rastin e ndonjë përkthyesi që gjuhën e kulturës e përkthen fjalëpërfjalshëm: “I am a doctor” i anglishtes përkthehet si “unë jam një doktor” duke ruajtur panevojshëm nyjën e pashquar.