Kulturë

Përkrahja e kulturës në Prizren përballet me kritika për diskriminim

Shumat e ndara nga buxheti komunal për organizatat joqeveritare të kulturës, sipas opozitës, janë joproporcionale, meqë ka dallime sa i përket përkrahjes së festivaleve të themeluara rishtazi në raport me ato tradicionalet, të cilat e kanë promovuar Prizrenin edhe në arenën ndërkombëtare. Transparencë më e madhe është kërkuar edhe nga Rrjeti i Organizatave të Kulturës. Ndërkohë zyrtarët komunalë kanë thënë se OJQ-të janë mbështetur në mënyrë serioze, bazuar në projektet e paraqitura

Subvencionimi i projekteve kulturore nga Komuna e Prizrenit për vitin 2023 si proces po konsiderohet jotransparent nga shoqëria civile. Ndërkohë shumat e ndara nga buxheti komunal për këto projekte, sipas opozitës, janë joproporcionale, meqë ka dallime sa i përket përkrahjes së festivaleve të themeluara rishtazi në raport me ato tradicionalet, të cilat e kanë promovuar Prizrenin edhe në arenën ndërkombëtare.

Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren pas publikimit të përfituesve të subvencioneve nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka kërkuar transparencë më të madhe për procesin, respektivisht publikimin e shumave të mbështetjes, përshkrimin e projektit dhe të dhënat për komisionin vlerësues.

“Rrjeti i Organizatave të Kulturës i bën thirrje Komunës së Prizrenit që t’i rishqyrtojë këto veprime dhe të angazhohet për zbatimin e praktikave më të mira të qeverisjes, pasi që mospërfillja e këtyre kërkesave krijon hapësirë për dyshime për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e parasë publike”, ka shkruar RrOK.

Dafina Alishani, anëtare e Kuvendit të Komunës nga Lëvizja Vetëvendosje, ka shprehur qëndrimin se thirrja e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, prej fillimit ka qenë diskriminuese ngase ka qenë e vlefshme vetëm për OJQ-të derisa artistët si individë nuk kanë mundur të aplikojnë. Pas qasjes në dokumentet zyrtare ajo ka shprehur qëndrimin se subvencionet e ndara janë joproporcionale, pasi ka diskrapancë të madhe në mbështetje. Alishani ka theksuar se në këtë rast ka padrejtësi si dhe demotivim për festivalet e dëshmuara që kanë pasur ndikim në ekonominë lokale, si dhe në promovimin e qytetit në arenën ndërkombëtare.

“Më pastaj ndarja e subvencioneve ka pasë shumë diskutime, por edhe pakënaqësi, për shkak se vërehet se disa organizata apo disa festivale që kanë edicione të 22-a të 34-a janë barazuar ose edhe janë nënvlerësuar me disa festivale, të cilat do t’i quaja të reja, që rishtazi janë dalë për shkak të interesimit të qeverisë së re për me pasë sa më shumë festivale, por me pasë festivale me persona, të cilët janë të afërt me ta”, ka thënë Dafina Alishani, kuvendare nga LVV-ja.

Adem Morina, drejtor i DKRS-së në Komunën e Prizrenit, ka deklaruar se administrimi i procesit të subvencionimit të projekteve kulturore është bazuar në rregulloren përkatëse dhe se OJQ-të janë mbështetur në mënyrë serioze, bazuar në projektet e paraqitura. Ai ka shprehur bindjen se subvencionimi do ta fuqizojë jetën kulturore në Prizren, ndërkohë që ka shtuar se kritikat janë detyra të opozitës.

“Opozita e ka këtë rol. Edhe nëse është shkëlqyeshëm, ajo e ka rolin që duhet të kritikojë. Edhe unë i marr me thënë të drejtën me sportivitet këto kritika, ngaqë jemi të hapur. Çdo kërkesë që është bërë për të pas qasje në dokumente zyrtare ne i kemi paraqitur komplet ashtu qysh është gjendja reale, i kemi dhënë, dhe po besoj që kjo është transparenca jonë jo vetëm këtë herë, por sa herë që kërkohet”, ka thënë Morina.

Vlera e përgjithshme e ndarë nga Komuna e Prizrenit për subvencionimin e OJQ-ve nga fusha e kulturës sivjet ka qenë rreth 650 mijë euro. Raporti i fundit i BE-së për Kosovën ka vlerësuar se institucionet përkatëse duhet të bëjnë përpjekje për ta rritur transparencën e financimit publik për organizatat e shoqërisë civile.