Kulturë

“Perceive, Record, Imagine” skanon Ballkanin e djegur e të shpresës

“Perceive, Record, Imagine”

“Perceive, Record, Imagine”, në thelb është një ftesë për të rimenduar jo vetëm këndvështrimin dhe përjetimin e botës, por edhe për ta kundruar rolin që arti luan në formësimin dhe pasurimin e kësaj përvoje. Në foto: Peizazhet e Blerta Hashanit

Përderisa Josht Franko rrëfen nëpërmjet atyre që në Ballkan e nëpërmjet tij kërkojnë shpresën, Blerta Hashani me peizazhe rimodelon perceptimin e botës e Mila Paniq djeg tokën. “Perceive, Record, Imagine” në “Galerinë 17”, kuruar nga Tevzh Logar, hedh dritë mbi sfidat universale si migrimi, identiteti dhe ndërlidhja emocionale me hapësirën, duke krijuar një dialog mes përvojave individuale dhe historive kolektive

Ekspozita “Perceive, Record, Imagine”, shkon përtej një përmbledhjeje artistike, teksa shndërrohet si një platformë për të sfiduar narrativat e ngulitura dhe për të ofruar perspektiva të reja mbi rajonin e Ballkanit. Duke bashkuar tre artistë me qasje unike – Josht Franko, Blerta Hashani dhe Mila Paniq – ekspozita me kurator Tevzh Logarin, e hapur në “Galerinë 17” në Prishtinë, ndërthur konceptet e perceptimit, dokumentimit dhe imagjinatës në një cikël të pandërprerë midis të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes.

Përmes kësaj qasjeje, hedh dritë mbi sfidat universale si migrimi, identiteti dhe ndërlidhja emocionale me hapësirën, duke krijuar një dialog mes përvojave individuale dhe historive kolektive. Në thelb, ajo është një ftesë për të rimenduar jo vetëm këndvështrimin dhe përjetimin e botës, por edhe për ta kundruar rolin që arti luan në formësimin dhe pasurimin e kësaj përvoje.

Në “Galerinë 17”, një hapësirë intime, e vogël dhe e ndriçuar nga dritat e neonit, veprat artistike marrin jetë në një atmosferë që pasqyron ndjesinë dramatike të artit bashkëkohor.

Në qoshe të galerisë, është projektuar videoja e Mila Paniqit, “Fusha e djegur” që përngjan me një pikturë të gjallë.

Në muret përreth, janë shtatë peizazhe të fuqishme të Blerta Hashanit që eksplorojnë marrëdhënien komplekse të natyrës midis fuqisë, bukurisë dhe herë-herë ashpërsisë të saj. “Ambient (Mal)”, “Ambient (Hapësirë III)”  “Ambient (Gjendje II)”, “Ambient (Lëvizje në hapësirë)” dhe “Ambient (Figurat në hapësirë)” të vitit 2020 tok me “Imagjinata, një orbitë larg realitetit”, “Imagjinata, një orbitë larg realitetit Il” të vitit 2022, përbëjnë mozaikun e saj.

Në dysheme, një tjetër dimension prekës i ekspozitës, gazetat e shpërndara, tregojnë histori prekëse të refugjatëve që ikin nga luftërat – artikujt përshkruajnë shkaqet e konflikteve, ndërsa fotot bardh e zi të fytyrave të tyre të rraskapitura godasin heshtazi. Janë veprat e Josht Frankos “Until I Become Home” dhe “A Memory Without Evidence”.

“Të menduarit për një regjion përmes peizazheve e lidh idenë abstrakte me realitetin e vëzhgueshëm, gjithashtu përmes prizmit të artit, ku peizazhet nuk janë thjesht regjistrime vizuale, por edhe pasqyrime të ndërveprimit dhe interpretimit të njerëzimit me gjithçka që na rrethon. Ky është gjithashtu interesi kryesor i ekspozitës ‘Perceive, Record, Imagine’ që përmes perspektives së peizazhit, tregon se si perceptimi ynë informon dokumentimin, si regjistrimi çon në riinterpretim dhe si imagjinata mund të rimodelojë botën që perceptojmë”, shkruhet në fjalën e kuratorit të ekspozitës, Tevzh Logar.

Në qoshe të galerisë, është projektuar videoja e Mila Paniqit, “Fusha e djegur” që përngjan me një pikturë të gjallë

Në vernisazhin e ekspozitës të mërkurën mbrëma, Logar ka thënë se ekspozita “Perceive, Record, Imagine” – që është pjesë e ciklit “Skanimi i Rajonit” konceptuar nga “Galeria 17” si nismë që fokusohet në shqyrtimin dhe ruajtjen e historive dhe identiteteve të shumëfishta brenda rajonit – dëshmon se pavarësisht ku jetohet, në Slloveni, Bosnjë, Kosovë apo Maqedoni, ka një lidhje të përbashkët.

“Ashtu siç e shihni këtu, të tre artistët – Josht Franko, Blerta Hashani dhe Mila Paniq – kanë qasje të ndryshme për tema të ndryshme, duke punuar në mënyra të ndryshme, por unë nuk kam dashur ta shoh këtë si një punë të ndarë por si një cikël”, ka thënë Logar, i lindur më 1979 e që punon si kurator i pavarur, redaktor dhe autor. Ka kuruar ose bashkëkuruar një numër ekspozitash grupore dhe individuale dhe ka bashkëpunuar me institucione, galeri, koleksione dhe botues.

Kur ka folur për veprën e artistes nga Bosnjë-Hercegovina, Mila Paniq, ka thënë se ajo lidhet me elementet e perceptimit që harmonizohet edhe me fjalën e parë të titullit të ekspozitës “Perceive”. Sipas tij, për “Fusha e djegur” ajo ka regjistruar tokën që në të ardhmen do të mallkohet gjatë procesit të trashëgimisë.

“Ajo e pyet veten se cila është përgjegjësia e saj në këtë dhe me çfarë ka të bëjë kjo djegie”, ka thënë Logar për t’u ndalur edhe te vepra e Josht Frankos “një fotograf i ri slloven që ka bërë një hulumtim për refugjatët në Ballkan duke dhënë një kontribut të madh në gazetari si për ‘The Guardian’, ‘New York Times’”.

“Ai nuk bën thjesht një regjistrim, por ai mundohet të shkojë më larg dhe mundohet të paraqesë rrënjët e refugjatëve. Ai ka krijuar një koncept dhe ka botuar këtë gazetë për refugjatë nga Afganistani, Gaza, Siria. Puna e tij ka marrë shumë kohë sepse i është dashur të fitojë besimin dhe të promovojë dhe informojë për të gjitha problemet për të cilat në jemi në dijeni, por nuk ndërmarrim asgjë”, ka thënë Logar. Është fjala për refugjatë që ndalen e kalojnë nëpër Ballkan.

Shtatë peizazhet e Blerta Hashanit sipas kuratorit janë të lidhura me kohën dhe hapësirën reale, “megjithatë ka anën e saj private duke i inkorporuar dhe ripunuar peizazhet” që, siç e ka përshkruar ai, është një imagjinatë ndriçuese.

“Qasja e saj ofron një perspektivë të saj intime mbi natyrën përreth, që ka tejkaluar përshkrimin e thjeshtë të peizazhit, duke shërbyer si një eksplorim i thellë i lidhjeve njerëzore me natyrën, kujtesën dhe kontemplimin”, ka thënë Logar.

Fitore Isufi-Shukriu, drejtoreshë artistike e “Galerisë 17”, ka thënë se kjo ekspozitë është e katërta në serinë e ekspozitave “Skanimi i Rajonit”. Kuratorin Tevzh Logar e ka cilësuar si njohës të mirë të kontekstit ballkanik, sepse ka bashkëpunuar me artistë edhe të tjerë të vendit e të regjionit dhe e njeh mirë edhe aspektin historik, social dhe kulturor.

Në dysheme, një tjetër dimension prekës i ekspozitës, gazetat e shpërndara, tregojnë histori prekëse të refugjatëve që ikin nga luftërat. Janë veprat e Josht Frankos “Until I Become Home” dhe “A Memory Without Evidence”

“Ajo çka shohim te vepra e Mila Paniqit është djegia e një fushe që është një ritual që e bëjmë edhe ne për fertilizimin e tokës është një projekt që është (në teknikën v.j.) ‘one shooting”, vetëm një kuadër që duket si një pikturë dhe provokon shumë perceptimin tonë. Një xhirim me kamerë por duket si një pikturë në lëvizje”, ka thënë Isufi-Shukriu për veprën e artistes për të cilën shkruhet se është “artiste dhe stand-up komediane e lindur në Bosnjë, praktika artistike e së cilës ka përfshirë dokumentimin personal, elemente vizuale poetike dhe diskursive, përmes të cilave ajo ka krijuar një cikël që interpreton trashëgimitë e ndryshme të migrimit”.

Isufi-Shukriu për veprat e Josht Frankos ka thënë se dokumentojnë, arkivojnë por “mundohet ndërkohë të dëshmojë një situatë që ka lidhje me migrimin që dhe edhe sot është shumë prezent edhe në këtë kohë me luftërat që janë duke ndodhur”.

“Pastaj vjen puna e Blerta Hashanit me peizazhet që janë imagjinative dhe Tevzhi thotë se ky nuk është një segment por një cikël sepse ne persekutojmë, regjistrojmë pastaj imagjinojmë, pastaj i kthehemi të njëjtit cikël. Dhe kjo është njëfarë forme jo vetëm e ndërlidhur me historinë tonë si regjion por ka shumë kuptim edhe përtej regjionit”, ka thënë ajo. Në fletushkë shkruhet se Blerta Hashani (lindur në 1997) është artiste nga Mirashi, Kosovë. Ka diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Prishtinë në vitin 2019. Praktikon pikturën, vizatimin dhe fotografinë për të eksploruar konceptet e mistikes dhe simbolizmit.

Për Fitore Isufi-Shukriun, është shumë e rëndësishme të krijohen lidhjet midis artistëve lokalë dhe të rajonit, gjithmonë me idenë që të analizohet përtej stereotipave që janë krijuar ose u kanë dhënë formë këtyre narrativave të Ballkanit si regjion.

“Kemi konsideruar që duke marrë parasysh temat e sotme, preokupimet e artistëve në këtë globalizëm nuk janë aq të ndryshme prej vendeve të tjera të Evropës dhe kemi organizuar për të parë dhe analizuar ku qëndrojmë në dialog me artistët e tjerë të vendeve më të zhvilluara”, ka thënë Isufi-Shukriu. E, “Perceive, Record, Imagine”, nuk është vetëm shembull bashkëpunimi e dialogu, por edhe i qasjeve e sfidave të përbashkëta në Ballkan e më gjerë.