Kulturë

“People’s Champ” për kampionin e ringut si shembull guximi

Kanë qenë brohoritjet e publikut që ia dhanë edhe titullin librit. “People’s Champ” nga gazetari Artan Vërbica, botuar nga Botimet KOHA, i përuruar të premten në Panairin e Librit në Prishtinë, sjell rrugëtimin e boksierit Elvir Muriqi, rrëfimin për sukseset e sfidat e tij, e që është një shembull guximi.

Si mjeshtër të boksit, luftarak, guximtar e i tillë që për herë të parë solli boksin profesionist në Kosovë, është cilësuar nga miqtë e profesionistët e fushës boksieri Elvir Muriqi. Për boksierin, i cili karrierën e tij e zhvilloi në SHBA dhe u ndesh me disa prej emrave më eminentë të boksit, si Antonio Tarver e Clinton Woods, gazetari Artan Vërbica shkroi monografinë me të cilën në 200 faqe shpalos rrëfimin e tij e të të tjerëve për Muriqin. E titulloi “People’s Champ” (Kampioni i njerëzve), bazuar në thirrjet e publikut.

Kishte qenë 15 vjeç kur nën direktivat e trajnerëve të njohur Driton Kuka dhe Besnik Istrefi, Elvir Muriqi ishte shpallur kampion i Kosovës për grupmoshat e reja në sportin e kikboksit. Pas hapave të parë në Kosovë, ku kishte ushtuar edhe karate e boks, në moshën 17-vjeçare Muriqi ishte larguar për në SHBA, ku edhe do ta zhvillonte karrierën si boksieri i suksesshëm. Në vitin 1988, pas katër fitoreve të njëpasnjëshme, Muriqi kishte arritur ta siguronte çmimin e madh “Golden Gloves” (Dorëza e artë) në kategorinë gjysmë të rëndë, një trofe të cilin dikur e kishte fituar edhe i pakrahasueshmi Muhammad Ali.

Në librin e tij gazetari Vërbica mundohet të kapë secilin moment të jetës së boksierit Muriqi. Libri nis me një biografi dhe vazhdon me fillimet e karrierës në Kosovë, ikjen në SHBA, përshkrimin e dueleve, sikurse ato me Billy Desser, Nicholas Robles, Johnny Walker, Tyrone Wallace e të tjerë. Libri përmban edhe pjesë nga intervistat që Muriqi kishte dhënë për gazeta të njohura amerikane, si ajo për “Bronx Times Reporter”, fotografitë e tij në kopertinën e “World Boxing Magazine”, si dhe imazhe të shumta gjatë ndeshjeve. Në pjesën e fundit të librit janë publikuar disa nga deklaratat e miqve, gazetarëve, komentatorëve dhe atyre që u kishte rënë të punonin me Muriqin, si: Jeremi Lantz – udhëheqës i Federatës së Boksit Amerikan, boksierit Lennox Allen, Colin Morgan e shumë të tjerë. Pjesa e fundit e librit i kushtohet së tashmes.

Janë fotografi të Muriqi së bashku me gruan dhe djalin e tyre të vogël.

Libri, i cili u promovua në kuadër të Panairit të 23-të të Librit në Prishtinë, mblodhi trajnerë, ish-trajnerë, boksierë, komentues të boksit, miq e familjarë të Muriqit. Ngjarja u përcoll nën emocione të shumta, teksa njëri pas tjetrit kujtuan triumfet e këtij boksieri, i cili i bëri krenarë shqiptarët gjithandej.

Vetë Muriqi ka qenë fjalëpakë. Teksa falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan në ngritjen në karrierë dhe që në një formë apo në tjetrën i dhanë forcë të vazhdonte, Muriqi pati edhe një mesazh. Nisur nga përvoja e tij ku realizoi gjithsej 47 meçe prej të cilave 40 i fitoi, Muriqi është shprehur se gjëja më e rëndësishme për një sportist është disiplina.

“Në jetë njerëzit si sportist të shohin vetëm kur del, kur je duke kaluar mirë, duke u kënaqur me ndonjë restorant apo ndonjë klub, por nuk e dinë sa i vetmuar je. Por janë puna, sakrifica që e bën për t’u përgatitur me të vërtetë në karrierën tënde. Unë do të doja t’u thosha të gjithëve që ai që dëshiron të bëjë diçka të mos e lërë asnjëherë dikë të të hedhë poshtë e të t’i hupë shpresat. Nëse ti beson në vetvete që mund ta bësh, edhe nëse e gjithë bota të thotë nuk munde ta bësh, t’i mundesh nëse ke vetëbesim. Disiplina është mbi të gjitha nëse dëshiron ta arrish suksesin, kulmin, gjë e cila ndonjëherë më ka munguar”, ka thënë Muriqi.

Autori i librit njëherësh edhe adhuruesi i boksit dhe i Muriqit, Artan Vërbica, ka kujtuar momentet e para kur nisi të shkruante këtë libër, i cili i mori hiç më pak se nëntë vjet. Ka folur edhe për meçin e parë që Muriqi e realizoi në Kosovë më 2004. Bëhet fjalë për duelin me Tony Menefee, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

“Elviri siç e dini ka një karrierë të begatshme dhe unë qysh në vitet kur ky arriti kulminacionin duke boksuar me Antonio Tarver dhe me të tjerët e kisha idenë dhe mendimin që së paku për këtë kolos të sjellim një libër. Vite pas vitesh ky organizonte një karrierë të suksesshme, siç e dini edhe ju dhe ka zhvilluar meçin e parë në vitin 2004, që është edhe meçi i parë profesionist në Kosovë. Pastaj ka kontribuuar edhe në boksin e Kosovës qysh në vitin 2009 kur zhvillon një meç spektakolar, që për nga cilësia mund të themi se ka qenë meçi më i mirë i zhvilluar deri më tani në Kosovë”, ka thënë ai.

Për titullin “People’s champion”, Verbica ishte frymëzuar nga thirrjet e publikut që i kishte dëgjuar vetë kur ishte fotograf në ndeshjen që Muriqi kishte pasur me boksierin Sean Monaghan.

Image
“People’s Champ” është cilësuar si monografi e pasur me rrëfim e fotografi të shtegtimit personal e profesional të djaloshit pejan, që bëri karrierë në boksin profesional në SHBA

“Për të filluar librin ishte viti 2014 kur isha dhe vetë prezent në New York dhe aty edhe e mora këtë fjalë që e dëgjova nga brohoritma e publikut: ‘Even if you will be retired, you will be always people’s champ’. (Edhe kur të pensionohesh, do të jesh gjithmonë kampion i njerëzve”). Elviri tani, të flas me emocion, ai meç i cili është edhe meçi i fundit, boksoi në një mënyrë maestrale. Faktikisht e fillon meçin shumë dobët dhe diku pesë-gjashtë rundet e para i humb. Elviri në atë meç zgjohet në rundin e shtatë, tetë, nëntë dhe e gjakos kundërshtarin, Sean Monaghanin, të cilin nuk e mbanin këmbët”, ka kujtuar autori, duke dhënë një shpjegim mjaft të detajuar.

Si adhurues dhe njohës i profesionalizmit të tij, Verbica ka pasur edhe një shpjegim për humbjen që Muriqi kishte pasur në atë ndeshje.

“Në rundin e dhjetë ky ndalet. Ndalet me njëfarë habie që unë edhe sot kur e pyes si mik të ngushtë që e kam, sepse kundërshtari edhe me dy-tri goditje do të përfundonte, por asnjëherë s’më ka treguar pse nuk e ka nokautuar. Por unë e di. Mendoj që ky ka aq zemër të madhe – ai ishte i ri në moshë, ky ishte në moshë dhe sikur nuk deshi t’ia shkatërrojë karrierën”, ka thënë Verbica.

Me nostalgji Muriqin e ka kujtuar edhe trajneri i parë në Pejë, Bekim Muça. Ka thënë se qysh në ditën e parë e kishte vërejtur që Muriqi kishte një natyrë më ndryshe se të tjerët.

“Të flasësh për Elvirin duhet një kohë e gjatë, por do t’i them disa fjalë. Si i ri kur ka ardhur, mu në ditën e parë së bashku me babanë e tij kur e ka sjellë në ushtrime ka qenë si çun i vogël, i ri por ka qenë pak më ndryshe se djemtë e tjerë, pak më i gjallë. Edhe në boks dallojnë, pak ka edhe më të mençur e më të fortë, po ky ka qenë i kompletuar. Ka dalluar prej të tjerëve, ka qenë shumë talent, ka qenë i fortë. Një që e ka pas në fillim e deri në fund të karrierës është që ka qenë shumë i guximshëm e atë pak e kanë”, ka thënë ai.

Gazetari veteran i sportit, Agim Kasapolli, ka kujtuar disa nga ndeshjet e Muriqit që i kishte rënë t’i komentonte. Si njohës i luftës së tij, Kasapolli ka veçuar te ky boksier veçmas mjeshtërinë dhe shkathtësinë.

“Artisti lufton për të marrë çmimin më të lartë të jetës, që do të thotë të marrë ‘Oscar’. Shkrimtari lufton për të marrë çmimin më të lartë, ‘Nobelin’. Në karrierën time si komentator boksi me mikun tim Veliun (Vraniqin) kemi punuar mbi 1500-2000 komentime. Elvirin, unë personalisht mund ta veçoj, në 47 meçet e tija që i ka zhvilluar, një që unë e kam punuar në studio. Me Ahmadin ka dëshmuar se çka do të thotë rezistenca, morali i lartë dhe mjeshtëria në shkathtësi bujare”, ka thënë Kasapolli.

Në mesin e një numri të madh të të pranishmëve ka qenë edhe sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli. Ai është shprehur i lumtur që kishte pasur mundësi që së bashku me ekipin e tij ta gjykojë ndeshjen që Muriqi e kishte realizuar në Kosovë. Demolli është edhe gjyqtar i boksit.

“Ne si Federatë e Boksit edhe pse kemi qenë amatorë në atë kohë, kemi qenë të lumtur dhe krenarë me Elvir Muriqin, i cili në botën e jashtme ka qenë një prej luftëtarëve më madhështor që njohim. Kam qejf ta përmend luftën e cila ka qenë në Prishtinë, ku Elviri ka qenë dhe ku kam pasur nderin ta gjykoj atë meç me ekipin tim. Kemi qenë të lumtur që ka qenë një meç i parë profesional në Kosovë dhe që nga atëherë veçse ka nisur të promovohet boksi profesionist në Kosovë”, ka thënë Demolli.