I rritur në një familje me traditë në punëdore të argjendit, Anton Çivlaku s’ka pasur se si të mos e ushqejë pasionin për këtë punë.
Zanatin thotë se e ka vjedhur, por kreativiteti i tij bën që veprat që punon të dalin të mahnitshme. Një dyqan i familjes në Çarshinë e Gjatë të Pejës është vendi ku ekspozohen punimet e tij.
Rrënjët ilire të punëdoreve
Për ta shpjeguar lidhjen me filigranin e punëdoret, Anton Çivlaku kthehet shumë prapa në histori. Kthehet te rrënjët etnike.
“Kjo zeje tek ne shqiptarët i ka rrënjët që nga ilirët e edhe më herët”, thotë me bindje Çivlaku. Argument për këtë i merr zbulimet që kanë bërë arkeologët nëpër tuma a varreza të kohës ilire. Dekorimet që janë gjetur nëpër sarkofagë janë edhe frymëzim për punën e ditëve të sotme.
Megjithatë, i riu nga Peja thotë se edhe në këtë punë janë bërë transformime.
“Normalisht që kjo punë ka pasur transformime kohë pas kohe dhe nuk ka qenë gjithmonë sikur tash që punohet me mjete të tjera, mirëpo shumë shpesh ndodh që ta shohim një punim para shumë shekujsh që ka ngjashmëri me ndonjë punim që punohet tash”, thotë Çivlaku.
Kjo i jep të kuptojë atij se “kjo zeje është përcjellë brez pas brezi te populli ynë”.
“Kemi qenë të njohur në pothuajse çdo vend, si në Ballkan e Evropë, por edhe më tutje me punimet tona”, thotë me siguri ai.
Edhe në rrafshin personal, Çivlaku po ashtu ka një traditë.
“Jam rritur në një familje ku këtë zeje e kanë trashëguar brez pas brezi dhe duke i shikuar si i vogël më interesonte kjo punë. Gjithashtu, më pëlqenin gjërat e vjetra”, rrëfen Çivlaku.
Kësisoj, gradualisht ai do të niste të punonte, derisa të pavarësohej tërësisht për të marrë epitetin e mjeshtrit të këtij zanati.
Ai e di që pos axhës, gjyshit e stërgjyshit të tij, në familjen Çivlaku mund të shkojë edhe më prapa në histori puna me filigran. Për këtë i ka dhënë vetes mision që të hulumtojë për të zbuluar më shumë.