Kulturë

“Peja Jazz” si çlirim me një eksperiencë të paharruar muzikore

Deri të hapja e “Peja Jazz” kanë mbetur edhe pak ditë. Edicioni i tretë këtë vit do të mbledhë emra të shquar të këtij zhanri muzikor. Artistë vendorë si Elina Duni e Rona Nishliu, e të huaj si Ana Carla Maza do të përplasin botëkuptimet e tyre muzikore në skenë. Një prej yjeve botërorë është artisti italian Vinicio Capossela. “Në këtë kohë kur si shoqëri prapë përballemi nga shumë sfida, ‘Peja Jazz’ vjen si ’çlirim’ nga shabllonet e formave të organizimit të ngjarjeve muzikore”, ka thënë Dardan Selimaj, kuratori artistik i “Peja Jazz”,

Botë kontraste e të përafërta që lidhen me muzikën jazz do të presin publikun në sallën e kinemasë “Jusuf Gërvalla” për katër net me radhë. Gërshetim zërash e instrumentesh të ndryshme që përfaqësojnë kultura të largëta do të karakterizojnë evenimentin muzikor të jazzit në Pejë.

Deri te hapja e “Peja Jazz” kanë mbetur edhe pak ditë. Edicioni i tretë edhe këtë vit do të mbledhë emra të shquar të këtij zhanri muzikor. Artistë vendorë e të huaj do të përplasin botëkuptimet e tyre muzikore në skenë.

Dyshja që po lë gjurmët e veta muzikore në skena të ndryshme, këngëtarja Elina Duni dhe kitaristi Rob Luft do ta hapin këtë ngjarje muzikore. Ata shquhen për atmosferën magjepsëse që bartin në skenë e interpretimi i tyre shpesh e ka marrë me vete publikun. Organizatorët kanë përzgjedhur me kujdes programin, bazuar edhe në numrin e vogël të ngjarjeve muzikore që mbahen në Pejë. Këtë vit ky edicion vjen edhe si një festë e përbashkët ku ulëset i kthehen tërësisht publikut.

“Në këtë kohë kur si shoqëri prapë përballemi nga shumë sfida ‘Peja Jazz’ vjen si ’çlirim’ nga shabllonet e formave të organizimit të ngjarjeve muzikore. Një ‘line-up’ që do t’i ofrojë publikut një eksperiencë të paharruar muzikore dhe që tek në edicionin e 3-të vjen i hapur për të gjithë pa kufizime, kjo meqë dy edicionet e para e kishim të limituar numrin e pjesëmarrësve”, ka thënë kuratori artistik i “Peja Jazz”, Dardan Selimaj.

Organizatorët për këtë edicion janë kujdesur që të bëjnë një përzgjedhje mes emrave vendorë dhe atyre të huaj.

Ana Carla Maza, një artiste e lindur në Kubë, është e njohur për lojën e saj në violonçel dhe si vokaliste. Multidimensionalitetin që e karakterizon edhe si kompozitore ajo do të bartë në mbrëmjen e dytë të “Peja Jazz”. Përgjatë mbrëmjes muzikore ajo do të zbërthejë një univers muzikor të gjithanshëm duke bashkuar jazzin, muzikën klasike dhe ngjyrat e Amerikës Latine në sallën e kinemasë “Jusuf Gervalla”. Ky edicion përmban emra që me muzikën e tyre hulumtojnë vazhdimisht dhe në skenë nuk japin veç një ndjesi të njëtrajtshme.

“Është një ‘line-up’ i artistëve, të cilët në program prezantojnë gjithë hulumtimin e vlefshëm në traditën muzikore të vendeve dhe rajoneve të ndryshme me fokus vendeve prej nga vijnë – por që i sjellin në një përvojë unike koncertale për publikun”, ka shtuar tutje Selimaj.

Për ata që nuk e kanë dëgjuar moti kohë interpretimin e këngëtares kosovare Rona Nishliu, evenimentet e jazzit në Pejë janë një mundësi. Nëpërmjet interpretimit të kuartetit publiku do të mund ta dëgjojë zërin magjepsës të saj të kombinuar me tingujt e jazzit.

“Peja Jazz” do të përmbyllet me ikonën italiane Vinicio Capossela, i cili njihet për performanca të klasit botëror. Capossela është kantautor, poet dhe romancier italian. Capossela është i njohur për tekstet shumë origjinale dhe poetike të këngëve të tij. Shumë prej tyre vijnë nga traditat e muzikës popullore italiane, veçanërisht ato të vendlindjes së prindërve të tij, Irpinia, pjesë e provincës Campania. Për publikun kjo pritet të jetë një mbrëmje ku teksti dhe muzika shkrihen në një përjetim të paharruar. Kjo mbrëmje në njëfarë forme mat edhe peshën e tekstit në muzikë.

“Nga Elina Duni deri tek Rona Nishliu, që përfaqësojnë muzikën shqiptare në këtë edicion, tek Ana Carla Maza, e cila e shpie publikun në tingujt e muzikës kubane e deri tek Vinizio Capossela – një nga kantautorët dhe poetët më të dalluar italianë të kohës në muzikën e të cilit teksti ka shumë peshë – si mesazh për kohën kur teksti pothuajse e ka humbur kuptimin, na e rikujton rëndësinë e fjalës në një krijim muzikor”, ka shpjeguar tutje Selimaj për KOHËN.

“Peja Jazz” nisi në dhjetorin e vitit 2020, atëherë kur bota pezulloi gjithë aktivitetet në përballje me COVID-19. Goditje të madhe mori edhe skena kulturore në vend e në botë. Shumë prej festivaleve kaluan “online” e të tjera ndalën aktivitetet deri në rikthimin në normalitet, por “Peja Jazz” me vendosmëri e sfidoi këtë situatë duke krijuar një ngjarje të re kulturore, e cila kishte për qëllim veçmas zvogëlimin e distancës nëpërmjet muzikës.

“Një festival si ky besoj fort se është tejet i rëndësishëm në skenën kulturore të këtij qyteti. Është tejet i veçantë edhe për faktin se u themelua në një kohë kur e ardhmja dukej e turbullt dhe kur po testoheshin themelet e shoqërisë bashkëkohore – për shkak të ballafaqimit me pandeminë”, ka theksuar Selimaj.

Edicioni i tretë i festivalit do të mbahet prej 5 deri më 8 nëntor. “Peja Jazz” organizohet në kuadër të projektit “Anibar”, komunitet i fuqizuar përmes artit dhe kulturës i mbështetur nga Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës së Zyrës së Jashtme Federale Gjermane, Goethe-Institut dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Komuna e Pejës, Ambasada Italiane në Prishtinë, Instituti Italian i Kulturës - Tiranë dhe Kohavisioni si partner medial.