Komuna e Pejës, në 22-vjetorin e Çlirimit, i është kthyer historisë së shekullit të kaluar dhe të tashmit. Pos fjalimeve që kanë përshkruar ditët e vështira të qytetit dhe çlirimin, janë përkujtuar edhe figurat që me profesionalizmin dhe vullnetin e tyre kanë dhënë kontribut në nivelin lokal e atë vendor. Mjekë, shkrimtarë, sportistë, dëshmorë e autoritete të tjera janë nderuar në kuadër të Ditës së Çlirimit.
Pak më shumë se një vit pas vdekjes, Peja e ka dekoruar post-mortem me titullin “Qytetar Nderi” balerinin e ish-drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj. Sa u përket njerëzve të artit, qyteti perëndimor ka dekoruar me titullin “Azem Shkreli” poeten e studiuesen Naime Beqiraj.
Në seancën solemne të Kuvendit Komunal, festa e Pejës ka nisur me pika artistike të udhëhequra nga kompozitori e dirigjenti Memli Kelmendi.
E, pas disa fjalimeve në kuadër të Ditës së Çlirimit, ka qenë radha e nderimit të personaliteteve. Ahmet Brahimaj, i cili vdiq me 7 maj të vitit të kaluar, është përshkruar si artist e themelues i institucionit kulturor.
“Për kontributin e tij në fushën e baletit, si një ndër pjesëtarët e parë të Baletit të Kosovës, dhe si themelues i trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, si njeri ndër solistët më të mirë të trupës së baletit dhe si pjesëtar i familjes së shquar atdhetare të rrethit të Podgurit, si pjesëtar i UÇK-së dhe kontribuues në çlirimin e vendit”, shkruhet në motivacionin të cilin e ka lexuar kryesuesi i Kuvendit Komunal, Islam Husaj.
Kryetari i Pejës ia ka dorëzuar dekoratën Zogëza Mulaku-Brahimajt, bashkëshortes së balerinit të shquar.
Ahmet Brahimaj u lind më 6 dhjetor të vitit 1953, në fshatin Novosellë të Pejës. Ishte në vitin e parë të shkollës së mesme në Pejë kur autoritetet e asokohshme të Krahinës Socialiste të Kosovës do të vendosnin që një gjeneratë e të rinjve të edukohej për balet. Brahimaj do të përzgjidhej gjatë audicionit të mbajtur në disa shkolla të Kosovës.
“Ne nuk e dinim atëherë se çka është baleti. Nuk kishim parë as në televizor”, do të rrëfente ai kur e përshkruante atë periudhë. Kështu, grupi i parë i nxënësve nga viti 1968 deri më 1972 do ta përfundonte shkollën e baletit në Shkup. E, më 1972, ai së bashku me balerinët e tjerë u kthyen në Prishtinë, e pikërisht atë vit, në atë që ishte Teatri Popullor Krahinor, do të formohej Ansambli i Baletit. Kishte luajtur në 38 premiera baleti, e në disa shfaqje teatrore. Nga viti 1985 deri në fillim të viteve ‘90, kur ish-sistemi dëboi shqiptarët nga institucionet, ai udhëhiqte trupën e baletit të asaj kohe. E paslufta është një histori më vete. Do të kthehej nga Kanadaja dhe do ta hapte degën e baletit në kuadër të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Me gjeneratat e para të asaj dege do ta themelonte Baletin Kombëtar të Kosovës, institucion që është paraqitur me shfaqje në disa qendra evropiane.
E mikja e Brahimajt, poetja Naime Beqiraj, është nderuar po ashtu si një personalitet i artit dhe kulturës.
“Për kontributin e saj arsimor, letrar e kulturor, kontributin si profesoreshë universiteti, redaktore, gazetare e studiuese, reportere e anëtare e Bordit drejtues të RTK-së, zonjusha Naime Beqiraj është dekoruar me titullin ‘Azem Shkreli’”, shkruhet në motivacion.
Beqiraj ka thënë se Peja dhe profesorët i frymëzuan edhe tre emra të artit poetik, të cilët shkuan në Pejë për ta përfunduar gjimnazin.
“Këtu e filluan artin poetik, duke mbetur përjetë të skalitur nga më të mëdhenjtë e letërsisë. Të tre ishin të një brezi, Ibrahim Rugova, Teki Dervishi dhe Jusuf Gërvalla. Nder për qytetin tonë që i deshi, i frymëzoi dhe i nderoi”, ka thënë Beqiraj. Ka përmendur edhe Ahmet Brahimajn.
“Ju sot e nderoni edhe mikun tim të ndjerë, mjeshtrin e baletit, Ahmet Brahimaj, i cili, ashtu si Azem Shkreli, kur në vitet ‘60 e krijoi Baletin e Kosovës, Brahimaj e ringjalli si feniksi në fund të viteve ’90, duke e sjellë këtë institucion me vlerë në arenën ndërkombëtare. Kjo flet se ju asamblistët nuk e keni estradizuar mirënjohjen e as artin, siç mund të ndodhë në ndonjë komunë tjetër”, ka thënë ajo. Në fund ka thënë se mendjen e hollë e fisnikëron letërsia.
“Mundohuni të bëni më shumë për letërsinë, për këtë art shijehollë që u takon mendjeve të ndritura”, ka thënë Beqiraj në ceremoninë ku pos dekoratave janë dhënë edhe mirënjohje për qytetarë të Pejës.