Kulturë

“Peizazh koreografik” për mjeshtrin që e bashkoi Kosovën në valle

Do t’i binte trup e tërthorë Kosovës, e prej terrenit do t’i përjetësonte në skenë gjurmët e folklorit. Vallet me koreografi të Xhemali Berishës janë kryekëput të bazuara në tabanin popullor. Ai e bashkoi në valle Kosovën, traditën e saj, ngjyrat e folklorit. Pjesë nga krijimtaria e tij janë shpalosur si retrospektivë për veprimtarinë e tij 50-vjeçare në koncertin në Sallën e Kuqe, e cila është veshur me traditën shumëngjyrëshe

Instrumentistë e valltarë me veshje që përfaqësojnë zona të ndryshme të Kosovës janë dëshmi e asaj që do të prezantohet. Me shumë ritëm e valle të ndryshme është karakterizuar koncerti i së mërkurës mbrëma nga ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”. Me titullin “Peizazh koreografik” ky koncert ka prezantuar pesë dekada pune të koreografit të njohur, Xhemali Berisha.

Në vallet me koreografi të tij ai gërsheton tradita veshjesh e zakonesh. Hulumtime të shumta në terren i ka pasqyruar në punën e tij disavjeçare me ansamblin “Shota”. Koreodrama “Lulet e Marsit” e realizuar për 20-vjetorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës konsiderohet vulë e bagazhit të tij artistik. Në fragmente ka ardhur edhe te publiku në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Me tinguj e vallëzime që nderojnë sakrificën në Drenicë, valltarët e “Shotës” kanë përshkuar edhe në zona të tjera më të thella të Kosovës.

Image
Koreografi Xhemali Berisha ka qenë fjalëpak pas koncertit. Ka thënë që mburret me punën e ansamblit dhe atë që e kanë prezantuar në skenë

Në pjesën e parë rolin më të madh e kanë burrat në skenë, ku rëndë hedhin hapat në harmoni me tingujt. Më pas, me këngë të fejesës, valltaret e kanë dominuar performancën. Me këngë të fejesës nga Opoja, valltaret me veshje shumëngjyrëshe të zonës së Hasit e me shamitë karakteristike i kanë prezantuar ritet që e përcjellin vajzën drejt martesës. Më pas në skenë del edhe nusja e luajtur nga valltarja Zymrije Grajçevci. Ajo vjen e rrethuar nga valltaret të cilat ia këndojnë këngët e kanës. Nusja e nxjerrë në skenë nga zakoni, nuk lëviz. Del e veshur me veshje me jelek ari të njohura si dimitë. Për valltaren Grajçevci ky rol ka qenë më sfiduesi, për shkak në skenë e ndien mirë kur është në lëvizje për të përcjellë hapa që lidhen me valle tradicionale. Por, roli i nuses si kryesori në dasma ka qenë sfidë më vete për të.

“Është një përgjegjësi ky rol. Kur e kam një pjesë që kërkon të jesh në lëvizje, nuk e kam problem, por që të qëndrosh kështu statike dhe tërë vëmendja te ne, ta jep një lloj treme”, ka thënë ajo për KOHËN. Me valle të fragmentuara shkëputur prej “Podugurit” të Xhemali Berishës, burrat dhe gratë janë bërë bashkë për të përcjellë me tinguj dinamik vallet. Nga Podguri ata me hapa vallesh kanë dërguar publikun në atmosferën e ahengjeve të Anamoravës. Valle me jataganë e valle me motive nga Rugova i kanë nxjerrë valltarët në skenë me hijen e rugovasve që luftojnë teksa kërcejnë. Mbrëmja ka qenë e destinuar të përcjellë edhe shumë rite. Kjo është evidente në punën e Berishës, i cili për koreografi inspirohet nga ajo që sheh atje ku janë krijuar vallet.

Fillimisht ishte instrumentist i violinës në ansamblin “Shota” dhe aty hetoi talentin për koreografi. Në vitin 1972 kësaj punë i hyri më seriozisht kur u bë pjesë e Institutit të Lartë të Koreografisë në Sofje të Bullgarisë, ku i përfundoi studimet në vitin 1975. Koreografitë e tij mund të përshkruhen si një përkufizim i hartës së Kosovës. Ai që nga fillimi ishte orientuar në të gjitha zonat e Kosovës dhe arriti të përpunojë materiale nga Hasi, Opoja, Rugova, Anadrinia, Drenica dhe Anamorava për të krijuar një duzinë koreografish autorale të bazuara në tabanin popullor. Në vitin 1988, ai zhvendoset në Gjenevë të Zvicrës ku krijimtarinë e tij mundohet ta bartë edhe atje.

Image
Suzana Drenica e ka sjellë tepsinë mbi sini. Sipas saj luajtja e kësaj pjese dhe integrimi në koncerte si ky janë një mënyrë e mirë për t’i rikujtuar dhe këto tradita

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, u është drejtuar të pranishmëve në sallë ku ka theksuar se vallet e Berishës janë pasuri e pashlyer e folklorit të Kosovës. Çeku ka shtuar se Berisha me punën e tij ka kontribuuar edhe në ngritjen e “Shotës” dhe se kontributi i tij shtrihet edhe në rrafshin e edukimit artistik në fushën e vallëzimit.

“Ka shumë profile që kanë kontribuar në pasurinë kulturore që kemi sot, pa dyshim që një prej tyre është Xhemali Berisha i cili me njohjen e thellë të traditës sonë muzikore ka arritur të vendosë në skenë vlerat më të mira të asaj trashëgimie e cila me krenari prezantohet në skenat dhe festivalet ndërkombëtare”, ka thënë Çeku.

Në skenë përveç lojës me shumë instrumente janë interpretuar këngë me gisht në fyt si traditë e Rugovës.

E Suzana Drenica e ka sjellë tepsinë mbi sini. Sipas saj luajtja e kësaj pjese dhe integrimi në koncerte si ky janë një mënyrë e mirë për t’i rikujtuar dhe këto tradita.

“Mendoj që duhet ta ruajmë këtë traditë kur vajzat këndojnë dhe një grua e moshuar e sjell tepsinë ku ritmi mbahet me unazë. Xhemaliu ka bërë një revolucion të madh që nga viti 1972, kur ka future çiftelinë dhe defin në ansamblin ‘Shota’”, ka thënë Drenica për KOHËN. Para të pranishmëve është luajtur edhe vallja e “Shotës” në dyshe nga solistët Amir Grajçevci dhe Lutfi Binaku. Është luajtur edhe “Vallja e Takisë” nga cikli i valleve të burrave të Opojës dhe është kënduar kënga e Tahur Begut.

Në vitin 2014, Berisha ishte kthyer për të bashkëpunuar përsëri me “Shotën”. Ish-drejtori i ansamblit “Shota”, Shefqet Gjocaj ka thënë kur kishte marrë udhëheqjen e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve njeriu i parë që e kishte kërkuar ishte Xhemali Berishës. Sipas tij ai është njeriu i parë që i ka shkuar në mend kur flitet për koreografinë shqiptare në Kosovë. Sipas tij ai është koreograf që nuk shkëputet asnjëherë nga motivet që mbledh në popull dhe kjo e bën koreografin më të dalluar sa i përket punës në terren.

{gallery}

“Nëse flasim për koreografinë shqiptare mua më bijnë në mend dy emra, Panajot Kanaçi që është babai i koreografisë shqiptare kurse për koreografinë në Kosovë mbi të gjithë të bie ndërmend vetëm Xhemali Berisha. Kur mendon për koreografinë e mirëfilltë të terrenit Xhemaliu është numër një në gjithë hapësirën shqiptare. Nuk ka koreograf që shkon në çdo pëllëmbë, i mbledhë materialet dhe me kujdesin më të madh i trajton”, ka thënë Gjocaj për KOHËN.

Në koncertin për 50-vjetorin e krijimtarisë së tij thotë se do të kishte pasur dëshirë që të ishte i pranishëm kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani për ta dekoruar Berishën.

Xhemali Berisha ka qenë fjalëpak pas koncertit. Ka thënë që mburret me punën e ansamblit dhe atë që e kanë prezantuar në skenë.

“Po ndihem shumë mirë, sepse pati material nga e gjithë Kosova e kjo është më e bukura. S’ka shtet më të bukur se Kosova”, ka thënë ai.