Brenda gjashtë muajsh, skenat e teatrove qipriote sjellin dramat e Jeton Nezirajt. Pikërisht në Ditën Botërore të Teatrit, teatri “Skala”, në Larnaka të Qipros, sjell premierën e shfaqjes “Peer Gynti nga Kosova”. Regjisori Marios Theocharous ka thënë se një dramë si kjo u flet në mënyrë të përkryer kohëve që po jetojmë. Pos teatrit në Larnaka, shfaqja në prill do të jepet edhe në kryeqytetin qipriot, Nikozia
I riu nga Kosova, Peer Gynt, nis kuturisjen ku e ardhmja kërkohet në “parajsën” e quajtur Evropë. Ky udhëtim e tejkalon personalen, sepse në ecje e sipër pikëtakohet me fate vulëhumburish të tjerë që dëshpërimi i bën ta lëshojnë vendlindjen.
Më 27 mars, kur “raca” e artistëve, dramaturgëve e artdashësve kremton Ditën Botërore të Teatrit, teatri “Skala”, në Larnaka të Qipros, do të jep premierën e dramës së Jeton Nezirajt, “Peer Gynti nga Kosova” (Ο Πέερ Γκυντ από το Κόσοβο).
Marios Theocharous është regjisori që do të vërë në skenë dramën plot ndjeshmëri që vërtitet rreth dhembjes së njerëzve që kushtet socio-politike i shtrëngojnë të marrin rrugët e mërgimit.
Giulio Filippo D’Errico, Sofoklis Kaskaounias, Monika Meleki, Miranda Niksidou dhe Athina Savva janë pesë aktorët që prej javësh kanë përveshur mëngët për të interpretuar tekstin e dramaturgut nga Prishtina.
Qysh në fillim të këtij muaji, teatri i qytetit bregdetar qipriot ka afishuar një video si “trailer” në faqen e vet në “Facebook”, ku aktori që interpreton Peer Gyntin shihet tek ha qepë.
Sipas të dhënave të teatrit “Skala”, pas premierës të së shtunës, shfaqja – me muzikë të Hristos Andreou, kostumografi të Thelma Kasoulidou dhe ndriçim të Miroslav Zdravkov – do të ketë performanca të rregullta çdo të shtunë dhe të diel deri më 25 prill. Po ashtu, ajo do të jepet edhe në teatrin “Maskarini” në kryeqytetin e Qipros, Nikozia, më 13 dhe 14 prill.
Marios Theocharous qysh moti ia kishte vënë syrin inskenimit të “Peer Gyntit”. Në emër të kompanisë së tij teatrore, ai kishte provuar të aplikonte për grante, por nuk ia kishte dalë dot. “Ndaj kur teatri ‘Skala’ më ftoi të hapja sezonin për vitin 2021, unë sugjerova Peer Gyntin, duke e ditur që është koha e përkryer”, ka thënë Teocharous për KOHËN
“Një rrëfim për pranimin e larushisë”
Premiera e shfaqjes “Peer Gynti nga Kosova” nuk ka kaluar pa u vënë re nga mediat greke të shtetit ishull me sipërfaqe thuajse të njëjtë sa Kosova.
“Pena e Jeton Nezirajt ndërton një rrëfim mbi pranimin e larushisë dhe përnjohjen e rrjetit universal që bashkon dhe rivlerëson edhe shpirtrat më të pikëlluar”, shkruan mediumi qipriot “philnews”.
Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se ndihet krenar që brenda gjashtë muajsh dy drama të tij vihen në skenë në Qipro. Në një prononcim për KOHËN ai ka vlerësuar faktin që drama e tij do të jepet premierë mu në Ditën Botërore të Teatrit
Regjisori Marios Theocharous ka thënë se pas javësh të tëra provash janë gati për ngjarjen e madhe që vihet në skenë sonte.
Në një intervistë për KOHËN, ai ka vlerësuar faktin se ka qenë e mundur të bënin prova gjatë kohës së pandemisë dhe kufizimeve shëndetësore.
{gallery}
“Njerëzve iu kanë munguar vizitat në teatro për të përjetuar jetën ashtu siç ishte dikur pa maska dhe distancë. Shpresojmë t’i kthehemi kësaj mënyre të jetës sa më shpejt”, ka thënë Theocharous.
Duke folur për gjendjen në Qipro, ai ka thënë se pavarësisht që ka kaluar një javë prejse njerëzit mund të dalin në kafene e restorante, duket se atyre iu duhet të mësojnë prapë t’i bëjnë këto.
“Kështu atyre u duhet të kujtojnë se çfarë është të ndihesh kur merr pjesë në një show, përjeton dhe ndan çastet me anëtarët e tjerë të audiencës, aktorët dhe stafin”.
Në fakt, Theocharous qysh moti ia kishte vënë syrin inskenimit të “Peer Gyntit”. Në emër të kompanisë së tij teatrore, ai kishte provuar të aplikonte për grante, por nuk ia kishte dalë dot.
“Ndaj kur teatri ‘Skala’ më ftoi të hapja sezonin për vitin 2021, unë sugjerova Peer Gyntin duke e ditur që është koha e përkryer”, ka shpjeguar Teocharous.
Por njohja e regjisorit grek me tekstin ishte bërë qysh më 2018 në “Lincoln Center Director’s Lab” në New York.
“E di që e desha atë prej ditës kur mora e-mailin me të gjitha dramat që do të punoheshin aso vere në New York”, ka thënë ai.
Po kështu, vitin e kaluar, teksa po zhbironte mes një dyqani librash, Theocharous kishte pikasur në raft edhe dramën tjetër të Nezirajt “One Flew Over The Kosovo Theater”.
Këtë histori kishte pasur kjo dramë të cilën në tetor të vitit të kaluar ai e kishte vënë në skenën e teatrit “Tsepis”. Varsia Adamou, Yiannis Ioannou, Andreas Nicolaides, Miranda Nychidou, Athina Savva dhe Konstantinos Tsiolis ishin aktorët që u mishëruan me rolet në këtë komedi të Nezirajt që ngre pyetje mbi dinjitetin njerëzor dhe politikën.
“Më pëlqen të punoj me dramat e Jetonit”, ka shtuar Theocharous teksa ka thënë se shpreson që këtë vjeshtë të vijë në Kosovë me rastin e edicionit të sivjetmë të “Kosovo Theatrecase”.
Neziraj: “Jam i sigurt që drama do të pritet mirë”
Vetë dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se ndihet krenar që brenda gjashtë muajve dy drama të tij vihen në skenë në Qipro. Në një prononcim për KOHËN ai ka vlerësuar faktin që drama e tij do të jepet premierë mu në Ditën Botërore të Teatrit.

“Edhe pse nuk kam fare njohuri për skenën e atjeshme teatrore, fakti që dramat e mia duket se ‘kuptohen’ mirë atje, më bën shumë të lumtur”, ka thënë Neziraj.
I pyetur nëse subjekti “kosovar” i Peer Gyntit do të apelojë para publikut qipriot, ai ka thënë se fakti që u zgjodh kjo dramë i lë të kuptojë se ata i kanë bërë “hesapet mirë” në kuptimin që presin që drama të komunikojë me publikun.
“Për këtë nuk kam dyshim”, ka shtuar Neziraj teksa ka përkujtuar kohën kur para dy vjetësh ishte dhënë premiera e “Peer Gynmtit” në Teatrin Kombëtar të Stambollit.
Pritja e publikut kishte qenë e jashtëzakonshme sa shfaqja ishte përsëritur disa herë.
“Jam i sigurt që këtë lloj pritjeje drama do ta ketë edhe në Qipro”.
Neziraj ka thënë se tema e dramës së tij është universale, teksa ka në qendër emigracionin me të cilin të gjitha shoqëritë janë në kontakt në një mënyrë ose tjetër.
“Megjithatë, drama shkon përtej, ajo para së gjithash flet për lirinë, për përpjekjen e njeriut për të qenë i lirë, në një botë ku liria është e kufizuar dhe ajo ngelet ekskluzivitet vetëm i disave”, ka thënë ai.
© KOHA Ditore