Filmi dokumentar “Peace for Nina” i regjisores nga Ukraina, Zhanna Maksymenko-Dovhych, është në fazën e fundit të realizimit dhe montazhin e tij është duke e kryer montazheri i njohur nga Kosova, Enis Saraçi. Dokumentari sjell historinë e Ninës, një nënë ukrainase, djali i së cilës është vrarë nga mercenarët rusë në janar të 2015-s. Zbulon pikëllimin e thellë të saj e cila, kundër krejt pritshmërive, sfidon autoritetet dhe zbulon se edhe hapat e vegjël drejt zbardhjes së të vërtetës mund të çojnë në fitore të mëdha
“Peace for Nina” shpalos historinë e një gruaje ukrainase, jeta e së cilës është shkatërruar nga lufta dhe humbja e njerëzve të saj më të dashur. Në fillim të viteve 1990 burri i Ninës, një oficer në ushtrinë sovjetike, vdiq si pasojë e plagëve të marra në luftën sovjetike në Afganistan. Tridhjetë vjet më vonë, Nina detyrohet të përballet me një humbje të dytë të dhimbshme, kur djali i saj Ihor, pjesëtar në ushtrinë ukrainase, kapet dhe ekzekutohet nga mercenarët rusë, derisa mbronte aeroportin e Donetskut më 2015. Derisa Nina fillon të pajtohet me humbjen e djalit të saj, vendos të mbledhë dëshmi të ekzekutimit të Ihorit. Së bashku me avokatin e saj, ajo takon ish-të burgosur të luftës, dëshmitarë të krimeve dhe ata që ishin ushtarë me djalin e saj, në mënyrë që të mund të rikrijonte momentet e fundit të jetës së tij.
Kërkimi i pandalur i Ninës përveçqë ta gjejë qetësinë personale vjen edhe me qëllimin e dënimit ndërkombëtar të atyre që nisën luftën e pashpallur në vitin 2014. Synimi i saj përfundimtar është që ajo që i ndodhi të birit të saj të njihet si krim lufte në gjykatat ukrainase dhe ato ndërkombëtare.

Nina është protagonistja kryesore në filmin dokumentar “Peace for Nina” të regjisores Zhanna Maksymenko-Dovhych.
“Rrëfimi im sjell mënyrat se si Nina ballafaqohet me humbjen e djalit të saj. Ajo është një njeri i veçantë, i cili nuk është dorëzuar dhe vazhdon të mos dorëzohet. Për të është shumë e rëndësishme që vrasja e djalit të saj të shihet ashtu siç është, si krim lufte në gjykatat e Ukrainës dhe ato ndërkombëtare. Unë e njoh këtë familje dhe në njëfarë mënyre i kam ndihmuar Ninës ta gjejë trupin e djalit të saj edhe me ceremoninë e varrimit. Për mua kjo histori është shumë personale dhe kam vendosur se është shumë e rëndësishme ta tregoj historinë e Ninas nëpërmjet këtij dokumentari”, ka thënë Maksymenko-Dovhych në një bisedë për KOHËN.
Ajo e njeh nga afër Ninën. Lidhja e tyre është edhe familjare. Ka thënë se është mirënjohëse që Nina ia dha mundësinë ta përcjellë e ta xhirojë, pavarësisht se sa i vështirë është rikthimi i atyre ndjenjave dhe zbulimi i detajeve të tjera që asnjë nënë s’do të donte t’i dëgjonte.
“Ky është një film dokumentar ku protagonistja kryesore është vetë Nina, së cilës i jam shumë mirënjohëse që ma ka ofruar mundësinë që të jem me të, ta xhiroj në përditshmërinë e saj, sepse nuk është aspak e lehtë për njerëzit që i kanë humbur më të dashurit e tyre. Historia e saj është unike, por në të njëjtën kohë fatkeqësisht janë shumë familje që po humbin anëtarë të familjes në luftë”, ka thënë Maksymenko-Dovhych.

Maksymenko-Dovhych ka udhëtuar nëpër vende të ndryshme. Ajo që ia ka marrë vëmendjen është se si njerëzit mendojnë se lufta në Ukrainë ka filluar një vit më parë. Ajo thotë se duhet të dihet se lufta ka filluar në 2014-n.
“Çfarë po shoh tash që jam duke shkuar nëpër vende të ndryshme është se njerëzit nuk e kuptojnë se lufta nuk ka filluar para një viti, kjo para një viti ka qenë vetëm një hap drejt përkeqësimit të situatës, por lufta ka filluar 9 vjet më parë për ne”, ka thënë ajo.
Zhanna Maksymenko-Dovhych është nga Kievi. Ajo ka diplomuar në Institutin e Gazetarisë të Universitetit Shtetëror të Kievit në vitin 2000. Ka punuar në media dhe televizion, ku e ka filluar karrierën e saj si gazetare dhe skenariste. E ka bërë regjinë dhe skenarin e filmit të saj të parë të metrazhit të shkurtër ”Boxers” në vitin 2010. Projektet e saj kanë marrë pjesë në festivale të shumta si: “GoEast”, “BEAST”, “Lisbon Film Preview”, “Odessa”, “Docudays UA” dhe të tjerë. Ajo është regjisore e pesë filmave dokumentarë. Tash Maksymenko-Dovhych punon kryesisht në fushën e dokumentarit duke u fokusuar në filmat që trajtojnë tema sociale. Projekti në ardhje “Peace for Nina” është një prodhim ukrainas-zviceran nga Maksymenko-Dovhych, Lyuba Knorozok dhe Dea Gjinovci.
“Që prej kur kam filluar të punoj në këtë film dokumentar unë doja që këtë histori ta bëj të dëgjohet ndërkombëtarisht. Fillova të merrja pjesë nëpër programe të ndryshme dhe në një nga këto programe e kam takuar Dea Gjinovcin. U takuam e për një kohë edhe kemi punuar së bashku dhe kështu e krijuam një lloj bashkëpunimi të vazhdueshëm”, ka thënë regjisorja.

Kohëve të fundit Maksymenko-Dovhych ka qëndruar në Kosovë bashkë me montazherin Enis Saraçi, i cili po e bën montazhin e filmit. Ajo ka thënë se montazheri ka rol të rëndësishëm në realizimin e një filmi dhe se mënyra se si Saraçi është duke bërë bashkë pjesëzat për ta finalizuar dokumentarin “Peace for Nina” është ajo që i është dashur projektit.
“Kam ardhur në Kosovë ta editoj filmin tim, jam duke punuar me një montazher shumë të talentuar, Enis Saraçi. Tash jemi duke punuar së bashku. Nganjëherë punojmë nga shtëpia. Jemi takuar në Itali, kemi punuar atje dhe tash kemi ardhur në Kosovë”, ka thënë Maksymenko-Dovhych.
“Peace for Nina” pritet të finalizohet këtë verë, kur do ta nisë rrugëtimin nëpër festivale.