Guri i Nënës Pashke dhe lokali “Panda” në Pejë, janë në mesin e aseteve që i janë shtuar Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, ka njoftuar kryeministri Albin Kurti në Facebook të shtunën në mbrëmje.
Pos tyre, ai ka njoftuar se në këtë listë janë shtuar edhe Spitali Ushtarak i Gradicës, Përmendorja e Minatorëve, Xhamia e Sfircës, Varri i Don Mikel Tarabulluzit dhe afreskat romake të Dresnikut. Janë 23 asete që i janë shtuar listës së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, ka thënë Kurti.
Përfshirjen e Gurit të Nënës Pashke në këtë listë, Kurti e ka cilësuar si hap të domosdoshëm.
“Kujtimi për vetëflijimin e Nënës Pashke dhe guri që simbolizon aktin e saj do të jenë në përkujdesje shtetërore. Përfshirja në listën e trashëgimisë kulturore, në kategorinë ‘shpirtërore’ ishte hap i domosdoshëm drejt zgjidhjes përfundimtare për Gurin përkujtimor të Nënës Pashke. Më të mirin rrëfim për Pashke Krasniqi Markaj deri sot e ka bërë shkrimtari ynë Ag Apolloni në dokuromanin e tij ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Përfshirjen e spitalit të Gradicës, Kurti ka thënë se është bërë për t’u shndërruar në pikë reference dhe nderimi për mjekët dëshmorë të Kosovës.
“Doktor Lec Gradica nuk u ndalë së ushtruari profesionin e tij deri në momentin që ra dëshmor për lirinë e Kosovës. Oda e familjes së tij në Gradicë të Drenasit ishte shndërruar në spital ushtarak të zonës ku ai i shëronte ushtarët e plagosur të UÇK-së. Kjo shtëpi tash e tutje do të mbrohet me ligjet e shtetit për t'u shndërruar në pikë reference dhe nderimi për doktor Lecin dhe mjekët e tjerë dëshmorë të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Në mbrojtje shtetërore është marrë edhe Përmendorja e Minatorëve në komunën veriore të Mitrovicës, e ndërtuar më 1973 dhe që për autor ka disidentin serb, njërin ndër kundërshtarët më të guximshëm të Millosheviqit, arkitektin Bogdan Bogdanoviq.
Për lokalin “Panda” në Pejë, ku nga shërbimet serbe u vranë gjashtë të rinj serbë e më pas u akuzua rrejshëm UÇK-ja, Kurti ka thënë se mbrojtja e këtij lokali vjen si alarm e thirrje për vigjilencë “karshi mendësisë së pandryshuar politike të Serbisë”.
“Më 14 dhjetor 1998 në lokalin ‘Panda’ në Pejë, shërbimet serbe ekzekutuan gjashtë të rinj serbë për të akuzuar rrejshëm UÇK-në si fajtore, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar gjenocidin që po ngjante në Kosovë. Përveç si kujtesë historike, mbrojtja me ligj të shtetit e këtij lokali vjen edhe si alarm dhe thirrje për vigjilencë karshi mendësisë së pandryshuar politike të Serbisë në raport me shqiptarët dhe Kosovën”, ka shkruar ai.
Xhamia e Sfircës, e ndërtuar në vitin 1890, është objekti më i vjetër në komunën e Kamenicës. Ky simbol i identitetit kulturor e fetar, konsiderohet si një prej monumenteve më të rëndësishme të kësaj ane, ka thënë Kurti.
Don Mikel Tarabulluzi ka qenë mësuesi i parë shqiptar në Kosovë. Në një ambient ku jetonin shqiptarë dhe kroatë, ai hapi shkollën e parë shqipe dhe shërbeu edhe si prift edhe si mësues, ka shtuar Kurti për përfshirjen e varrit të Don Mikel Tarabulluzit në këtë listë.
Afreska të periudhës romake të gjetura në Lokalitetin arkeologjik të Dresnikut në Klinë, shtëpi tradicionale e kulla shqiptare që i kanë rezistuar shekujve, mullinj, shkolla, kisha, janë pjesë e listës së fundit të aseteve që morën statusin e mbrojtjes ligjore.
Vendimi për përfshirjen e këtyre aseteve në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme është marrë të premten nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Nuk ka pasur njoftim të mëhershëm për këtë çështje.
Në listë janë edhe:
1. Kulla e Duhanit "Adem Zajmi" - Peje;
2. Ndertesa e lokalit "Panda" - Peje;
3. Kulla e Beke Syle Millakut - Ujmire;
4. Kulla e Gjon Mark <;::unit, Dresnik- Kline;
5. Mulliri i Isuf Halilit - Pertoq i eperm;
6. Kulla e Nue Jakut - Videje, Kline;
7. Shtepia dhe ahri i familjes Muniku - Prizren;
8. Shtepia e familjes Tupeci - Prizren;
9. Shkolla e vjeter e fshatit Mushtisht - Suhareke;
10. Shtepi bani mi Izet Mako Iii -Maree, Prishtine;
11. Ish Spitali Ushtarak Gradice -Drenas;
12. Permendorja e Minatoreve -Mitrovice;
13. Ish Banoksi - Mitorovice;
14. Oda e Rrahim Igrishtes -Selac;
15. Mulliri i Rrahim Igrishtes -Selac;
16. Kisha e Rekes - Fshati Koprive, Mitrovice;
17. Varri i Don Mikel Tarabulluzit - Fshati Letnice, Viti;
18. Xhamia e Sfirces - Dardane;
19. Kulla e Hasanit - Kulla e Rambujese, Kac;anik;
20. Shtepia e Agim Luzhes - Begrace, Kac;anik;
21. Xhamia e vjeter Komogllave -Ferizaj;
22. Afreskat e Stibadium-it Triclinium - it - Dresnik;
23. Guri i Nanes Pashke.