Të martën, në ambientet e Institutit Albanologjik të Kosovës, historianët e mbledhur kanë konstatuar se UÇK-ja qe nevojë dhe domosdoshmëri e kohës kur edhe veproi. Në sesionin shkencor të organizuar nga Instituti së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, të pranishmit ia kanë atribuuar UÇK-së meritat kryesore të Pavarësisë së Kosovës. “Po të ishte për Ibrahim Rugovën dhe të tjerët që kishin qasjen politike për Kosovën, Pavarësia e Kosovës edhe tani kur flasim vështirë që do të ishte realizuar”, ka thënë historiani e ish-ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Paskal Milo
Në përvjetorin e vrasjes së familjes Jashari dhe në ditët kur mbahet manifestimi “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, historianë nga Kosova dhe Shqipëria janë mbledhur për të shpalosur studime e pikëpamje për UÇK-në.
Të martën, në ambientet e Institutit Albanologjik të Kosovës, historianët e mbledhur kanë konstatuar se UÇK-ja qe nevojë dhe domosdoshmëri e kohës kur edhe veproi. Në sesionin shkencor të organizuar nga Instituti së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, të pranishmit ia kanë atribuuar UÇK-së meritat kryesore të Pavarësisë së Kosovës. Sipas historianëve të pranishëm, mosekzistenca e UÇK-së do të çonte në zgjidhje të tjera e jo te mëvetësia e shtetit më të ri në Evropë.
Historiani Paskal Milo, njëherësh ish-ministër u Punëve të Jashtme i Shqipërisë, ka thënë se partnerët më të mëdhenj të shqiptarëve në botë nuk do të bënin kthesën që bënë në rast se nuk do të ishte UÇK-ja. Sipas tij, ishte UÇK-ja ajo që vendosi me gjithë hezitimet e saj në Konferencën historike të Rambouillet-it.
“Ishte ai hezitim konsekuent dhe luftarak i Hashim Thaçit dhe i bashkëpunëtorëve të tij, ajo rezistencë e komandantëve të UÇK-së në terren që e bënë Delegacionin në Rambouillet të ishte më i mobilizuar, më i përgjegjshëm dhe më i kujdesshëm në vendimmarrjen historike që do të bënte”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se këmbëngulja qe pozitive dhe në atë kohë thuhej se përse hezitohej për nënshkrimin e Marrëveshjes.
“Unë tani e kuptoj se bëri mirë Hashim Thaçi që rezistonte deri në momentet e fundit. Ishte këmbëngulës kaq fort për dy gjëra: e para për transformimin e UÇK-së, dhe e dyta për vendosjen e referendumit pas tre vjetëve. Këto ishin dy pikat themelore që përbëjnë esencën e marrëveshjes nga pala shqiptare”, ka thënë ai. Sipas Milos, kjo është meritë e UÇK-së.
“Po të ishte për Ibrahim Rugovën dhe të tjerët që kishin qasjen politike për Kosovën, Pavarësia e Kosovës edhe tani kur flasim, vështirë që do të ishte realizuar”, ka thënë ai.
Akademiku Pëllumb Xhufi ka thënë se qëndresa pacifiste pati meritën që i qëndroi me konsekuencë opsionit të një Kosove shtet i pavarur. Por, sipas tij, problemi ishte që rruga pacifiste nuk jepte shenjë që mund të çonte në arritjen e këtij qëllimi të lartë.
“Politika e mospërfshirjes në konfliktet e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë nuk u shpërblye siç shumëkush shpresonte. Kosova nuk u ftua në Dayton më 1995”, ka thënë ai, duke iu referuar Marrëveshjes që i dha fund luftës në Bosnjë-Hercegovinë.
Sipas Xhufit, periudha pas Daytonit mund të quhet periudha e zhgënjimit për shqiptarët. Ka thënë se asokohe ndërkombëtarët filluan ta pranonin Jugosllavinë e Milosheviqit. Ka thënë se qasja pacifiste ishte ezauruar dhe rinia e Kosovës u drejtua në një zgjidhje tjetër.

“Në Prishtinë e Tiranë pati nga ata që e akuzuan UÇK-në se kinse ishte organizatë marksiste-leniniste, madje edhe krijesë e UDB-së serbe. Më 24 shkurt 1998, i dërguari i posaçëm për Ballkanin, ambasadori Robert Gelbard, zhgënjeu shumëkënd kur në një deklaratë që bëri bujë lavdëroi Milosheviqin për hapa pozitivë për zbatimin e Marrëveshjes së Daytonit dhe njëherësh i definoi si terroriste aksionet dhe vetë UÇK-në”, ka thënë ai. Sipas Xhufit, pas kësaj, më 28 shkurt të atij viti, Milosheviqi urdhëroi operacionin e parë të madh kundër UÇK-së dhe fshatrave në Drenicë.
“Historia e Jasharëve tronditi opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Holokausti i Jasharëve ishte prova e gjallë se shqiptarët ishin të gatshëm për sakrificë sublime. Pas 7 marsit gjithçka ndryshoi”, ka thënë ai, duke përmendur që më 10 mars u mblodh për herë të parë në Londër Grupi i Kontaktit për Kosovën, që ia drejtoi Beogradit paralajmërimin e parë serioz për të pushuar represionin dhe për të tërhequr trupat speciale nga Kosova.
“Deklaratat e pamatura të Gelbardit u harruan. Vendin e tij e zunë buldozeri i diplomacisë amerikane Richard Holbrooke e plot të tjerë”, ka thënë Xhufi, duke shtuar se heroizmat e UÇK-së duhen treguar gjeneratave të ardhshme.
Në sesionin shkencor të titulluar “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Vlerë Kombëtare”, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, ka thënë se formati shkencor i këtij aktiviteti vjen pas përpjekjes disaplaneshe të viteve të fundit për të deligjitimuar të drejtën elementare të secilit komb që të jetë i lirë dhe të vendosë vetë për fatin e tij.
“Intenca e barazimit të aspiratës shekullore shqiptare për të qenë zot në tokat e tyre me formulimin ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, duke e përgjithësuar në këtë mënyrë të veçantën e mundshme të çdo lufte dhe duke mëtuar të ndryshojë rrënjësisht konceptimin mbi karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës, vjen si një prapavajtje në historinë e njerëzimit”, ka thënë ai. Sipas tij, këtë ridimensionim të pazakontë e ahistorik të paktën shkenca e ka për detyrë që ta vlerësojë në mënyrë kritike.
“Në fund të luftës së UÇK-së bota demokratike u doli përkrah aspiratave të shqiptarëve”, ka thënë Matoshi.
E drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, ka thënë se depërtimi i UÇK-së në arenën ndërkombëtare dhe vënia e relacioneve të nevojshme me faktorët e duhur ndërkombëtarë ishin një domosdoshmëri tjetër për atë kohë. “Në saje të tejkalimit të kësaj sfide, më pak se një vit pas zgjerimit të luftës bota demokratike pranoi arsyeshmërinë e luftës dhe u angazhua për t’i gjetur një zgjidhje të lakmueshme”, ka thënë ai. Sipas tij, për këtë arsye u thirr Konferenca e Rambouillet-it që rezultoi me sulme ajrore kundër Serbisë. Në sesionin shkencor njëditor, me kumtesat e tyre janë paraqitur, midis të tjerësh, edhe studiuesit Emin Kabashi, Nuri Bexheti, Ardit Bido, Lulëzim Lajçi, Emin Sallahu e të tjerë.