Kulturë

“Pas’humbja” si kapërcim i guximshëm i dhimbjes

Guximi lexohet nëpërmjet veprimeve të tyre. Me lëvizjet skenike aktorët duket se krijojnë një kaos ndjenjash. Personazhet sikur rimësojnë të buzëqeshin. Gradualisht dhimbja shndërrohet në forcë. Personazhet nuk mbyllen më në vete për dhimbjen. “Pas’humbjen” – që u dedikohet Etrit Mehmetit e Ukshin Krasniqit të cilët vdiqën më 2020 – autori e regjisori Florent Mehmeti e kishte pasur kaherë në mendje dhe fillimi i procesit nuk kishte qenë i lehtë. “Shfaqja u dedikohet atyre, por flet për të gjithë neve që kemi pasur humbje”, ka thënë Florent Mehmeti

Me ofshama, të gjithë aktorët dalin në skenë përnjëherë. Në pjesën e parë të shfaqjes, komunikojnë pa asnjë fjalë. Nuk mund të këndellën. Si në mjegull nuk e gjejnë kthimin në realitet. Përjetimet e forta të dhimbjes manifestohen në çdo lëvizje. Efektet muzikore e plotësojnë dramaticitetin e emocioneve. Një modifikim i këngës “Në dërrasë të vekut” përsëritet në sfond me muzikën e realizuar nga Donika Rudi. Secila lëvizje e aktorëve është kapërcim në skenat që kalohen pas humbjes. Secili e përjeton në mënyrën e vet. Emocionet mund të lexohen edhe para se aktorët të fillojnë të flasin. Bisedat nisin dhe aktorët flasin në të shkuarën. Pyetjet janë vështrim që aktorët ia bëjnë njëri-tjetrit, por edhe vetes. Përgjigjet ndonjëherë edhe nuk bëjnë punë e personazhet i kthehen mjegullës. Me duar drejt qiellit janë gati të heqin dorë nga gjithçka. Teksa fillojnë të komunikojnë e të vazhdojnë me angazhimet e ditës, gjithçka ndërron.

Guximi lexohet nëpërmjet veprimeve të tyre. Me lëvizjet skenike aktorët duket se krijojnë një kaos ndjenjash. Personazhet sikur rimësojnë të buzëqeshin. Gradualisht dhimbja shndërrohet në forcë. Personazhet nuk mbyllën më në vete për dhimbjen.

“Asnjë shtrëngatë nuk zgjat përgjithmonë”, është një nga frazat që dëgjohet. Lumi mund të ndërrojë rrjedhën për të mirë. Në metaforë me natyrën, ata fillojnë të flasin për humbjen, si hapi kryesor për ta pranuar atë. Derisa flitet për një jetë që shkon, kontrapunkt është ajo për një jetë që lind. Shfaqja me tekst dhe regji të Florent Mehmetit e bashkautorë të dialogëve, Lirak Çelaj dhe Matt Opatrny, erdhi si dedikim për Etrit Mehmetin dhe Ukshin Krasniqin, që kanë qenë shtyllë e punës së teatrit “Oda” për më shumë se 17 vjet dhe kujtimi për të cilët është i pranishëm në çdo shfaqje. Etrit Mehmeti, menaxher i “Odës”, njëherësh shef i montazhit në KTV, vdiq më 21 qershor të vitit 2020, si pasojë e sulmit në zemër. Ukshin Krasniqi, kryemjeshtri i teatrit “Oda”, mjeshtër i ndriçimit skenik, vdiq më 10 dhjetor të atij viti në moshën 40-vjeçare.

“Pas’humbja” e Florent Mehmetit – vëllai i Etritit, koleg shumëvjeçar i Ukshini Krasniqit – ka ardhur edhe si një trasim artistik i rrugës për të rimësuar jetën e re pas humbjes. E kishte pasur kaherë në mendje dhe fillimi i procesit nuk kishte qenë i lehtë.

“Shfaqja u dedikohet atyre, por flet për të gjithë neve që kemi pasur humbje. Jam munduar që me mjetet që i ofron teatri, që një prej roleve më të mëdha që ka teatri është ndërtimi i kësaj empatie, ndërtimi i një forumi shpirtëror që më e vjedhë në mënyrë më artistike dhe më të lartësuar atë që njerëzit e ndrydhin”, ka treguar regjisori Mehmeti për KOHËN.

Image
Ndonjëherë edhe nuk bëjnë punë e personazhet i kthehen mjegullës. Me duar drejt qiellit janë gati të heqin dorë nga gjithçka. Teksa fillojnë të komunikojnë e të vazhdojnë me angazhimet e ditës, gjithçka ndërron. Foto: Agon Mehmeti

Albina Krasniqi, Alketa Sylaj, Arbesa Hysenaj, Ermal Sadiku, Hajat Toçilla, Labinot Raci, Margarita Ukaj, Qëndresa Jashari, Redon Kika, Tahir Beqiri dhe Zana Berisha janë prezantuar me një lojë të natyrshme, ku hetohet liria në bashkëpunim me regjisorin.

“Për ata që kanë dashur, kanë pasur mundësi të fusin edhe pjesën e tyre personale, në kuptim të emocionit dhe qasjes. Profesionalisht kam marrë një rrezik më të madh, me shumicën dërrmuese të aktorëve nuk kam pasur bashkëpunim më herët”, ka shpjeguar tutje regjisori Mehmeti. Aktorët i drejtohen njëri-tjetrit me emra. Biseda ngjan si spontane. Rrëfimet për ata që nuk janë i sjellin në kujtime si udhërrëfyes i përditshmërisë nga lart. “Pas’humbja” nga dramaturgu Jeton Neziraj është vlerësuar si një shfaqje e veçantë në trajtimin dhe mënyrën e komunikimit me publikun. Veçmas është vlerësuar për sinqeritetin me të cilin komunikohen emocionet për atë që prodhon dhimbja pas humbjes së më të dashurve. Tema nuk është e lehtë dhe publiku duhet të jetë i guximshëm të përballet me të.

“Unë konsideroj që ishte një shfaqje serioze mbi një temë jo fort të kollajshme. Për aq sa besoj që ka qenë e vështirë për ekipin për ta trajtuar, për ta kaluar në këtë proces të punës. Po aq sa ishte e vështirë edhe për ne si publik të konfrontohemi me një temë që secili prej nesh në një apo mënyrë tjetër konfrontohemi gjatë jetës”, ka thënë dramaturgu Neziraj për KOHËN.

Shfaqja bashkëkohore e bazuar në koncepte vizuale dhe fizike të aktorëve synon ta nxjerrë publikun nga errësira e dhimbjes. Në reagimin e publikut duket se ekipi i shfaqjes ia ka dalë të nxjerrë emocionet e tij në një sallë ku të gjithë bëhen një me përjetimin.

“Ky lloj laboratori me këta aktorë të rinj, të cilët, secili në mënyrën e vet, ishte prezent brenda atij emocioni, brenda kornizës së kërkimit të nocionit të dhimbjes. Mendoj që Florenti kishte bërë një punë të rëndësishme mbi një temë relevante”, ka thënë tutje dramaturgu Neziraj për KOHËN.

Nga fundi i shfaqjes e duart e ngritura të aktorëve kanë sjellë nëpër mend një njeri të cilin e kujtojnë me shumë dashuri. Për aktorët ka qenë emocion i veçantë për të punuar shfaqjen në dedikim të bashkëpunëtorëve, të cilët i përcillnin në çdo shfaqje që realizohej në dërrasat e skenës së teatrit “ODA”.

“Sa ka qenë e rëndë, ka qenë edhe proces i dashur për ta bërë këtë punë në dedikim të njerëzve që i kemi dashur dhe i kujtojmë”, ka thënë aktori Labinot Raci pas shfaqjes.

Repriza e shfaqjes “Pas’humbja” është dhënë të martën mbrëma në teatrin “ODA”.