Kulturë

Pasaporta e artit me vulën e izolimit

Është i përhershëm një soj konstatimi shabllon se arti i kalon kufijtë, thyen izolimin, i bashkon njerëzit. Por, në rastin e shtetasve të Kosovës është diçka si puna e metaforës. Drama është aty, edhe në vitin e liberalizimit të vizave. Kosovarët do të udhëtojnë pa viza e drama që kanë përjetuar ndër vite është si vulë që nuk shlyhet dot. Është përkthyer shpesh në art dhe ky ka qenë arti i përballjes me realitetin

Përjetimet e viteve ‘90, pasuar prej asaj që kishte ndodhur në Kosovë më 1998 dhe 1999, azilantin kosovar në Gjermani do ta thyenin keqas. Me t’u çliruar Kosova më 1999, Driton Hajredini do të mbushej shpresë. Mendonte se ka ikur koha kur banorët e Kosovës do të përballeshin me diskriminime. Por shpejt do të merrte vesh se tash izolimi përballë shteteve evropiane do të ishte diskriminimi i radhës. E me këtë fakt ai do të prekte kufijtë e durimit. Do të futej në Katedralen e Münsterit në Gjermani.

“A është mëkat që kam lindur shqiptar në Kosovë?”, do ta pyeste ai priftin. “Ndoshta mund të thuhet se mos është ndonjë dënim”, do t’i përgjigjej kleriku nga kabina e tij ku bashkëbisedon me ata që i rrëfehen. Kamera e Hajredinit krejt bashkëbisedimin në errësirë do ta “përkthente” në veprën “Mëkati”. Dhe “dënimi” i përmendur nga prifti ka vazhduar në raport me lëvizjen e lirë deri në fund të 2023-tës.

Janë bërë 24 vjet pas luftës prej kur banorët e Kosovës kanë pritur para ambasadave për viza. Me gjithë liberalizimin, kushtëzimet vazhdojnë edhe me 2024. “Nuk ka përfunduar gjithçka...”, thotë artisti që telashet me udhëtime i ka paraqitur nëpërmjet pasaportave.

Image
“Dream On”, Driton Selmani, qëndisje me gjilpërë në tekstil industrial, 200 me 100 centimetra, 2022

Getoja e evropianëve të rinj

Artistët nga Kosova kanë reaguar në mënyra të ndryshme ndaj pamundësisë së lëvizjes së lirë. E për të reaguar kanë pasur një mijë e një arsye. Kontradiktat dhe ironia kanë ekzistuar në shumë vendime të burokratëve evropianë. Në vitin 2018 dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj, qe shpallur “Evropiani i Vitit” si individi që ka promovuar më së miri në Kosovë idenë dhe vlerat evropiane.

Pikërisht atë vit qendra “Multimedia” që udhëhiqej nga ai ishte ftuar për të dhënë shfaqje në Rumani. “Një shfaqje teatri me katër aktorë...” po bëhej gati që të paraqitej para publikut rumun.

“Provuam në dhjetëra opsione që ekipi të pajisej me viza Schengen, megjithatë, në fund, udhëtimi dështoi. Dhe paradoksalisht, ky dështim ndodhi pak ditë para se unë të merrja çmimin ‘Evropiani i Vitit’ nga Zyra në Kosovë e Bashkimit Evropian”, rrëfen ai. “Thjesht, kemi kaluar nëpër ferr”, thotë Neziraj derisa kujton peripecitë me viza. Bile, para pak vjetësh është bërë me pasaportë të Shqipërisë. Arsyeja bazike: udhëtimi i lirë. Me këso telashesh është përballur dramaturgu më i përkthyer dhe më i inskenuar në vendet evropiane. Ironinë me të qenit “Evropiani i Vitit” dhe pamundësinë për të lëvizur Neziraj e ka përmendur shpesh në publik. E haptas shumë artistë kanë vepruar kësisoj. Kanë ngritur zërin kundër pamundësisë për të lëvizur.

Tashmë i shpërbërë, grupi “Troja” në nëntorin e vitit 2010 në Prishtinë do të mbante koncertin “Young Ghettopians”. Vinte si kundërpërgjigje e një reklame të titulluar “Young Europeans” që shteti e kishte paguar gjoja për t’ia treguar botës potencialin kosovar sidomos sa u përket të rinjve.

Por drama me një duzine dokumentesh në derë të ambasadave nuk përfundonte. Madje as pajisja me vizë nuk ishte e lehtë.

Image
Skenë nga “Mëkati 1”, Driton Hajredini, video-instalacion, 9 minuta e 17 sekonda, 2004 (Foto: Manifesta 14)

“Nëse zoti do të ishte nga BE-ja...”

Artisti Driton Selmani thotë se në letër gjithmonë ka tingëlluar e lehtë.

“Edhe pse unë kam udhëtuar me ftesë nga galeritë dhe muzetë, prapë rruga deri te viza ka kaluar nëpër ferra të fshehura mirë. Vizat kanë qenë deja-vu’ja më e gjatë në jetën time”, thotë artisti konceptual. Tregon se parashikimi i ngjarjeve negative gjithmonë ia ka aktivizuar përgjigjen e trupit “fight or flight” që, sipas tij, është një reagim fiziologjik ndaj stresit, pra marrjes së vizës.

“Pra, me marrë vizë ka qenë ankthi kronik edhe dehumanizim total. Kushdo që thotë se neokolonializmi nuk ekziston, gabon. Atë e kemi në versionin 2.0 në Kosovë, që jetojnë krah për krah në dy kategori: ‘botën e parë’ dhe ‘botën e tretë’ – neve”, thotë Selmani. Për të, në shumicën e rasteve çështja e vizave e ka pamundësuar paraqitjen e artit të Kosovës në Evropë.

“Statistikat janë teori, gjendja emocionale e jona ka pasë dhe ka shumë rendësi kur flasim për prezantim kulturor. Ajo, (shpirtërorja) është sulmu, edhe e ka pamundësu prezantimin në nivelin e duhur”, thotë ai. Madje në këtë aspekt shkon edhe më tej. Thotë se secili ka fobi prej qendrave të aplikimit, ambasadave e deri te Bashkimi Evropian.

“Kjo ka me dashtë kohë me u heq prej kokave tona”, konkludon Selmani. Vepra e tij “Dream on” e vitit 2022 ironizon fort me çështjen e pamundësisë së lëvizjes së lirë. Me ngjyrat e BE-së dhe ato të flamurit të Kosovës ai ka shkruar: “Nëse zoti do të ishte nga BE-ja, ne të gjithëve do të na duheshin vizat për të hyrë në parajsë”. Kjo është veç një nga veprat e tij në raport me këtë çështje. Largimin e regjimit të vizave prej ditës së parë të vitit 2024 nuk e sheh domosdo si hapje të perspektivave të reja “sidomos për një shpend qe ka jetuar gjatë në ishullin Galapagos”. “Por mendoj që ka me ndiku në shume aspekte, sikurse në shkurtimin e distancës Berlin-Prishtine në 2 orë e 15 minuta, dhe jo me 2 vjet e 15 ditë, sa ka qenë koha e pritjes për me udhëtu në po të njëjtin destinacion”, thotë Selmani.

Image
“Pasaporta diplomatike” nga cikli “Pasaportat”, Lulzim Ramushi, vaj në pëlhurë, 40 me 40 centimetra, 2014

Misioni i ambasadave dhe vdekja e pasaportave

Historitë e kosovarëve me vizat nuk kanë kufij. Por edhe të punonjësve të ambasadave po ashtu. Ta zëmë, në vitin 2021 gazetarja italiane, Francesca Borri, qe mysafire e festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Si studente ajo kishte punuar në sektorin konsullor në Zyrën Italiane në Prishtinën e pasluftës.

“Puna ime ishte t’i refuzoja vizat për të gjithë. Pikë”, do të tregonte ajo në teatrin “Oda”.

“Ambasada ishte në ‘Dragodan’. Ne e kishim të ndaluar të zbritnim poshtë në qytet pasi ju ishit të rrezikshëm. Për të aplikuar për viza ju duhej të caktonit një takim. Puna ime ishte të qëndroja në katin e parë. Përgjigjesha në telefon dhe palës i thosha: “Jeni gabim, duhet të thirrni në numrin tjetër. Në tjetrin thuhej: “Ju duhet të bëni një takim dhe ky nuk është numri i duhur’”. Situatat e tilla do ta bënin të çmendej. Rasti me një pacient në nevojë për t’u shëruar në Itali dhe pamundësia e pajisjes me vizë e kishte bërë Borrin t’i “plaste filmi”. Do ta braktiste punën për t’u bërë gazetare nga vatrat e krizave. Ndërkohë pacienti nuk udhëtoi dhe vdiq.

Të vdekura i kishte shpallur në pikturat e tij pasaportat e ish-Jugosllavisë piktori gjilanas Lulzim Ramushi. Një cikël punimesh me pasaporta do ta niste qysh si student në vitin 2003. Pasaportat për artistin nuk tregojnë thjesht ndërrimin e pushteteve, por edhe atë të identitetit. “SFR JUGOSLAVIJA” është mbishkrimi i parë në njërën nga pikturat e pasaportave.

“Përherë është duke u ndërruar identiteti e nuk po kënaqemi”, thotë ai. Përderisa ato jugosllave kanë stemën e një shteti që s’është më, të tjerat do të mbanin stemën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. E mbishkrimi është UNMIK. Kurse pas vitit 2008 ciklin e ka vazhduar me pasaportat e Republikës së Kosovës.

“Sa para ke me vete? Ku do të qëndrosh?...”

“Edhe me këto kemi telashe. Nuk mund të udhëtonim”, thotë ai. Këto piktura shkojnë shumë më thellë. Janë dramë identitare. Por prekin edhe lirinë e lëvizjes. I pyetur nëse ka marrë fund historia e telasheve me udhëtime dhe nëse sa i përket kësaj teme pasaportat brenda kornizave të tij në pëlhurë janë veç pjesë e historisë, ai përgjigjet prerazi: “Jo”.

“Sa para ke me vete? Ku do të qëndrosh? A ke kartele bankare? A keni biletë kthyese? Cila është arsyeja e udhëtimit? Këto janë veç disa pyetje që do të na bëhen në kufi apo aeroport. Pra, liria e lëvizjes vazhdon të jetë e cunguar”, thotë ai. “Pasaportat në tablo edhe në këtë aspekt vazhdojnë të mbesin aktuale”, shton artisti.

Image

Viza e dehumanizimit dhe e fyerjes

Pasaportat e shumta në pikturat e tij ngjajnë me realitetin. Për shembull deri në 115 pasaporta kanë qenë të renditura në tavolinat e punës në administratën e Filharmonisë së Kosovës kur janë plotësuar aplikacionet për viza për të dhënë ndonjë koncert. Koncerti i vitit 2019 në Francë e dy të vitit 2023 në Portugali janë përcjellë me këtë përvojë. Në një tjetër rast kori “Siparantum” nga Peja shpesh e ka provuar këtë. Në fund të këtij viti dhe në fillim të 2024-s do të interpretojnë në Vjenë. Madje një pjesë e Korit do të interpretojë me Orkestrën Simfonike të Vjenës në të njohurit “Silverter Concert”. Tre prej anëtareve kishin viza deri më 30 dhjetor. Pavarësisht se udhëtimi është bërë më 26 dhjetor dhe kthimi më 2 janar – kur regjimi i vizave është i skaduar – shkaku i drojës janë pajisur me viza.

“Po na largohet një telash i madh bashkë me liberalizimin”, thotë dirigjenti Memli Kelmendi. Vazhdimisht është dashur të aplikojnë për viza për nja 40 veta.

Në tërësi procesi i pajisjes me vizë Schengen për dramaturgun Jeton Neziraj ka qenë dehumanizues dhe fyes. Pos kësaj, sipas tij, ka qenë në kundërshtim me ato vlera që kanë promovuar në punën e tyre, me shfaqjet dhe krijimet e tjera artistike. Ka përmendur humbjen e kohës për aplikim e shpenzimet jo të vogla.

“Dhe, mbi të gjitha, ka qenë proces stresues, i lodhshëm dhe shpesh edhe acarues – sepse në fund, para atyre shallterëve të ambasadave, je ballafaquar me zyrtarë arrogantë, lokalë a ndërkombëtarë, por arrogant që besonin se ishin zotër. Arrogancën më lapidare e kemi takuar tek Ambasada gjermane”, tregon ai.

Krejt këto e të tjerat e kishin bërë artistin Driton Hajredini të mos zinte vend pa shkuar te prifti. Ai thotë se kjo çështje do trajtim më të thellë.

“Për çudi tek unë tema e izolimit tonë si popull filloi të reflektohej mu atëherë kur i ‘ndreqa senet’, pra kur isha bërë banor i Gjermanisë e posedoja vizë amerikane”, thotë ai. Ka kujtuar se entuziazmi se me mbarimin e luftës do të përfundonte edhe izolimi nuk doli i vërtetë.

“Por një gjë e mirë ndodhi, sidomos viteve 2000 - 2003 Kosova zgjoi kureshtjen e kuratorëve me nam botëror si Harald Szeeman, René Block e shumë tjerë, të cilët nuk kishin probleme vizash dhe vendosen të vinin te ne në Kosovë, që ta hulumtonin skenën e artit këtu”, kujton ai. Block për ekspozitën “Në grykat e Ballkanit” do të përzgjidhte shtatë artistë nga Kosova, rrjedhimisht më së shumti nga të gjitha shtetet e Ballkanit. “Në Prishtine e takova avangardën e re te Ballkanit”, do të konludonte ai.

“Kjo ishte ekspozita e parë me përmasa gjigante ku do të merrja pjesë edhe unë si artist, por në fund për shkak të vonesës për shkaqe të vizës studentore nuk munda te jem në hapje dhe më mbeti pikë”, kujton Hajredini.

Izolimi do të shkonte aq gjatë sa Hajredini do të realizonte edhe dy video të tjera me priftin. “Absoluticioni – Dialog në errësirë” qe si trilogji e tij është vepra fituese e edicionit të 14-të të ekspozitës çmimi “Muslim Mulliqi 2023”. Tash bashkohen “Mëkati 1” dhe “Mëkati 2”, që erdhi 18 vjet pas me 2022 për të vazhduar me “Absolucioni” të vitit 2023, që ia jep edhe titullin këtij triptiku të Hajredinit. Ai ka ende arsye të pyesë priftërinj nëse është mëkat që ka lindur shqiptar i Kosovës. Por zor se do të shkojë kush te priftërinjtë për të pyetur nëse është bërë mëkat me izolimin e shtetit me popullsinë më të re në Evropë sa i përket moshës.