Një premtim i pambajtur nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) e ka mbajtur peng gati për tre vjet çezmën në formë drejtkëndëshi fare pranë Teatrit Kombëtar të Kosovës, në një nga pjesët me frekuencë të lartë qarkullimi në kryeqytet. Por, me xhamin e ri që zëvendëson atë të mëparshmin, i cili ishte i ciflosur, ajo që na databazën e shtetit për monumentet nën mbrojtje të përkohshme njihet si “Çezmja në sheshin ‘Dr. Ibrahim Rugova’”, është e dukshme për kalimtarët. Derisa nuk kanë dhënë hollësi mbi investimin apo garancinë e xhamit, në Ministrinë e Kulturës kanë thënë se janë përkujdesur që “specifikacionet e materialit të jenë sa më cilësore”
Çezmës dyshekullore në qendër të Prishtinës i është kthyer “nderi” në vend. Gati tre vjet, ky objekt i përfshirë në listën e monumenteve nën mbrojtje nga shteti ka qenë thuajse i paekspozuar për syrin e kalimtarëve nën xhamin e trashë të ciflosur.
Por, nga e hëna, xhami i dëmtuar është zëvendësuar me një të ri duke i dhënë fund edhe pritjes së gjatë nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Ishte pikërisht premtimi i pambajtur nga kjo e fundit që e ka mbajtur peng sanimin e xhamit të dëmtuar. E kësaj radhe, Ministria e Kulturës nuk ka pritur më gjatë dhe i ka mësyrë vetë këtij problemi. Një e katërta e xhamit të Çezmës ishte çarë në korrik të viti 2018.
“Sa i përket investimit, ai është i tëri nga Ministria”, ka thënë të hënën përmes telefonit Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS.
Derisa nuk janë bërë ende të ditura detaje të kontratës, ajo ka thënë se Ministria, që e kishte aktualizuar këtë çështje tash sa kohë, ka pritur një kohë të gjatë për përgjigje nga zyrtarët e agjencisë turke.
“Nuk mund ta zgjatnim më shumë për shkak se është monument i dukshëm dhe i rëndësishëm në qendër të qytetit”, ka shtuar Aliu.
E pyetur nëse ka siguri që xhami i ri nuk do të dëmtohet, drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore ka thënë se kjo mbetet edhe në përgjegjësinë e qytetarëve që kalojnë në këtë zonë me frekuencë të lartë qarkullimi.
“Si investim i Ministrisë, ne kemi pasur kujdes që specifikacioni i materialit të jetë sa më cilësor”, ka thënë tutje Aliu.
Ndryshe, zbulimi i çezmës së gurtë ishte bërë krejt rastësisht në vjeshtën e vitit 2012 teksa eskavatorët po kryenin punime për rregullimin e hapësirës para TKK-së.
Niveli lokal e ai qendror i pushtetit ishin përplasur vazhdimisht për vlerat që thuhej se kishte objekti i sapozbuluar.
Ministria e Kulturës ishte acaruar me veprimin e Komunës së Prishtinës për mbulimin e tij me zhavorr.
Vlora Dumoshi, asokohe drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, e kishte arsyetuar mbulimin me zhavorr si mbrojtje e çezmës nga dridhjet që i shkaktonte makineria e rëndë që po punonte në rregullimin e sheshit.
Pas disa muajsh përplasjesh në relacionin Ministri-Komunë, ishte vendosur që Instituti i Mbrojtjes së Monumenteve Kulturore në kryeqytet të konservonte çezmën në një projekt që ishte paraparë të kushtonte 15 mijë euro.
Por punimet do të fillonin vetëm në prill të vitit 2014 kur Ministria, e udhëhequr asokohe nga Memli Krasniqi, i dha leje projektit të TIKA-s për restaurimin dhe konservimin e çezmës.
Në kuadër të projektit në vlerë prej rreth 20 mijë eurosh, bashkë me ndriçimin dhe ventilimin, sipër çezmës ishte vënë një xham pesështresor që ishte paraparë t’i rezistonte ecjes së kalimtarëve. Ishte prodhuar enkas në Turqi sipas specifikacioneve të lokacionit të çezmës.
Por ky xham nuk do të qëndronte më shumë se katër muaj derisa u thye më 2015. Asokohe, TIKA sërish kishte porositur një xham të ri.
Histori në vete kishte qenë edhe ajo me disa gurë të gjetur te çezma para Teatrit e të cilët kishin përfunduar në zyrën e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës.
MKRS i kishte kërkuar një raport Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore-Prishtinë dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës se pse këta gurë nuk ishin dërguar në Muzeun e Kosovës, siç kishte qenë rekomandimi.
Gjithashtu, kjo Ministri kishte alarmuar se pllaka ballore e çezmës ishte dëmtuar në rrethana të panjohura gjatë natës dhe më pas pjesa më e madhe e saj nuk ishte gjetur.
Sipas databazës së trashëgimisë kulturore – faqe e menaxhuar nga MKRS – “Çezma në sheshin ‘Dr. Ibrahim Rugova’” është përfshirë në listën e monumenteve nën mbrojtje të përkohshme me numrin unik 003591.
Sipas shënimeve zyrtare, çezma me formë drejtkëndëshe është e murosur me gurë të formësuar të lidhur me llaç gëlqeror të bardhë. Në pjesën jugperëndimore të saj ngrihet govata si pjesë përbërëse e çezmës.
“Govata është e ngritur me pllaka gurësh të varreve të ripërdorura (spoli), disa prej të cilave ruajnë mbishkrime epitafesh të shkruara në alfabetin arab. Pllaka qendrore e govatës është katrore dhe ka brinjë të theksuara me gravim në formë të vijës zigzage në mes, me një motiv bimor, prej mesit të së cilës del uji”, thuhet në data bazën e trashëgimisë kulturore.
Datimi i çezmës ishte vështirësuar për shkak të gjymtimit të objektit dhe shkatërrimit të shtresave kulturore gjatë ndërtimeve në vitet ‘50 të shekullit të kaluar.
Por - në bazë të llaçit të çimentos - ekspertët besojnë se kroi është ngritur në gjysmën e parë të shekullit të XIX si një nga dhjetëra krojet publike të qytetit të Prishtinës.