Kulturë

Parisi, nikoqir i dy shfaqjeve nga Kosova që alarmojnë Evropën

Skenë nga “Kthimi i Karl Majit”

Skenë nga “Kthimi i Karl Majit”

Shfaqjet “Kthimi i Karl Majit” dhe “The Handke Project” kanë pasur rrugëtim të bujshëm, por ai nuk ndalet. Stacioni i radhës – Parisi. Për to është rezervuar fundjava në “Theatre-Studio”. Të dyja – me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Nezirajt – kanë dhe një të përbashkët: paradokset e Evropës. Është një ngritje alarmi

Teatri i mirënjohur i Parisit e ka rezervuar fundjavën për dy shfaqje nga Kosova. 

“Theatre-Studio” në Alfortville të shtunën dhe të dielën do të jetë nikoqir i produksioneve teatrore të “Qendrës Multimedia”, “Kthimi i Karl Majit” dhe “The Handke Project”. Do të jepen në katër terminë. Në temë kanë një të përbashkët: paradokset e Evropës. Një pikë tjetër i përbashkët është edhe rrugëtimi nëpër Kontinentin e Vjetër. 

“Kthimi...”, përmbys “orientalizmin” duke e kahezuar në drejtim tjetër. Personazhi i Majit tok me një grup aktorësh nga Kosova i hyn një udhëtimi drejt Perëndimit për të vënë në pah qasjen e Evropës kundrejt Kosovës me superioritetin e vet të supozuar kulturor, politik e intelektual. Kjo është saga e komedisë, me tekst të Jeton Neziraj, nën regji të Blerta Nezirajt. Është prodhim i “Qendrës Multimedia” në bashkëpunim me Teatrin Volksbuhne të Berlinit, ndërsa është dhënë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë në tetor të vitit 2020. 

“The Handke Project” – prodhim i “Qendrës Multimedia” në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Pergolas dhe Festivalin Mittelfest (Itali), Teatrin e Dortmundit (Gjermani), Teatrin Kombëtar të Sarajevës dhe Festivalin Scene MESS (Bosnjë dhe Hercegovinë) – ka çuar pluhur gjithandej. Rast i veçante kishte qenë Beogradi. “Mohuesi i gjenocidit, pa maskë në teatrin e Evropë”, ka qenë titulli i “Kohës Ditore” me premierën e shfaqjes në Prishtinë, më 3 qershor të vitit 2022. 

Shfaqja po ashtu me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Nezirajt, ka kryepersonazh ka Peter Handken, nobelistin austriak, mohues gjenocidesh në këto anë, mik kriminelësh lufte. Por “The Handke Project” nuk ka të bëjë vetëm me të. Atij ia heq maskën, por këtë e bën që edhe Evropa ta shohë anën hipokrite të saj. Fill pas premierës shfaqja do ta niste turneun nëpër rajon e Evropë, në kohën kur Evropa jo rrallë bën teatër edhe me mohues si Handke. 

Skenë nga “The Handke Project” 

“Të dyja shfaqjet kanë pasur turne të suksesshëm në teatro prestigjioze në Gjermani, Itali, Çeki, Rumani, Austri, Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, ndërsa këtë herë në një ngjarje të veçantë do të luhen së bashku në Teatrin Studio në Paris”, ka shkruar “Qendra Multimedia” në njoftimin për fundjavën e dy shfaqjeve në kryeqytetin francez. 

“Është hera e parë që luajmë në Paris dhe prandaj jemi shumë kureshtarë”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj në një deklaratë për KOHËN. Dramat e tij – njësoj sikurse këto të dyja – nuk janë të panjohura për publikun francez. 

“Të dyja, janë drama që tashmë janë botuar në Francë, e ‘Projekti Handke’ edhe ka fituar çmim të rëndësishëm atje, por ta shohim se si do të reagojë publiku ndaj shfaqjeve”, ka thënë Neziraj. 

Në shtator të vitit të kaluar në garë me 400 drama nga të gjitha anët, “The Handke Projekt” e Nezirajt, përkthyer në frëngjisht nga Sébastien Gricourt, mori Çmimin për dramën më të mirë të huaj. Dhe atë në konkursin më të madh të Francës, “Journées de Lyon des Auteurs de Théâtre”. 

Skena që do t’i presë “Kthimin i Karl Majit” – ku luajnë Edona Reshitaj, Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi e Shpëtim Selmani – dhe “The Handke Project” – me Arben Bajraktarajn, Ejla Bavçiqin, Adrian Morinën, Anja Drleviqin e Verona Koxhën – i përshtatet natyrës së tyre. 

“Teatri ku luajmë është mjaft i rëndësishëm dhe njihet për fokusin në dramaturgjinë bashkëkohore. Aty, për herë të parë në Francë, janë vënë në skenë autorë të rëndësishëm bashkëkohorë evropianë, duke përfshirë Sarah Kane, Bilana Srblanoviq, Gianina Carbnariou e të tjerë”, ka thënë Neziraj, njëri prej emrave më të shquar të dramës bashkëkohore.