Kulturë

Parisi hap dyert e botës së ikonës David Hockney që krahasohet me Picasson

Pishinat e Hockneyt

Pishinat e Hockneyt, janë disa nga subjektet më të popullarizuara të artistit. Por ekspozita “David Hockney 25”, e hapur në muzeun e artit “Louis Vuitton Fondation” në Paris, përshkruan shumë më tepër nga karriera e tij

Foto: Associated Press

Një ekspozitë e re e hapur në Paris, me titull “David Hockney 25”, po feston krijimtarinë e jashtëzakonshme të artistit britanik. Kjo është ekspozita më e madhe deri tani me veprat e tij, dhe shfaq më shumë se 400 punime në muzeun e artit “Louis Vuitton Fondation”, përfshirë disa që nuk janë shfaqur asnjëherë më parë. Hockney është një ikonë artistike dhe mund të krahasohet me Pablo Picasson

Pikturat ikonike të një prej artistëve më të mëdhenj të botës, që është ende gjallë, shfaqen para publikut në ekspozitën e re të titulluar “David Hockney 25”.  Pishinat e Hockneyt, si ato që shihen në veprat “A Bigger Splash” dhe “Portrait of an Artist (Pool with Two Figures)”, janë disa nga subjektet më të popullarizuara të artistit. Por ekspozita “David Hockney 25”, e hapur në muzeun e artit “Louis Vuitton Fondation” në Paris, përshkruan shumë më tepër nga karriera e tij. Përveç pikturave klasike të Hockneyt nga vitet ‘60 dhe ‘70, ka edhe vepra moderne që ai i krijoi në iPad.

Po ashtu kjo është ekspozita më e madhe ndonjëherë e artistit.

“Mendoj se ne kemi organizuar një ekspozitë spektakolare. Spektakolare mund të jetë e mirë, mund të jetë edhe e keqe, por mendoj se kjo është thelbësisht e jashtëzakonshme. Dhe ne jemi shumë të kënaqur me të. Mbi të gjitha, Davidi është shumë i lumtur për të, artisti që tani është 87 vjeç, mjaft i brishtë në trup, por jashtëzakonisht i kthjellët në mendje dhe ende pikturon çdo ditë”, thotë Sir Norman Rosenthal, ish-drejtori i Akademisë Mbretërore të Arteve dhe kuratori mysafir i ekspozitës.

Kështu, adhuruesit e artit do të kenë mundësinë të shijojnë disa piktura të rralla – përfshirë ato që nuk janë shfaqur publikisht asnjëherë më parë.

“Në zemër të ekspozitës është në të vërtetë krijimtaria e 25 vjetëve të fundit. Dhe këtu prezantojmë disa vepra që nuk janë shfaqur dhe nuk janë ekspozuar asnjëherë, dhe disa gjithashtu sepse kanë ardhur direkt nga kanavaca e artistit, si portretet më të fundit të infermiereve të tij që ne i prezantojmë në dhomën pasuese, ose autoportreti më i fundit që David pikturoi në Londër dhe e përfundoi vetëm në fillim të këtij viti”, shpjegon Magdalena Gemra, pjesë e ekipit të kuratorëve të ekspozitës.

Hockney është ndoshta më i njohur nga publiku për pishinat në Los Angeles dhe më vonë për peizazhet e vendlindjes së tij, Yorkshire, thotë Rosenthal.

“Ai e ka përjetësuar, si asnjë artist tjetër, atë që mund ta quajmë shpirtin e Kalifornisë. Dhe pastaj u kthye në Angli, ku kaloi disa vjet në Yorkshire, dhe ku në thelb ai bëhet një artist i traditës së Constable, Gainsborough dhe Turner, kjo është një pjesë e madhe e ekspozitës, përfshirë pikturën e tij më të madhe ndonjëherë të titulluar ‘Warter’”.

Në ekspozitë është përfshirë edhe seria e pikturave “The Arrival of Spring” (Arritja e pranverës), e cila u prodhua në një iPad –  por pavarësisht natyrës së saj digjitale, Hockney i quan ato piktura.

“I kemi veprat e pabesueshme dhe ikonike: ‘A Bigger Splash’, ‘Portrait of an Artist (Pool with Two Figures)’, ‘Mr and Mrs Clark and Percy’ dhe ‘A Bigger Grand Canyon’, si dhe vepra të tjera ikonike. Ne gjithashtu prezantojmë disa punime nga vitet ‘60, të cilat nuk janë shfaqur asnjëherë më parë – si ‘Boy About to Take a Shower’ – ose nuk kanë qenë shumë të ekspozuara”, thotë Gemra.

Në vitin 2020, Hockney udhëtoi në Normandi, Francë – regjioni që frymëzoi shumë nga impresionistët e mëdhenj, si Monet. Ai realizoi mbi 100 vepra për këtë koleksion dhe të gjitha u pikturuan gjatë stinës së pranverës, ndërmjet shkurtit të vitit 2020 dhe korrikut të atij viti. Kur artisti bleu për herë të parë një iPad në vitin 2010, ai u dashurua me natyrën e prekshme të teknologjisë dhe nisi disa eksperimente të hershme. Kjo është gjithashtu një mundësi emocionuese për adhuruesit e Hockneyt dhe artit në përgjithësi, për të parë tri vepra të reja. Njëra është një autoportret, dhe të tjerat janë të frymëzuara nga artistët William Blake dhe Edvard Munch.

Kjo është ekspozita më e madhe ndonjëherë e artistit

Hockney është një nga artistët e gjallë më të rëndësishëm britanikë, prandaj kjo retrospektivë pritet të zgjojë kureshtjen e adhuruesve të artit.

“Mendoj se rëndësia e David Hockneyt është e jashtëzakonshme. Dhe vetëm për faktin që kjo është hera e parë që muzeu ‘Louis Vuitton Fondation’ ia liron tërë hapësirën një artisti të gjallë –  dhe ai është David Hockney –  është shumë e rëndësishme dhe na tregon shumë për Davidin dhe vendin e tij në historinë e artit”, thotë Gemra.

“Hockney është një ikonë artistike dhe mund të krahasohet me Pablo Picasson”, shton tutje Rosenthal.

“Ai ka bërë kaq shumë saqë në këtë kuptim, në kohën dhe në mënyrën e tij, mund të krahasohet vërtet me Pablo Picasson. Nuk është rastësi që, nëse hapet një ekspozitë e Picassos, ka radhë njerëzish rreth bllokut. Dhe për kuriozitet, kudo në botë ku ka ekspozita të David Hockneyt, ka gjithashtu radhë të gjata njerëzish rreth bllokut. Nuk dyshoj se do të ndodhë kështu edhe me këtë ekspozitë”, thotë ai.
Jashtë muzeut të artit “Louis Vuitton Fondation”, një shenjë neoni zbukuron hyrjen si vela të ndërtesës “Frank Gehry”, duke mirëpritur vizitorët e ardhshëm. Në të shkruan: “Mos harroni, ata nuk mund ta anulojnë Pranverën”. 

“David Hockney 25” qëndron e hapur në Paris prej 9 prillit deri më 31 gusht 2025.