Vizita e paplanifikuar e shkrimtares austriake Ludwiga Reich në Kosovë rezultoi produktive sa i përket pasurimit të librave në gjuhët e huaja për kulturën dhe historinë e vendit ballkanik. Libri “Paradise regained – Kosova heute” u promovua të martën në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë
Kosova kishte mbetur gati misterioze dhe pak e njohur për të huajt. Për arsye politike vazhdon të mbetet e izoluar në disa fusha, mirëpo vazhdimisht kultura dhe historia po depërtojnë jashtë kufijve nëpërmjet librave të autorëve të huaj për Kosovën. Atyre iu shtua edhe libri “Paradise regained – Kosova heute” i autores austriake Ludwiga Reich, i cili u promovua të martën në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Libri i kontribuon prezantimit të Kosovës në publikun evropian përmes rrugëve kulturore, me theks të veçantë në objektet fetare, varrezat, ushqimet tradicionale e vlerat njerëzore. Vetë autorja ka pohuar se nuk ka ditur asgjë për vendet dhe kulturën në Kosovë, ndaj i gjithë libri është ndërtuar në bazë të gjetjeve në terren: nga intervistat me njerëz dhe rrëfimet e tyre.
“Teksti bazohet më shumë në gjithë intervistat dhe bisedat me njerëz që kam pasur këtu. Fillimisht i kam vizituar udhëheqësit e religjioneve”, ka thënë autorja e librit Ludwiga Reich, derisa ka treguar se ndër të tjera ka paraqitur edhe përshtypjet personale të saj gjatë udhëtimit në Kosovë.
Dokumentimit për lashtësinë dhe të dhënat e tjera për monumentet “protagoniste” në libër, shkrimtarja dhe profesoresha austriake, Ludwiga Reich, ia ka shtuar edhe fotografitë e shkrepura nga telefoni personal.
“Nuk jam fotografe profesionale, fotografitë në përgjithësi i kam bërë me një telefon të thjeshtë, shpeshherë në presion të kohës pasi kam qenë gjithë kohën në lëvizje me veturë dhe shpesh kanë qenë dritaret me pluhur dhe nuk kam mundur ta merrja pamjen e qartë. Fotot në libër janë dokumentacion i tekstit që kam shkruar”, ka thënë Reich për KOHËN.
Libri i mori kohë një vit për realizim, ndërsa u publikua më 6 shkurt të këtij viti. Veprën e realizoi me pesë bashkautorë: ish-ambasadorin austriak në Ukrainë, Gernot Pfandler; ish-deputeten në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek; ish-guvernatorin e Bankës Qendrore, Lulzim Ismajli; priftin ortodoks serb, Ilarion Lupuloviq dhe politikanin austriak, Erhard Busek. Për ish-ambasadorin Pfandler, Reich ka thënë se nuk dinë për fatin e tij pasi për herë të fundit kur e kishte kontaktuar, në dhjetor të vitit të kaluar, ishte në Ukrainë. Ndërsa politikani austriak Busek vdiq më 13 mars të këtij viti, më shumë se një muaj pasi libri u publikua. “Erhard Busek më ka dhënë guxim dhe më ka shtyrë më shumë ta shkruaj këtë libër, pasi që nga lufta e fundit në Kosovë askush nuk po flet mirë për këtë vend. Ai më ka premtuar se do të vijë këtu të mbajë një fjalim dhe të më mbështesë, por ndërroi jetë në Vjenë pasi u publikua libri”, ka thënë shkrimtarja austriake duke treguar gjithashtu për gatishmërinë e Busekut për të ndihmuar rreth librit, të cilit ai ia bashkëngjiti një pjesë teksti të tij.
Të dy këta bashkautorë i kishin premtuar austriakes Ludwiga Reich se do të ishin prezentë në promovim, por nuk ndodhi të jetë ashtu. Lunaçek kishte përmendur çështjen e vizave si një nga temat e librit.
Shafi Gashi, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës, vlerësoi se libri është prezantim i mirë për Kosovën dhe vazhdimësi e librave të botuar më parë të cilët i kanë kontribuar zhvillimit që ka pësuar Kosova dy dekada pas luftës.
“Libri sjell një narrativë shumë interesante, unë e kam analizuar nga perspektiva kryesisht e trashëgimisë kulturore, duke nisur nga monumentet më të hershme religjioze, siç është kisha palokristiane që janë zbuluar gjithandej Kosovës duke nisur nga Ulpiana, Harilaqi dhe shumë të tjera, shumë xhami, kisha mesjetare”, ka thënë Gashi, duke përmendur edhe vëmendjen e veçantë që autorja ia ka kushtuar komunitetit bektashinj, monumentet e të cilit po ashtu ia ka përcjellë me tregime e fotografi.
Ngjarja që shënon promovimin e librit “Paradise regained – Kosova Heute”, si një tjetër libër në listën e literaturës referencë për shtetin në Ballkanin Perëndimor, u organizua nga Shoqata Austriako-Kosovare.
“Autorja Reich e prezanton më së miri në publikun evropian një shtet të ri siç është Kosova. Përmes energjisë pozitive ka arritur ta shkruajë këtë libër për Kosovën dhe historinë e saj. Libri flet për identitetin e Kosovës duke përfshirë kohën më të hershme të historisë, asaj të krishterë të Kosovës, deri në ditët e sotme në historinë e re”, ka thënë kryetarja e Shoqatës Austriako-Kosovare, Remzije Shahini-Hoxhaj, njëherësh profesoreshë në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Në fjalën e saj, Shahini-Hoxhaj ka thënë se libri po ashtu ka shërbyer në portretizimin e Kosovës në botë përmes sportistëve e artistëve, për të dhënë kështu një tjetër arsye pse duhet vizituar ky vend.
Ky nuk është libri i vetëm i këtij lloji në listën e krijimtarisë së profesoreshës dhe shkrimtares austriake Ludwiga Reich. Katër vjet më parë ajo prezantoi librin e saj “The Ivančice Stone Archive”, i cili tregon për historinë e varrezave më të vjetra hebraike në Moravia dhe ngjarjet tragjike që rrethojnë kampin Ivančice (Eibenschitz). Libri është gjithashtu dëshmia e vetme e kulturës lokale hebraike, e cila u fshi plotësisht më 1942.
Autorja 77-vjeçare nga Vjena e Austrisë ka studiuar Pedagogjinë e Muzikës, Gemanistikën, Psikologjinë dhe Historinë e Artit, ndërsa ka ligjëruar në shkolla të ndryshme të muzikës, përfshirë edhe shkollën e mesme të Vjenës e në universitete.