Kulturë

Panairi me mbi tre mijë libra të vjetër nxjerr edhe botimin e 1882-s

Botime që shtrihen në gati 150 vjet mund të gjenden në “Panairin e librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur” në kryeqytet. Janë libra që koleksionuesit i kanë bashkuar në këtë ngjarje treditore. Njëri prej tyre është Fjalori Frëngjisht-Osmanisht përpiluar nga Sami Frashëri, botuar më 1882. Edhe dy të tjerë po të shekullit 19 janë në mesin e më shumë se tre mijë librave që sjellin dhjetë librarë e koleksionistë në këtë panair, i cili ka për qëllim edhe restaurimin e librit

Me kopertina ngjyrë kafeje, tre fjalorët janë në mesin e tre mijë librave të vjetër. Botimi i parë i takon vitit 1882. I dyti më i plotësuar është botuar më 1901, kurse i treti katër vjet më vonë.

Shkrimtari poliglot Sami Frashëri ishte kujdesur që Fjalori Frëngjisht-Osmanisht të përpilohej sa më mirë që të jetë e mundur duke e plotësuar atë dy herë. Emri i tij në këto vepra të rralla është shkruar “Samy-Bey Fraschery”.

Që të tri botimet janë prej veprave që i ruan me xhelozi koleksionuesi prishtinas, Fitim Kameri. Ato marrin goxha vëmendje në “Panairin e librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur”. Edicioni i katërt i kësaj ngjarjeje ofron botime të ish-shtëpisë botuese “Rilindja” të Prishtinës, asaj “Naim Frashëri” të Tiranës e disa ndërmarrjeve të tjera ku botoheshin librat shqip.

Por, koleksionuesit shkojnë edhe përtej tyre. Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, prej të hënës, për tri ditë, kjo ngjarje është stacion i lexuesve dhe atyre që pëlqejnë botimet e vjetra. Janë libra prej më të ndryshmëve që koleksionuesit i sigurojnë nga bibliotekat private.

Botuesi e koleksionuesi Berat Dakaj, i cili e organizon këtë ngjarje, ka thënë se ofrojnë rreth tre mijë e 500 tituj të rrallë e prej tyre ka që as nuk gjenden në bibliotekat publike, përfshirë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Image
Fjalori Frëngjisht-Osmanisht i Sami Frashërit mban vitin 1882 dhe është më i vjetri në edicinin e sivjetmë të panairit

“Shitja nuk është qëllimi i vetëm në këtë panair. Ne kemi edhe aktivitete shtesë. Pastaj lexuesit njihen me koleksionuesit, interesohen për botimet e vjetra, kemi edhe punëtori për mirëmbajtjen e restaurimin e librave të vjetër. Në disa raste kanë sjellë edhe botime që duhen restauruar”, ka treguar Dakaj në ditën e dytë të ngjarjes, ku marrin pjesë dhjetë koleksionistë. Sipas tij, me gjithë dëshirën, nuk kanë pasur mundësi që të plotësojnë kushtet që mysafirë të jenë edhe koleksionues nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

“Është duke pasur interesim për këtë ngjarje si nga koleksionuesit ashtu edhe nga lexuesit”, ka thënë Dakaj.

Koleksionuesi Fitim Kameri, pasi i nxjerr në shtand fjalorët e përpiluar nga Naim Frashëri, tregon se këtë pasion e ka nisur fillimisht me botimet e ish-shtëpisë botuese “Rilindja” e më pas ka vazhduar që ta zgjerojë rrjetin.

“Kam nisur nga pasioni dhe tash është një veprimtari prej së cilës nuk ndahem”, ka treguar ai. Botimin e parë të Fjalorit të përpiluar nga Frashëri ka thënë se e shet kundrejt pagesës prej 400 eurosh, përderisa dy botimet e tjera nga 100.

“Janë vepra të vjetra e me vlerë të madhe. Pastaj janë të përpiluara nga shkrimtari i shquar shqiptar, Sami Frashëri”, ka thënë ai.

Në të njëjtin vend javën e kaluar është mbajtur edicioni i parë i Panairit të Librit për Fëmijë. Kurse në edicionin e tij të katërt ngjarja, që ka për qëllim shpalosjen e librave të vjetër, ka mbledhur më shumë koleksionistë. Organizatorët synojnë që çdo vit të rritet numri i pjesëmarrësve dhe të krijohet një rrjet i atyre që shkëmbejnë informacione, bëjnë shitblerje të librave dhe ndihmojnë në restaurimin e atyre që kanë nevojë.

Shtandet ofrojnë një mozaik të librave në gjuhë të ndryshme, prej shqipes, atyre të rajonit e deri tek ajo angleze. Mesditën e së martës është parë të ketë interesim për librat e vjetër. Librat e përdorur zakonisht ofrohen nga librashitësit në bulevardin “Nënë Tereza” në Prishtinë. Kryeqyteti nuk ka ndonjë librari të librit të vjetër. Botime të këtij lloji mund të shihen vetëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.