Kulturë

Panairi i Librit në Tiranë përballë krizës, alarm për lexuesin

Tash e një çerekshekull, Panairi i Librit në Tiranë vjen si festë, por edicioni i sivjetmë nxjerr në pah krizën e librit dhe mungesën e lexuesit, ani pse Pallati i Kongreseve vërshon nga vizitorët. Sipas statistikave, 80 për qind e shqiptarëve, nuk kanë blerë asnjë libër sivjet dhe ky është alarm. I hapur të mërkurën, Panairi i sivjetmë nis me sfidën për ta rifituar lexuesin nën moton “Të gjithë jemi lexues”

Panairi i Librit në Tiranë është festë dhe të shumtë kanë qenë ata që ia kanë mësyrë Pallatit të Kongreseve, ku janë bërë bashkë rreth 100 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi. Edicioni i 25-të vjen jo vetëm në kohë krize ekonomike, por edhe të mungesës së lexuesve. Sipas statistikave, 80 për qind e shqiptarëve nuk kanë blerë asnjë libër sivjet dhe ky është alarm.

I hapur të mërkurën, Panairi i sivjetmë nis me sfidën për të rifituar lexuesin nën moton “Të gjithë jemi lexues”, si një mundësi rimëkëmbjeje ku shtëpitë botuese pjesëmarrëse në panair ndërmarrin sfidën përmes diskutimesh, takimesh me autorë e përkthyes, por edhe kohë për reflektim në krisjet e leximit, që nisin nga bankat e bibliotekat e shkollave, tek ato të qytetit.

Panairi për pesë ditë do ketë aktivitete të ndryshme jo vetëm në stendat e shtëpive botuese por edhe në sallën ovale ku do bëhen diskutime rreth librave.

Në ceremoni ishin të pranishëm, kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri , kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Arsimit, Evis Kushi dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Bibliotekat në garë me 10 mijë kafenetë e kryeqytetit

“Është 25-vjetori i Panairit të Librit, këtij eventi që është kthyer tashmë në një ushqim të vërtetë për të gjithë ne, ushqim për shpirtin, për mendjen. Shumë aktivitete gjatë pandemisë u sfumuan, gati reshtën së pulsuari, ndërsa Panairi i Librit, takimi me librin mbeti gjithmonë i përhershëm. Tashmë Tetori i Librit ka marrë gjithmonë e më tepër jehonën, që nuk është thjesht jehonë në letër, nuk janë thjesht takime e dialog. Kemi kaq shumë të rinj e të reja, kaq shumë fëmijë e studentë që na tregon jo vetëm kemi shpresë por është edhe realitet i prekshëm”, ka thënë ministrja Margariti.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e ka cilësuar ngjarje fantastike panairin.

“Më vjen mirë që kemi hapur bibliotekat e lagjes sërish, por jemi në garë me 10 mijë kafenetë e Tiranës. Duket se edhe pas 100 vjetësh dilemat janë njësoj: Kush do ushqim për shpirtin e ka këtë fundjavë te Pallati i Kongreseve për t’u hapur ndaj dijes. Kush mendon se është i ditur, Tirana ka edhe 10 mijë kafene, që sigurisht do ta kenë biznesin e tyre”, ka thënë Veliaj.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka thënë se një panair nuk mjafton për të nxitur te të rinjtë, fëmijët e shoqëria, pasionin për lexim.

“Sidomos sot në ditët që jetojmë kur tërheqja pas teknologjisë, telefonit, iPad, është shumë e madhe sfida është e madhe ta nxisim pasionin te fëmijët, por jo e pamundur”, ka thënë ministrja Kushi.

Në ditën e parë të Panairit të 25-të të Librit, Pallati i Kongreseve u mbush me fëmijët e shkollave.

Por botuesit dhe shkrimtarët kanë folur për rënie të numrit të lexuesve dhe për këtë kanë fajësuar çmimet e larta, por edhe cilësinë e librave.

Pavarësisht nga arsyet ekonomike, interneti, njerëzit që e duan librin, kulturën, kombin dhe veten e lexojnë librin. Ajo që sipas tyre është më e keqja që e largoi lexuesin nga libri ishte botimi i librave të dobët. Rëniet e shitjes së librave, rritja e çmimeve kanë ndikuar te shifra që është përmendur kohët e fundit se shqiptarët lexojnë 20 për qind.

Image

Ymeri: 80 për qind e shqiptarëve nuk e kanë mendjen te libri

“E njohim këtë gjendje, por është mirë që doli përpara Panairit të Librit që ta kuptojnë të gjithë, edhe ne, edhe ju dhe në radhë të parë institucionet dhe shteti që jemi në një situatë shumë të vështirë, ku 80 për qind e shqiptarëve nuk e kanë mendjen te libri, ne punojmë për 20 për qind”, ka thënë Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.

Të dhënat tregojnë se 78 për qind e shqiptarëve nuk e kanë lexuar dhe nuk e kanë blerë një libër vitin e fundit.

Për kreun e Shoqatës së Botuesve, faji është i politikave të munguara nga institucionet shtetërore.

“Kemi kaq vjet që i biem kësaj kambane. Shkolla të jetë e hapur për librin. Ne si Shoqatë e Botuesve të bëjmë festivale të librit në Korçë, në Shkodër, Pogradec dhe Durrës”, ka thënë ai.

Nëse Panairi i Librit tërhiqte lexues edhe për shkak të uljes së çmimeve të librit, këtë vit pritet që të ketë një shtrenjtim të këtij produkti.

Rritja e pashmangshme e çmimit të librit me më pak tirazh

“Çmimi i letrës është rritur 80 për qind këtë vit, kemi ulur tirazhet dhe kemi rritur shumë kostot e prodhimit. Ndërkohë, çmimin e librit e kemi rritur 1 mijë lekë më shumë, ndërkohë që kostoja është rritur gati dyfishi. Rritja e çmimit të letrës është fenomen botëror”, ka thënë Ymeri. Edhe këtë vit, fokusi i Panairit janë botimet për fëmijë dhe autorët shqiptarë ku spikasin botimet e shkrimtares Adelina Mamaqi, ndërkohë që një risi në panair është dhe përkthimi i “Don Kishotit” nga Bajram Karabolli, libër që më parë ishte përkthyer nga Fan Noli, por që tani vjen në gjuhën e sotme.

Në Panairin e sivjetmë janë paraqitur edhe autorë nga Kosova me librat e tyre, por edhe autorë nga Shqipëria me libra për Kosovën.

“Republika e Parë – Historia e Kosovës 1989-1999”, vjen e rrëfyer nga publicisti Mero Baze, i cili është mbështetur në dokumente nga arkivi personal i Bujar Bukoshit dhe i qeverisë së Kosovës për të sjellë një kronikë plot fakte, dëshmi të mbledhura nga intervista personale me protagonistë, përjetime, paskuinta dhe të pathëna mbi bashkëjetesën Bukoshi – Rugova, si “murgj të një rruge që nuk ia dinin fundin. Ata ia dolën ta ndërtonin Republikën e Parë të Kosovës, një shtet me letra që nuk e njohu Perëndimi, por e njohën shqiptarët dhe e besuan më shumë se çdo qeveri tjetër të mëpasshme në Kosovën e lirë”, e ka përshkruar Baze, duke sjellë për lexuesin shqiptar një libër kujtese historike bashkë me profilet e dy burrështetasve të kalibrit që sipas autorit, nuk përsëriten lehtë në historinë e një populli.

Ndërkohë që autori Ekrem Bardha sjell një tjetër rrëfim intensiv, “E vërteta - pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, duke zbardhur si një ditar kujtimesh ngjarje, takime, përjetime të një kohe historike me trajektore të gjerë veprimi nga Departamenti i Shtetit, Kongresi, në Kosovë e krejt mjedisin politikëbërës, përcaktues në fatin e Kosovës. Libri sjell përmes dëshmive autentike të protagonistëve, kontributin e spikatur të diasporës shqiptare në Amerikë si një referencë që duhet ruajtur dhe përfshirë në kujtesën historike të shqiptarëve.

“Si po e lufton Rusia Kosovën dhe Ballkanin” është libri i ri i ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj. Autori sjell vizionin e tij mbi të ardhmen e Kosovës pas rikonfigurimit të “skakierës” botërore që shënjoi lufta në Ukrainë. “Rugovën, si e kam njohur”, është një tjetër libër kujtese nga Gani Mehmetaj, i cili sjell përmes dëshmive personale kronikën e kohës së Rugovës sa edhe dimensionin e tij si burrështetas. Shkrimtari, publicisti dhe rockeri i njohur i grupit “Gjurmët”, Migjen Kelmendi vjen për lexuesin në këtë panair me romanin “Gryka e Kohës”, një roman i shkruar në gegnisht për të gjithë shqiptarinë e shekullit XX.

Studiuesi dr. Aristotel Spiro vjen në këtë panair me librin “Për një drejtshkrim shqip modern”, si një kontribut profesional në atë që është kthyer në debat për gjuhën.

Panairi i parë i Librit në Shqipëri është hapur në vitin 1992, kohë kur regjisori Dhimitër Anagnosti, ministër i Kulturës, urdhëronte hapjen e Shoqatës së Botuesve, që 6 vjet më pas do të ndërmerrte nismën për t’i dhënë jetë kësaj ngjarjeje të librit. Panairi i Librit në Tiranë bashkë me atë të Prishtinës – i cili u rikthye në qershorin e sivjetmë me edicionin e 22-të pas dy vjetësh mungese për shkak të pandemisë – janë ngjarjet më të mëdha të librit shqip.