Është vlerësuar se libri akademik dhe shkencor e ka më të vështirë rrugën për të mbërritur te lexuesi krahasuar me letërsinë dhe artet. Kjo kishte qenë një prej arsyeve pse ishte menduar të organizohej Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor. Të hënën ka nisur edicioni i dytë me qëllim të promovimit të botimeve shkencore të të gjitha trevave shqipfolëse. Akademik Sabri Hamiti është nderuar me çmimin “Jakov Xoxa” për veprën “Stilografia”, e botuar vitin e kaluar. Në ditën e parë janë prezantuar vepra të gjuhësisë, letërsisë dhe historisë
Ndryshe prej panaireve të tjera, ai i librit shkencor është vlerësuar i rëndësishëm në prezantimin e vlerave që bart dhe me peshë për pasurimin e literaturës akademike. Në prezantimin e botimeve shkencore të institucioneve akademike nga trevat shqipfolëse është vlerësuar se i kontribuon krijimtarisë akademike, e stimulon, por edhe ndryshon mendësinë se kontributet albanologjike vijnë kryesisht nga studiuesit e huaj. Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor synon të fusë lexuesin në një tjetër horizont për tri ditë.
Hapësirat e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Prishtinë janë kthyer në ambiente panairi jo të zakontë. Shtandet e renditura aty strehojnë numër më të vogël të titujve e edhe vizitori nuk është prej atyre që zakonisht vizitojnë ekspozitat e librit. Janë kryesisht studiues, profesorë universitarë e akademikë. Pas edicionit të parë në Tiranë, të hënën Panairi është hapur në Prishtinë. Synim i Panairit është që të shpalosë arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare.
Është vlerësuar se libri akademik dhe shkencor e ka më të vështirë rrugën për të mbërritur te lexuesi krahasuar me letërsinë dhe artet. Kjo kishte qenë një prej arsyeve pse ishte menduar të bëhej Panairi me qëllim të ofrimit të lexuesit me botimet e kësaj natyre. Kjo është bërë e ditur edhe në ceremoninë hapëse që u ka paraprirë krejt aktiviteteve.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka thënë se libri shkencor është botë më vete dhe se kërkon me ngulm lexues të kualifikuar.
“Magjia e tyre qëndron sa në ide të reja, në dije të gjithanshme dhe mendime të thella, po aq edhe në qëndrueshmërinë e argumenteve dhe vërtetësinë e fakteve. Deduksionet hipotetike dhe as emocionet nuk janë ana e fortë e shkrimit shkencor. Ne në Akademinë e Shkencës dhe Arteve të Kosovës punimet shkencore dhe artistike i konsiderojmë parësore në punën tonë dhe në programet tona vjetore”, ka thënë akademik Kraja. Të pranishmit i ka njoftuar se për dy vjet Akademia ka botuar mbi 35 tituj me vëllim mbi 15 mijë faqe dhe me tirazh prej 300 kopjesh për titull.
Nënkryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Vaso Tole, ka thënë se fakti që edicioni i dytë i ngjarjes po organizohet në Prishtinë është prova më e mirë e vlefshmërisë dhe rëndësisë së organizimit të Panairit. E ka vlerësuar si aktivitet unik që jep mundësinë të shihen nga afër produktet akademike. “Me këtë panair, mes tjerash, dëshirojmë që rrjetit të botuesve të librit shkencor t’u mundësohet funksionimi si një i tërë që botuesit e tij ta shohin njëri-tjetrin si pjesë të një familjeje dhe botimet e qendrave universitare me pak mundësi komunikimi t’u bashkohen rrjedhës së përgjithshme të librit shkencor akademik. Panairi është rast i shkëlqyer për të krijuar një marrëdhënie të re mes botuesve dhe lexuesve”, është shprehur akademiku Tole.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, Panairin e ka vlerësuar si mundësi të mirë për t’i dhënë mendimit shqiptar rol të fuqishëm në diskursin publik.
“Shoqëritë shqiptare kudo kanë më shumë nevojë për kulturë dhe ky Panair shpërfaq arritjet më të mira të shkencës shqiptare ndër vite”, ka thënë ajo. Këtë vit Qendra ka ndarë çmimin “Jakov Xoxa” për nder të 100-vjetorit të lindjes së romancierit të njohur të shekullit të kaluar. Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ia ka dorëzuar çmimin akademikut e profesor Sabri Hamitit për librin “Stilografia” të botuar vitin e kaluar.
Hamiti pas pranimit të çmimit ka thënë të jetë i nderuar me këtë vlerësim.
“Qendra e Librit dhe Leximit ka bërë gjetje të pazakontë duke ia dhënë emrin e novelistit e romancierit Jakov Xoxa një çmimi për vepër kritike. Kjo edhe duket si një pohim që shkrimi i leximit letrar bëhet dikur letërsi. Në librin tim ‘Stilografia’ tashmë të shënjuar me emrin e Jakov Xoxës, kryevepra e tij ‘Lumi i Vdekur’ renditet mes kryeveprave të letërsisë shqipe”, ka thënë Hamiti para të pranishmëve. Në ceremoni ka marrë pjesë edhe i biri i shkrimtarit Xoxa, Agron Xoxa, i cili është shprehur falënderues për vlerësimin ndaj të atit.
Në kuadër të Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor janë prezantuar botimet duke nisur me ato të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Dita e parë e Panairit i është kushtuar gjuhësisë, letërsisë dhe historisë ku janë prezantuar vepra si “Stilografia” e Sabri Hamitit dhe “Vepra VI” e të Selman Rizës.
Derisa ka folur për librin e Hamitit, profesori Nysret Krasniqi e ka vlerësuar si me peshë letrare, kulturore e kombëtare dhe se autori ka krijuar anatominë njëshekullore të letrave shqipe. E ka cilësuar si vepër që të padukshmen letrare e bën të dukshme, të deformuarën e bën të bukur, e se këtë të fundit e lartëson më tej.
“Me vetëdijen se letërsia që nuk ndryshon, në stilistikën dhe poetiken e brendshme të saj, nuk ka kontinuitet gjenerik, Sabri Hamiti fokuson evolucionin e poezisë, gjithnjë duke i qëndruar besnik parimit të gjetjes së estetikes së fshehur, pra të poetikes së tekstit, stilit të autorit, te veprat e reja e të shumta, të pastudiuara më parë”, ka thënë Krasniqi.
Vëllimi i fundit i Selman Rizës nga cikli i veprave të tij, e gjashta me radhë, është përgatitur nga akademiku Rexhep Ismajli. Duke qenë në gjendje kritike me shëndetin dhe në dijeni se nuk do të arrinte ta përfundonte, Riza kishte lënë një letër si porosi nëpërmjet së cilës i kërkohej Ismajlit ta përfundonte librin. Aty e këshillonte t’i përkushtohej vetëm gjuhësisë së përgjithshme. Në fjalën e tij për librin e autorin, akademiku Sabri Hamiti ka vlerësuar se “në rrethana të jashtëzakonshme krijoi vepra të paçmueshme të albanologjisë gjatë gjithë këtyre viteve”. “Një përgjigje për këtë mund të merret nga dorëshkrimet e tij që mund të them se pasionet e jetës së tij ishin dy: gramatika dhe Kosova”, ka thënë ai.

Vetë akademiku Ismajli ka thënë se shënimet e Rizës flasin për lexim të thellë të teorive strukturore.
“Riza diskutonte përmbledhtazi rreth hedhjes së këndvështrimit konceptual të shtetit si përbërës të rrjetit shoqëror përkatës dhe aspektet imperialiste të shtetit. Në tërësi, lidhur me shtetësinë primitive në shoqërinë komuniste. Diskutonte po ashtu për arsyet se pse sociologjia borgjeze reduktonte shtetësinë në qeveri shndërrinë, për të arritur në kapitullin e fundit ku synonte të shprehte pikëpamjet e tij për vëllimin konceptual të shtetit”, ka thënë Ismajli derisa ka treguar se seria e veprave të Rizës ka zgjatur për 27 vjet.
Profesori e anëtar korrespodent i ASHAK-ut, Bardh Rugova, ka thënë se Selman Riza e shihte zhvillimin e brendshëm të gjuhës shqipe dhe jo elementet e jashtme të konceptuara nga gramatika. “Fushat ku Selman Riza ka dhënë rezultatet kryesore studimore janë studimet diakronike, tekstet e vjetra, gramatika e kritikat gjuhësore. Kur ka vepruar ai kanë dominuar studimet e shqipes, ka dominuar gjuhësia tradicionale e neogramatika”, ka thënë Rugova.
Në pjesën e dytë të paraqitjeve të botimeve janë prezantuar kumtesat e Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike. Ngjarja është konsideruar si kurorëzim i konferencës së përbashkët mes Akademisë së Kosovës dhe Shqipërisë që ishte mbajtur nga 25 deri 28 nëntor të vitit 2021. Kishin marrë pjesë 182 studiues shqiptarë dhe të huaj. Kontributet nga Kuvendi janë përmbledhur në vëllimin e tretë me radhë ku përfshihen “Kriza ekonomike në kohën e koronavirusit”, “Përballë krizës – sfidat e teorisë dhe politikave ekonomike”, “Drejt një krize të re – Energjia, inflacioni, rritje çmimesh, çoroditje e tregjeve” që kishte fituar çmimin shkencor kombëtar “Eqrem Çabej” vitin e kaluar.
Akademiku Shaban Sinani ka bërë të ditur se ato që paraqiten në libër janë vetëm një pjesë e punimeve që kishte Kuvendi dhe se do të botohen edhe dy vëllime të tjera.
“Ky kuvend është cilësuar si nga më të suksesshmit dhe studimet vendase janë vlerësuar shumë lart. Është një gjë inkurajuese edhe për të mos vazhduar mendimi se albanologjia ka lindur jashtë dhe vazhdon të zhvillohet më në cilësi. Së dyti, do të vihet re se nuk besoj se ka pasur ngjarje shkencore më të madhe për t’u dëgjuar albanologët mes vete nëse pajtohen apo jo”, ka thënë Sinani.
Profesori Enver Hysaj ka vlerësuar se Et’hem Likaj në librin “Burimi dhe formimi i dëshirores së shqipes” ka sjellë kuptimet e përdorimit të mënyrës dëshirore dhe se ka paraqitur edhe pikëpamjet e studiuesve të shquar në këtë drejtim.
“Sjell argumentet teorike për të argumentuar se ndërprerja apo humbja e një forme të veçantë në gjuhë ndodh kur gjuha nuk ka nevojë për të. Gjuha mund ta mënjanojë tërësisht atë apo ta mbajë duke i ndryshuar vlerat”, ka thënë Hysaj para të pranishmëve.
Gjatë ditës janë prezantuar edhe botimet nga institucione të tjera shkencore. Nga Instituti Albanologjik i Prishtinës është prezantuar “Fjalor i termave të drejtësisë” i Sylë Kasumajt dhe “Dardanët e Ilirisë (VI-I p.e.s.)” i Arianit Buqincës.
“Drishti në Mesjetë” i Teuta Shala-Pelit, “Tarikati islam helveti te shqiptarët” i Alban Dobrunës dhe “Shndërrimet në Dardani gjatë periudhës romake (procese ekonomike, social-politike dhe kulturore) i Emine Kalaja-Hajdarit janë prezantuar si studime shkencore të institutit të historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup është prezantuar me “Historinë bujqësore të Shqipnis” të Eqrem Bej Vlorës, “Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë”, dhe “Shkupi, vetë historia e Kosovës”.
Si rrjedhojë, Panairi i Librit Akademik dhe Shkencor ka karakter promovues sepse mundëson paraqitjen e botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre në gjithë hapësirën shqiptare. Synon që në një të ardhme të jenë të pranishme edhe botimet nga qendrat albanologjike në botë.
Panairit gjithashtu synon të ndikojë në krijimin e një rrjeti të botuesve të librit shkencor, në universitete e institute në gjithë hapësirën mbarëkombëtare që do të lehtësonte marrjen e informacionit. Për qëllim ka edhe shkëmbimet, sidomos të periodikëve shkencorë.
“Studiuesit kanë nevojë të njohin njëri-tjetrin dhe rruga më e mirë është njohja përmes botimeve. Libri shkencor ka hyrë në një rrugë kodifikimi e vlerësimi me standarde të njësuara evropiane e botërore. Është e pamundur të pretendohet për vlerësim në këtë proces pa një promovim të brendshëm të botimeve tona”, shkruajnë organizatorët.
Edicionin e parë e pati vitin e kaluar në Tiranë, ku u mbajt prej 22 deri më 24 prill. Ishte organizuar për nder të jubileut të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë si nismë e përbashkët me institucionin homolog në Kosovë.