Akterë të ndryshëm të teatrit në Kosovë kanë diskutuar rreth mungesës së përfaqësimit të duhur të grave në teatër, përcaktimit të profesioneve sipas stereotipave gjinorë, rolit të institucioneve kulturore e arsimore dhe pabarazisë gjinore. Në konferencën e organizuar në kuadër të edicionit të parë të “Prizrenifest” janë shpalosur statistika që i dëshmojnë këto
Përfaqësimi i grave në teatër nuk është i barabartë dhe nevojiten reforma për ta ndryshuar gjendjen aktuale, është thënë të enjten në konferencën “Reprezentimi i barabartë në teatër – Mundësitë dhe realiteti për aktoret dhe aktorët”, e mbajtur në kuadër të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur – “Prizrenfest”, që sivjet vjen me edicionin e parë.
Akterë të ndryshëm të teatrit në Kosovë kanë diskutuar rreth mungesës së përfaqësimit të duhur të grave në teatër, përcaktimit të profesioneve sipas stereotipave gjinorë, për rolin e institucioneve kulturore e arsimore, dhe për pabarazinë gjinore.
Diskutimeve u ka paraprirë prezantimi i rezultateve të hulumtimit “Barazia gjinore dhe diversiteti në teatrot evropiane” të realizuar nga Konventa Evropiane e Teatrit (ETC). Zana Hoxha nga “Artpolis” duke paraqitur gjetjet e këtij hulumtimi ka bërë të ditur se gratë kanë pasiguri më të lartë në kontrata sesa burrat, dhe se janë të pranishme në profesione stereotipike gjinore, dhe më pak të pranishme në krye të hierarkisë.
“Burrat dominojnë në programet teatrore dhe mbajnë pozicione prestigjioze të dramaturgut, regjisorit dhe stafit teknik, ndërsa gratë mbajnë mbi 70 për qind të pozicioneve të kostumografeve dhe parukiereve. Gratë autore dhe regjisore demonstrojnë një prirje të qartë drejt barazisë gjinore në krahasim me kolegët e tyre burra, të cilët janë shumicë dhe i vendosin burrat në role më të mira. Në skenë 43 për qind e personazheve ishin gra, krahasuar me 57 për qind të personazheve që ishin burra”, ka thënë Hoxha, duke veçuar disa prej fakteve kryesore nga studimi i ETC-së. Aktorja Donika Ahmeti ka shprehur mendimin se mentaliteti i botës është se gruaja nuk mundet, që sipas saj është një paragjykim i paqëndrueshëm.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar, Kushtrim Sheremeti, ka vlerësuar se shumë probleme në këtë aspekt burojnë nga patriarkaliteti i vendosur prej shumë kohësh në shoqëri.
“Ndryshimi për këtë mendësi duhet me e nis te baza, te shkolla, te fakulteti me inkurajimin e vajzave të reja, grave, për me u marrë me zanate edhe përtej aktrimit e regjisë, por me i stimulu edhe degët e tjera, edhe profesionet e tjera”, ka thënë ai.
Profesoresha në Fakultetin e Arteve, Arbresha Grabovci-Nixha, ka thënë se në teatër nuk ka teknike, dizajnere të skenës, apo të ndriçimit e të zërit, por se regjisoret janë dëshmuar si shumë të suksesshme, dhe se si rrjedhojë janë detyruar që të mësojnë të kryejnë edhe punë të tjera. Ajo ka pranuar se mentaliteti ka qenë problem, por se disa vjet më parë edhe për përkrahjen e prindërve bashkë me koleget e saj kanë arritur që t’i thyejnë disa tabu.
Aktori dhe dramaturgu Shpëtim Selmani ka theksuar se një element i rëndësishëm në këtë drejtim është edhe paragjykimi i vetë grave.
“Në të gjitha teatrot që kam qenë, edhe në Evropë nuk është se kam parë dizajnere të dritave gra, ose punëtore teknike gra. Ndoshta vetë gratë duhet me pasë ambicie nga kjo anë dhe me i marrë frenat në duar”, ka deklaruar ai, duke nënvizuar se viteve të fundit sidomos në film regjisoret janë treguar mjaft të suksesshme në arenën ndërkombëtare.
Aurita Agushi ka vlerësuar se te dramaturgët e caktuar ka njëfarë cinizmi se gratë nuk dinë të shkruajnë.
“Kur në këtë nivel ekziston ky paragjykim, atëherë nuk ka çfarë tëjmë diskutohet”, ka thënë ajo, duke shtuar se edhe në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar kanë punuar shumë pak gra.
“Në gishta të një dore numërohen gratë që kanë punuar në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar”, është shprehur Agushi. Sipas saj, kjo gjendje duhet të ndryshojë. “Ne s'duhet të tolerojmë më këtë pabarazi”, ka shtuar ajo.
Drejtori i TKK-së, Kushtrim Sheremti, ka pranuar se ka pasur pak gra që kanë punuar në skenën e madhe të këtij teatri në dy dekadat e shkuara, duke shtuar se të gjitha këto probleme janë pasqyrim i shoqërisë kosovare. “Duhet të fillojmë me e emancipu veten, por sidomos gjeneratat e reja, në arsim e në akademi”, ka thënë ai.
Ndërkaq Zana Hoxha nga “Artpolisi” ka vlerësuar se është përgjegjësi e krijuesve dhe producentëve që t’i shtyjnë disa mundësi që krijojnë hapësirë që gratë të zhvillohen.
Edhe diskutuesit e tjerë në këtë panel kanë shprehur qëndrimet se nëpërmjet angazhimit konkret duhet krijuar barazinë gjinore edhe në teatër.
Pos kësaj konference, në programin plotësues të “Prizrenfestit” janë mbajtur edhe punëtori, performanca dhe një ekspozitë.