Kulturë

“Pa limit” nxjerr në pah talentin e përditshmërinë e personave me aftësi të kufizuara

Ka mbi dy muaj prej kur grupi prej shtatë personash me aftësi të kufizuara ka nisur përgatitjet për shfaqjen “Pa limit”. E të martën mbrëma, posa publiku ka hyrë në ndërtesën e “Qendrës Burimore Përparimi” ka vërejtur shumë lehtë emocionet e atyre që pas pak do të nisnin aktrimin dhe lojën. Për shumë prej tyre, kjo ishte hera e parë që merrnin pjesë në një shfaqje. E për t’i përkrahur ata, hapësira ishte plot

Duke dëshmuar aftësitë e tyre teatrale e artistike, një pjesë e anëtarëve të “Handikosit” kanë sjellë në skenë shfaqjen “Pa limit”. Fahri Krasniqi, Afërdita Haxholli, Albin Salihi, Festina Ibishi, Trimor Idrizi, Fortesë Vishesella dhe ErjonVitija kanë shpërfaqur para publikut diçka nga realiteti i tyre. Pa përmendur vështirësitë apo problemet me të cilat ballafaqohen, kanë treguar se edhe ata mund t’ia dalin e këtë mund ta bëjnë edhe kur janë të kufizuar fizikisht.

Ka mbi dy muaj prej kur grupi prej shtatë personash me aftësi të kufizuara ka nisur përgatitjet për shfaqjen “Pa limit”. Posa publiku ka hyrë në ndërtesën e “Qendrës Burimore Përparimi” ka vërejtur shumë lehtë emocionet e atyre që pas pak do të nisnin aktrimin dhe lojën. Për shumë prej tyre, kjo ishte hera e parë që merrnin pjesë në një shfaqje. E për t’i përkrahur ata, hapësira të martën mbrëma ishte plot.

Shfaqja nisi në hollin e shkollës, ku zakonisht mësojnë fëmijët me aftësi të kufizuara. Teksa mbajnë në duar ndonjë shportë me ushqime a ndonjë shtrojë të vogël, aktorët ngadalë pozicionohen në hapësirën përpara publikut. Disa prej tyre ecin me ndihmën e karrigeve me rrota, disave iu mungojnë gjymtyrët, e të tjerë kanë probleme në të artikuluar. Megjithatë të gjitha këto mungesa arrijnë t’i mbushin me anë të aftësive të tjera, tejet mbresëlënëse për publikun. Ndonëse pa dy duar, Afërdita arrin që përmes këmbëve të ndihmojë në shtrimin e batanijes në të cilën aktorët do të ulen për të bërë “piknik”. Me recitimet e këndimet e tyre të lidhura nëpërmjet rimave të njëpasnjëshme, Albini e Fahriu sjellin një atmosferë shumë të bukur e përplot humor. Në njëzet minuta sa zgjat shfaqja, aktorët tregojnë shumëçka nga realiteti i tyre, duke nisur nga dashuria, shakatë, lojërat dhe mënyra se si ata e shohin jetën dhe se si dinë t’i shprehin emocionet.

Organizimi dhe realizimi i këtij projekti vjen si vazhdimësi e klubeve teatrale që organizata “Artpolis” organizon nëpër shkollat e Kosovës. Me qëllim shpalosjen e talentit të personave me aftësi të kufizuara, të cilët u përkisnin grupmoshave të ndryshme, “Artpolis” e “Handikos” hapën edhe një ekspozitë me punimet e krijuara nga po ky komunitet. Në tarracën e shkollës mund të shiheshin lloj-lloj punimesh si ato nga druri, qeramika, piktura të ndryshme apo edhe disa poezi të cilat qëndronin varur përreth tarracës. Mënyra e krijimit të tyre ishte një dëshmi tjetër e talentit të tyre.

Trajneri e njëherësh aktori i njohur Edlir Gashi ka treguar për punën dhe përvojën gjatë kohës sa është përgatitur shfaqja. Ka folur edhe për disa nga aftësitë mbresëlënëse që ai ka parë tek aktorët autodidaktë.

“Bashkëpunimi ka zgjatur ndoshta dy muaj e gjysmë punë efektive. Çka kam mësuar prej tyre është që të gjithë ne duhet t’i shohim këta si të barabartë. Aftësitë që i kanë këta, që i posedojnë, janë mbresëlënëse. Ka prej tyre që kanë mbërri me thënë një tekst, me lidhë me rima, një këngë ose diçka me vetëm një fjalë timen që ua kam dhënë.

Sipas Gashit, gjëja më e rëndësishme është që njerëzit t’i shohin si të barabartë me pjesën tjetër të shoqërisë. Puna me ata i kishte mësuar edhe shumë gjëra.

“Çka kam mësuar është se nuk duhet të dorëzohesh kurrë në jetë. Çfarëdo që ndodh në jetë, me vazhdu përpara dhe me provu deri në fund, deri sa mbërrin diçka. Çka iu duhet këtyre është thjesht bashkëpunim, motivim dhe jo njerëz që ua bëjnë me gisht. Më kanë mësuar shumë gjëra që me pa jetën më ndryshe se që e shohim ne”, është shprehur ai.

Loja përmes së cilës ata arrijnë të tregojnë talentet e tyre, ka qenë njëri ndër qëllimet kryesore të shfaqjes. Si mentor i tyre Gashi ka folur edhe për talentet dhe veçantitë që ai ka gjetur te këta persona.

“Qëllimi kryesor ka qenë t’u tregojmë njerëzve që ata mund të bëjnë gjëra që neve nuk mund të na marrë mendja. Kemi prej atyre që punojnë zdrukthëtarë, ka prej atyre që punojnë me rruaza. Ndoshta nuk i kanë dy duart por e ka gjetë mënyrën që të jetojë përmes këmbëve. Ne kemi dashur t’i prekim këto gjëra që t’i tregojmë publikut që edhe këta munden e jo vetëm ne. Shumicën e rasteve jemi ne ata që ankohemi. Këta duan vetëm të punojnë dhe të vazhdojnë përpara”, ka thënë ai.

bashku me Gashin e Robert Nuhën, në mentorimin dhe përgatitjen e kësaj shfaqjeje kishte marrë pjesë edhe aktorja Kaltrinë Zeneli. Si dikush që kishte punuar edhe më herët me klubet teatrore që organizon “Artpolisi”, Zeneli folur për veçantinë që ka pasur puna me këtë grup personash.

“Zakonisht ‘Artpolisi’ i bën klubet teatrore që i mbajmë me shkollat e tjera dhe kemi bashkëpunime me shkollat në mbarë Kosovën. Kësaj radhe kemi pasur bashkëpunim me ‘Handikosin’. Ka qenë diçka pak më ndryshe për ne si trajner dhe grupi ka qenë më i veçantë për dallim prej herëve të tjera që zakonisht shkojmë, mbajmë trajnime dhe e bëjmë një shfaqje. Do të kalojë një kohë e gjatë dhe nuk do ta harroj procedurën si kemi ardhur deri këtu”, ka thënë ajo.

Arta Sejdiu, e cila ka qenë e angazhuar në koordinimin dhe bashkëpunimin mes
“Handikosit” dhe “Artpolisit”, ka folur për atë se si ka lindur ideja e këtij projekti. Si menaxhere e “Handikosit”, Sejdiu ka thënë se këtij grupi të shoqërisë i kanë munguar aktivitetet teatrale.

“Ky bashkëpunim ka ardhur si bashkëpunim i ‘Handikosit’ me ‘Artpolisin’. Disa muaj më herët kur isha duke menaxhuar një projekt që kishte të bënte me ngritjen e kapaciteteve të personave me aftësi të kufizuara në ‘Handikos’, erdhi kjo ide për të ngritur kapacitete të ndryshme. Në fushën artistike dhe kryesisht teatrale kanë qenë iniciativa që kanë munguar më herët për anëtarët tanë. Kjo ka qenë shumë e mirëseardhur edhe për ta, sepse ka qenë një angazhim shtesë”, ka thënë ajo.

Njëri ndër aktorët e shfaqjes, Fahri Krasniqi është shprehur i lumtur për këtë bashkëpunim. Krasniqi, i cili recitoi disa poezi plot rima, ka qenë falënderues për mundësinë për të marrë pjesë në këtë shfaqje.

“Gjithçka ka shkuar shumë mirë me kolegët dhe mentorët. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë me ta. Kemi pasur shumë atmosferë gjatë provave dhe jemi kënaqur, kështu që e falënderoj shumë “Artpolisin” që ka bashkëpunuar me neve dhe ka shfaqur në skenë këtë shfaqje”, ka thënë ai.

I gëzuar për këtë ka qenë edhe Albin Salihi, i cili përveçse shfaqi talent të madh në aktrim, solli para publikut edhe një këngë.

“Kam kaluar shumë mirë, shumë bukur. Jam ndier shumë mirë. Një staf i mrekullueshëm dhe perfekt. Besoj se do të dalë diçka shumë e mirë. Normalisht kam pasur emocione, por me kalimin e kohës i kam hequr”, ka thënë ai. Por sigurisht që publikut nuk do t’i zbehen emocionet e përjetuara gjatë kësaj shfaqjeje.