Kulturë

“Osmanët”: Kur Lindja takoi Perëndimin

Libri i jashtëzakonshëm “Osmanët” i Marc David Baer na inkurajon ta shohim Perandorinë Osmane si pjesë e pandashme e historisë së Evropës. Sipas tij, gjashtë shekujt e kësaj perandorie s’duhet të shihen si diçka jashtë saj, siç ndodh me narrativet për Lindjen dhe Perëndimin, krishterimin e islamin, si dy ekstreme të kundërta

Në maj të vitit 1453, forcat ushtarake osmane nën drejtimin e Sulltan Mehmetit II pushtuan atë që ishte kryeqyteti madhështor i Perandorisë Bizantine, Kostandinopojën, apo Stambollin e sotëm. Ky ishte një moment vendimtar. Kostandinopoja, që konsiderohej si një nga qytetet e mëdha të krishterimit, dhe përshkruhej nga Sulltani si “Roma e dytë”, kishte rënë nën sundimin e pushtuesve myslimanë. Madje Sulltani e quante veten “cezar”, pas Jul Cezarit.

Pas një shtetrrethimi të gjatë, Mehmeti mbi kalin e tij të bardhë shkoi te Hagia Sofia, kisha ortodokse greke e “urtësisë hyjnore” e shekullit të gjashtë, në atë kohë ndërtesa më e madhe në botë. Urdhëroi ndërtimin e një minareje, për ta shndërruar kishën në xhami, mirëpo ende nuk thoshte se Kostandinopoja ishte një qytet krejtësisht mysliman. Në vend të kësaj, ai promovonte tolerancën, të dominuar nga sekti islam Suni, dhe diversitetin të cilin osmanët e kishin praktikuar për më shumë se një shekull në Evropën Juglindore, shumë kohë para se shoqëritë e krishtera të Evropës kishin toleruar minoritetet e tyre fetare. Klasa e re udhëheqëse osmane përbëhej në të shumtën e rasteve nga të krishterë të konvertuar në islam.

Argumenti qendror i Marc David Baer në këtë libër shumë tërheqës është se gjashtë shekuj të Perandorisë Osmane duhet të shihen si pjesë e pandashme e historisë së Evropës dhe jo si diçka jashtë saj, siç ndodh me narrativet për Lindjen dhe Perëndimin, krishterimin e islamin, si dy ekstreme të kundërta.

Librat tradicionalë në Evropë në lidhje me Perandorinë Osmane kanë tendencë të theksojnë fenë në vend të çështjeve sekulare në raport me rëndësinë që i jepet Renesancës, Reformimit dhe Iluminizmit. Mirëpo, sipas autorit, “historia e tyre është ajo pjesë që nuk tregohet në vendet perëndimore”. Në kulmin e fuqisë së saj, Perandoria Osmane kishte nën sundim gati çerekun e territorit evropian – shtetet si Serbia, Bosnja, Hungaria, Greqia – dhe pjesë të mëdha të Lindjes së Mesme, duke përfshirë vendet e shenjta si Meka, Medina, Jerusalemi, deri te Afrika Veriore.

Libri fillon në fund të shekullit të 13-të me Osmanin, themeluesi (dhe emnaku) i Dinastisë Osmane – një nomad mysliman turkmen i cili kishte migruar me tufa kuajsh, buajsh, delesh e dhish në Anadolli, një rajon i dominuar nga të krishterët armenë ose grekë. I biri i Osmanit, Orhani, organizoi njësitë e para ushtarake të përbëra nga të burgosur nëpër burgjet e vendeve të krishtera. Konvertimi në islam u bë karakteristika kryesore e osmanëve, siç u bë edhe vëllavrasja – sulltanët vrisnin vëllezërit e tyre për të siguruar vazhdimësi të pushtetit – bashkë me rebelime të “dervishëve deviantë”: myslimanë radikalë sufi.

Baer, profesor i historisë ndërkombëtare në London School of Economics, e definon “trashëgiminë trepjesëshe të osmanëve” si “Bizantine-Romake, Turko-Mongole dhe Myslimane” – dhe një “shkrirje evropiane”. Osmanët u bënë partnerët më të mëdhenj të tregtisë me vendet e Evropës Perëndimore gjatë periudhës së Renesancës. Mbreti Henri VIII i Anglisë kishte qejf të vishej me stil. Sulejmani I (që sundoi gjatë viteve 1520-1566), sulltani i parë që e quante veten “kalif”, luftoi kundër safavive persianë në Lindje dhe kundër Habsburgëve në Perëndim.

Ky libër është i strukturuar jashtëzakonisht mirë. Kapituj të renditur kronologjikisht të fokusuar në sundimtarët osmanë përcillen nga kapituj të renditur sipas temave që adresojnë çështje kulturore, përshkrime mesianike të sulltanëve, rritjen e osmanëve si fuqi detare, dhe qëndrimet ndaj grave, çifutëve, dhe eunukëve në politikat dinastike.

Pushtimet e Selimit I dyfishuan territorin e Perandorisë, dhe rreth fundit të shekullit të 16-të osmanët “kishin arritur kulmin e fuqisë dhe prosperitetit të tyre politik në botë”. Pas dështimit të rrethimit të Vjenës më 1683, pasoi rënia e fuqisë osmane. Arsyet për këtë humbje përfshinë largësinë e Vjenës nga Stambolli, humbjen e superioritetit ushtarak të osmanëve dhe zgjerimin e perandorive rivale në Evropën Qendrore. Rreth gjysmës së dytë të shekullit të 18-të, Rusia kishte zëvendësuar safavidët si armikun kryesor të osmanëve. Ishte Car Nikolas I i cili iu kishte referuar Perandorisë Osmane, në prag të luftës së Krimesë, si “personi i sëmurë i Evropës”.

Image
Librat tradicionalë në Evropë në lidhje me Perandorinë Osmane kanë tendencë të theksojnë fenë në vend të çështjeve sekulare në raport me rëndësinë që i jepet Renesancës, Reformimit dhe Iluminizmit. Mirëpo, për Marc David Baerin “historia e tyre është ajo pjesë që nuk tregohet në vendet perëndimore”

Etiketa “person i sëmurë” u përhap shumë sidomos gjatë sundimit 33-vjeçar të Sulltan Abdulhamid II, i cili shkaktoi tërbim në Evropë dhe njihej si “Sulltani i kuq” si rezultat i masakrave kundër armenëve. Ai e kishte pezulluar punën e Parlamentit dhe kishte shkaktuar ngritjen e revolucionarëve, të quajtur Turqit e Rinj, të cilët do të shlyenin fuqinë e osmanëve. Fillimi i Luftës së Parë Botërore ishte përcjellë më 1915 nga gjenocidi armen.

Një version i qartë osman i orientalizmit luante rol në administratën e Perandorisë në tkurrje e sipër, me elitën në Stamboll që e shihte veten si fuqi civilizuese e arabëve, beduinëve dhe kurdëve – që një studiues me vend e quante “barra e burrit të bardhë me fes”. Përfundimisht, nacionalizmi turk e zëvendësoi nacionalizmin osman-mysliman nën Mustafa Kemal (Ataturkun), i cili edhe e shpalli një gjuhë të re: turqishten moderne, të “pastruar” nga fjalët arabe e perse dhe të shkruar me shkronja latine në vend të atyre arabe. Kurdët shiheshin si “të egër” në republikën e re turke.

Kujtesa ka rëndësi. Më 1918, gjenerali francez i cili hyri në Stamboll pas fitores së aleatëve, kalëronte mbi një kalë të bardhë, një imitim i qëllimshëm i aktit të Mehmedit II para më shumë se 450 vjetëve. Libri i Baer-it sjell një histori panoramike dhe provokuese të historisë osmane dhe, pa dyshim, asaj evropiane.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Lundrim Sadiku