Me edicionin e sivjetmë që bëri histori me larushinë më të madhe të nominimeve të bërë ndonjëherë, “Academy Awards” kaloi herë duke provuar parashikimet e kritikëve, e herë duke i zhgënjyer ata. Bastet e hedhura nga “parashikues” të ndryshëm për filmin e regjisores Chloé Zhao “Nomadland” kanë qëlluar në shenjë: drama mbi “nomadët” amerikanë u shpërblye trefish: me çmimin e filmit më të mirë, për regjinë më të mirë dhe për aktoren më të mirë kryesore. Po kështu, është konsideruar zhgënjyes për faktin e jashtëlënies së filmit boshnjak për masakrën e Srebrenicës “Quo Vadis, Aida?”. Në vend të tij, në kategorinë e filmit në gjuhë të huaj, është shpallur fitues komedia “Another Round” e Thomas Vinterbergut. Derisa vlerësojnë filmin “Nomadland”, regjisorë e njohës filmi në Kosovë shprehen se çmimet e “Academy Awards” nuk janë barometër i cilësisë së filmave. “Në një konkurrim të tillë imponohet edhe diversiteti si balancim akrobatik”, ka thënë regjisori Isa Qosja
Në këtë copëz kinematografie që po bën histori nga çmimi në çmim e nga ngjarja në ngjarje, “Nomadland” është rrëfim vivid për një dukuri të re: aty nyjëtohet fati i brezit të viteve ’60 e ’70, në Amerikë, e ardhmja ekonomike e të cilëve u bë copë e çikë nga kriza e 2008-s. Me flokët që tashmë janë thinjosur nga vitet, ata janë mbijetues me çykë të zorit në rrethanat e varfërisë, duke e pasur vështirë edhe të tërhiqen, por edhe të punojnë. Kështu, ata bëhen pjesë e një “fisi” të ri në Amerikë, bredharakë që barisin nga shteti në shtet me minibusë, që në fakt janë edhe streha e tyre ku flenë. Kushdo që e ndërmend si paralele librin e John Steinbeckut “Vilet e zemërimit”, ka qëlluar në shenjë.
“Filmi ju tregon që, krahas vështirësive e kokëdhembjeve, ka edhe njëfarë butësie në këtë mënyrë rrnese, madje edhe një lloj euforie – pa barrën e një shtëpie apo gjërave të tjera, ju mund të keni një liri të lavdishme e goxha amerikane në traditën e humbur të Emersonit dhe Twainit. Por çfarë ndodh nëse minibusi – ose edhe trupi – përshfaq shenja zhbërje?”, ka shkruar kritiku i filmit në “Guardian”, Peter Bradshaw.
“Drama e butë dhe ndjenjësore” - fituese e trefishtë
Filmi që ai e ka përshkruar me të drejtë si “i butë, ndjenjësor dhe sfidues”, në orët e vona të së dielës, sipas kohës në ShBA, është shpërblyer me më të madhin nder në kinematografi. Në edicionin e 93-të me radhë të “Academy Awards”, “Nomadland” ka fituar “Oscarin” në kategorinë e filmit më të mirë – në një garë me rivalë seriozë si “The Father”, “Judas and the Black Messiah”, “Mank”, “Minari”, “Promising Young Woman”, “Sound of Metal” dhe goxha të favorizuarin në parashikime “The Trial of the Chicago 7”. Në ceremoninë e mbajtur në kushte pandemie ka interpretuar edhe këngëtarja shqiptare Dua Lipa e shoqëruar në piano nga Elton John.
E suksesi nuk u mjaftua me kaq: drama në kohëzgjatje prej 108 minutash i solli Chloé Zhaos trofeun e regjisores më të mirë, ashtu sikurse aktores 63-vjeçare të këtij filmi Frances McDormand (në rolin e Fernit) çmimin e aktores më të mirë kryesore.
Zhao – regjisorja e mohuar nga atdheu i saj
Filmbërësja 39-vjeçare e lindur në Pekin, Chloé Zhao nga e diela është bërë pjesë e historisë si gruaja e para aziatike që fiton një “Oscar” për regjinë më të mirë (në analet e eventit të njohur ajo është e dyta pas Katheryn Bigelowit).
Edhe pse e duartrokitur në mediat sociale si “krenaria e popullit kinez”, triumfi i regjisores së “Nomadlandit” ka kaluar zbehtë në atdheun e saj. Për çudi, postimet për fitoren e saj janë hequr dhe kërkimet në “Weibo” rezultonin me një zyrtar me po të njëjtin emër që ishte paraqitur vullnetar për të promovuar vaksinimin kundër Covid-19.
Ceremonia e sivjetme e çmimeve nuk është transmetuar në Kinë, porse shumë njerëz arritën ta shihnin fjalimin e 39-vjeçares, gjatë pranimit të çmimit në media sociale.
“Ajo është krenari e popullit kinez dhe të gjithë aziatikëve”, ka shkruar një komentues në “Weibo”.
Mediat e huaja, si Reuters, kanë njoftuar se një përpjekje për të transmetuar ceremoninë në Shanghai është bllokuar. Lajmet nuk janë dhënë menjëherë nga mediat shtetërore kineze, me pak përmendje shkarazi vetëm në tabloidin në anglisht “Global Times”.
“Njerëzit kanë lindur të mirë”
Zhao, që ka lindur dhe ka jetuar në Pekin deri në moshën 14-vjeçare, teksa pranoi çmimin e regjisores më të mirë, ka thënë se ajo “ka menduar goxha shumë mbi atë se si ia bëj kur gjërat bëhen të vështira”.
Me këtë rast, ajo rikujtoi kohën kur luante me të atin e saj, duke memorizuar poema klasike kineze. Kështu, kineastja e talentuar recitoi në kinezisht një varg që thoshte: “njerëzit që në lindje janë të mirë”.
“Unë ende besoj tamam në ta”, ka thënë Zhao. “Edhe pse ndonjëherë ata mund të duken sikur e kundërta është e vërtetë, por unë gjithmonë kam gjetur mirësi te njerëzit që njoha kudo në botë”.
Mesazhi i Zhaos dhe vendimi i saj për të folur në mandarinisht është mirëpritur gjithandej, sidomos në dritën e rritjes së racizmit anti-aziatik kudo në botë.
Censurimi i lajmeve për trofetë e Zhaos pason mësymjen nacionaliste që filloi kundër saj muajin e kaluar. Në mars, ajo u përgëzua gjithandej si gruaja e para aziatike në histori që fitoi çmimin “Golden Globe” për regjisoren më të mirë.
Por brenda pak ditësh, Zhao u kthye në një cak sulmesh virtuale që e akuzonin atë se “po e përbalte” Kinën. Si vegëz për këtë shërbeu një intervistë e saj e dhënë tetë vjet më parë, në të cilën ajo e përshkruante të qenit tinejxher në Kinë si “një vend ku gënjeshtrat janë gjithandej”. Materialet promocionale dhe referencat për filmin u hoqën nga interneti, madje pati edhe thirrje për bojkot.
“Befasia Hopkins”
Habia më e madhe e mbrëmjes ishte laureimi i Anthony Hopkinsit me “Oscar” për aktorin më të mirë e jo Chadwick Bosemanin. Thuajse të gjitha vlerësimet e “bastet” e parashikimeve kishin qenë për aktorin i cili pas vdekjes fitoi çmime në Critics Choice, Golden Globes dhe Screen Actors Guild. Por vetë Anthony Hopkins ka përkujtuar Bosemanin përmes një video të shkurtër nga një fshat uellsian, ku shprehu befasinë e tij për fitoren e sivjetme.
“Mirëmëngjes. Këtu jam në vendlindjen time në Uells dhe në moshën 83-vjeçare nuk prisja të merrja këtë çmim, vërtet nuk e prisja. I jam fort mirënjohës Akademisë dhe faleminderit”, ka thënë Hopkins i cili performoi në rolin me po të njëjtin emër në dramën e Florian Zellerit “The Father” që pati gjashtë nominime në eventin e sivjetmë.
Qosja: “Diversiteti – një balancim akrobatik”
Regjisori i njohur dhe kritiku i filmit, Isa Qosja, ka vlerësuar se tash e një vit e gjysmë pandemia ka flakur çdo standard të jetës, efektet e së cilës vërehen edhe në fushën e kinematografisë.
“Përzgjedhja e sivjetme ngjante ngapak në atë reklamën e famshme të shitoreve ‘gjithçka një euro’ sepse produksioni vjetor ka qenë i dëmtuar dhe jo i bollshëm”, ka thënë Qosja për KOHËN.
“Në një konkurrim të tillë imponohet edhe diversiteti si balancim akrobatik që në fund të fundit është i kuptueshëm”.
Duke folur mbi emrat fitues, kineasti 72-vjeçar – regjisor i filmave të njohur “Proka”, “Rojat e mjegullës” dhe “Tri dritare dhe një varje” – ka vlerësuar se fituesit do të duhej të ishin më të paparagjykuar.
Kështu, ai ka shprehur keqardhje që filmi boshnjak “Quo Vadis, Aida?” nuk fitoi në kategorinë e filmit në gjuhë të huaj.
“Është dashur që Hollywoodi të kalojë mbi barrierat e paragjykimit për një film të tillë”, ka thënë ai teksa ka shtuar që, edhe pse vlerëson Thomas Vinterbegun, juria me sa duket ka kapur koordinatat “verilindje”.
Qosja, po ashtu, ka komentuar edhe filmin fitues “Nomadland”, për të cilin ka thënë se edhe në kushte jopandemike “një përmbajtje e tillë do t’i kishte mbijetuar një viti energjik të kinematografisë”.
“Është film për mbijetesën, për kohën që po e jetojmë, për njeriun dhe fatin e pafatësinë. I duhur në momentin e duhur”, ka thënë Qosja i cili është edhe pedagog në Fakultetin e Arteve.
Sipas tij, ky film do ta bënte turin e vet nëpër glob me një mesazh që momentalisht secilit i duhet për t’u këndellur nga përhumbja në kaosin e të papriturave dhe pandjeshmërisë.
“Kam preferencë për këtë temë dhe kjo që ai ka fituar sivjet mund t’i paraprijë një viti të mirë kinematografik edhe për Kosovën në kohën që po vijnë”, ka shtuar Qosja.
Bilibani: “Diversiteti nuk arrihet vetëm në qilimin e kuq”
Duke komentuar nominimet dhe ceremoninë e sivjetme për “Oscars”, producenti dhe njohësi i filmit Eroll Bilibani ka thënë se diversiteti dhe gjithëpërfshirja nuk arrihet vetëm me shpërndarje të çmimeve në ceremoni të ndryshme. Sipas tij, kjo mund të bëhet vetëm në ofrimin e mundësive për autorët, aktorët dhe producentët e ndryshëm.
“Fakt është që këtë vit lista e fituesve ka qenë më diverse se kurrë më parë, por megjithatë jam i mendimit se diversiteti nuk arrihet vetëm në tapetin e kuq, por me ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë”, ka thënë Bilibani teksa ka shtuar se shumë projekte filmbërësish jo të bardhë apo edhe femrave vazhdimisht janë nënfinancuar e nënvlerësuar në ShBA, pavarësisht suksesit në numra rekord të shikuesve.
“Çmimet nuk janë barometër i cilësisë”
Bilibani – i cili është udhëheqës i programit “DokuLab” në DokuFest – ka vlerësuar se ky ka qenë viti i parë kur janë vlerësuar filma jashtë kinemasë. Kjo, sipas tij, ka ndikuar edhe në vlerësimet e anëtarëve të akademisë në vendimet e tyre “duke sjellë befasi që u reflektua më së miri te çmimi për aktorin më të mirë”.
Teksa e ka përfshirë “Nomadlandin” në treshen e tij të preferuar, tok me filmat “Mank” dhe “Judas and the Black Messiah”, ai ka theksuar se çmimet e Akademisë nuk i sheh si barometër për cilësi kinematografike.
“Nëse shikojmë nga aspekti i cilësisë kinematografike si dhe rëndësisë të filmave tjerë që kanë qenë të nominuar, personalisht mendoj se është mëkat që filmi rumun 'Collective' nga Alexander Nanau i nominuar në dy kategori ka mbetur pa një shpërblim”, ka thënë Bilibani.
Raça: “Filmi i Zhaos, ndër më të mirët e vitit”
Çmimet e mbrëmjes të së dielës dhe vendimet e jurisë kanë qenë strumbullar në emisionin “Express”, të transmetuar pasditen e së hënës në KTV. Dy mysafirët e ftuar, regjisorët More Raça dhe Lum Çitaku, e kanë vlerësuar përzgjedhjen e filmit “Nomadland” për çmimin kryesor.
Regjisorja 29-vjeçare, More Raça, ka thënë se e kishte pritur që filmi i Zhaos të shpërblehej me çmimin kryesor për shkak të temës që trajton si dhe formës e mënyrës së realizimit.
“Është një film për njerëzit e vegjël që shpesh nuk e dinë për çfarë arsye kanë përfunduar dhe jetojnë si nomadë. Ka qenë një prej filmave më të mirë të vitit”, ka thënë ajo.
Raça – e cila është regjisore e filmit “Galaktika e Andromedës” që ka marrë disa çmime – ka shpjeguar se filmi mbështetet në librin me po të njëjtin emër të gazetares Jessica Bruder, e cila kishte jetuar me “nomadët” amerikanë.
Në kohën gjatë dhe pas krizës financiare në ShBA, sipas saj, mënyra e vetme e mbijetesës ishte largimi nga shtëpia.
“Këtu në film është portretizuar shumë mirë që shtëpinë mund ta gjejmë aty ku ne duam dhe aty ku jetojmë me kujtimet e jetës sonë”, ka shtuar Raça.
Çitaku: “Nomadland – ethnofiction me temë universale”
Ndërkaq regjisori dhe artisti vizual, Lum Çitaku ka vlerësuar se filmi “Nomadland” trajton një temë universale që ndihet edhe nga njerëzit që nuk e kanë përjetuar krizën.
“Në këtë film të gjithë personat e luajnë vetën, gjë që i jep një vlerë etnografike e antropologjike. Është një ‘ethnofiction’”, ka theksuar Çitaku i cili është edhe zëdhënës në Qendrën Kinematografike të Kosovës.
Pas një shtyrjeje prej dy muajsh, edicioni i 93-të i Academy Awards është mbajtur të dielën në një transmetim nga dy lokacione në Los Angeles: “The Dolby Theatre” dhe “Union Station”.
Filmi “Mank”, nën regjinë e David Fincherit, ka kryesuar me 10 nominime, duke marrë me vete çmimet për kinematografi dhe dizajn të produksionit. Mia Neal dhe Jamika Wilson, ekipi prapa “Black Bottom” nën regji të Ma Rainey, gjithashtu bënë histori të dielën. Dyshja janë gratë e para me ngjyrë që u nominuan për grimin dhe modelimin më të mirë të flokëve dhe, tani, janë dyshja e parë që e ka marrë këtë çmim. "Soul", i cili mori në shtëpi çmimin për filmin më të mirë të animuar, është gjithashtu filmi i parë i “Pixar” që në rolin kryesor ka një personazh me ngjyrë.