Maratona koncertale dhe të tjera ngjarje që ka sjellë sivjet “ReMusica” kanë kulmuar me koncertin e Orkestrës Rinore të Bashkimit Evropian, që pos harmonisë mbrëmjen e ka shndërruar në festë për vlerat e demokracisë, të vlerave dhe të fuqisë së muzikës. “Imhale-exhale” ka qenë motoja e edicionit të sivjetmë dhe finalja ka qenë po në këtë frymë
Bashkimi Evropian ka ardhur në Kosovë me muzikë. Instrumentistë të vendeve të kësaj familjeje janë bashkuar në Orkestrën Rinore të Bashkimit Evropian dhe koncerti i tyre u ka ngjarë dialogëve e dueleve me instrumente. Ka përmbyllur maratonën e koncerteve të edicionit të 22-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica” dhe ka qenë një lloj feste për vlerat evropiane, diversitetin e mbi të gjitha për fuqinë e muzikës.
Koncerti në Sallën e Kuqe të martën mbrëma ka nisur me “Musical offering në C minor” të kompozitorit të njohur gjerman Bach. Në ekzekutimin e saj mori pjesë vetëm orkestra e harkorëve. Vepra shquhet për nota të thekshme dhe tinguj të plotë. Ishte vepra “Cortege” e kompozitorit anglez Harrison Birtwistle ajo që në skenë solli edhe orkestrën e frymorëve për t’i bashkuar në një koreografi unike. Instrumentistët e pozicionuar në formë gjysmërrethore kanë pasur përpara në të djathtë Clara de Groote me daulle, tingujt e së cilës rrisin tensionin e përgjithshëm të muzikës e njëherësh lajmërojnë edhe ndërrimin e vendeve. Performanca vjen në atë mënyrë që i lë vend secilit muzikant të vijë në konsideratë dhe të shihet diferenca midis tingujve të ndryshëm të instrumenteve. Dy nga dy, ata çohen më këmbë, lëvizin drejt qendrës dhe nisin një “betejë” me njëri-tjetrin. Pas kthimit në vend, instrumentistët ndërrojnë anën ku ishin ulur. Vepra vazhdon derisa të gjitha instrumentet futen në rokadë. Vepra shquhet për fuqi. Megjithatë, tingujt dramatikë janë ata që e shoqëruan publikun edhe në veprën e tretë “In C” të kompozitorit Terry Riley. Nis e zërohet kur orkestrës i shtohen edhe më shumë instrumentistë që interpretojnë ende pa dalë mirë nga prapaskena. Melodia e saj lëviz vazhdimisht nga nota të buta e të lehta në ato më të fuqishme e shpërthyese. Në përgjithësi, toni dramatik qe e përbashkëta e veprave të këtij koncerti.
“The Uncertain Four Season” e kompozitorit të mirënjohur italian, Antonio Vivaldi, nën orkestrimin e Carmen Fizzarottit, ka qenë finalja. Erdhi premierë në Kosovë njësoj si në kryeqytete të tjera të Ballkanit ku shëtiti Orkestra.
Violinisti Daniel Rowland ka pasur edhe rolin e udhëheqësit të Orkestrës. Performanca e tij është lojë më vete. Udhëheq trupën, lëviz nëpër sallë, shoqëron muzikantët e të gjitha këto me anë të gjuhës së trupit rrëfen më së miri atë që është shkruar në partitura. Një lojë e tillë bëri që ai pas çdo performance të mbetej me një tufë fijesh të këputura nga harku i violinës në të cilën luan me pasion e profesionalizëm.
Pas përfundimit të koncertit ai është shprehur i lumtur që më në fund ka pasur mundësi të performojë në Kosovë.
“Më pëlqeu shumë. Ka kohë që jam duke pritur të vij dhe të luaj këtu dhe ishte me të vërtetë një nder dhe shumë emocionuese edhe për t’u njohur me muzikën, artin dhe gjallërinë e qytetit, i cili ishte kaq vibrant e me një energji shumë të mirë. Por edhe këtë sallë kaq të bukur dhe gjithçka që po ndodh me orkestrën e të rinjve, me orkestrën simfonike të shtëpisë së operës. Jam i lumtur dhe i emocionuar të jem këtu”, ka thënë ai.
Orkestra Rinore e Bashkimit Evropian është njëra nga orkestrat simfonike më të shquara në botë me histori që daton prej vitit 1976. Bën tok muzikantë nga njëzet e shtatë shtete të BE-së teksa të përzgjedhurit janë midis moshës 16 dhe 26 vjeç. Këtë vit ata kanë nisur një shëtitje nëpër vendet e Evropës Juglindore dhe njëra prej ndalesave ishte edhe Kosova. Teksa ka folur për këtë shëtitje, udhëheqësi i grupit Daniel Rowland ka folur edhe për rëndësinë e të performuarit në Kosovë.

“Ky koncert është pjesë e një turneu të rëndësishëm në kryeqytetet e Evropës Juglindore. Ka një domethënie simbolike. Luajtëm në Temishuar në qytetin e lirisë, në Selanik dhe ky qe një prej tyre. Mendoj se për shumë prej nesh performanca në Kosovë ishte shumë e veçantë sepse ne të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur këtu dhe të shohësh se qyteti është duke lulëzuar tani, është me të vërtetë shumë prekëse. Kështu që të luash një program sikur këtu është në njëfarë forme si një shpërndarje e idealeve të demokracisë dhe stabilitetit për t’u kujdesur për njëri-tjetrin, për planetin dhe duket si një gjë shumë e drejtë për ta bërë sot”, ka thënë ai.
Pjesë e kësaj orkestre ishte edhe oboistja Layla Köhler Baratto nga Italia. Ende nën emocionet e skenës, ka theksuar mikpritjen e publikut dhe rahatinë në performancë.
“U ndjeva shumë mirë. Ishte me të vërtetë një audiencë shumë mikpritëse kështu që ne u ndjemë shumë mirë dhe patëm një performancë shumë relaksuese. Mendoj që e dhamë më të mirën. U ndjemë shumë mirë dhe performuam me shumë vetëbesim dhe ia dolëm që të përçonim mesazhin që ka muzika”, ka thënë ajo.
Koncerti u zhvillua në bashkëpunim edhe me Orkestrën e të Rinjve të Ballkanit, pjesë e së cilës janë edhe muzikantë nga Kosova.
Klarinetisti Lundrim Rexha është shprehur i lumtur për bashkëpunimin me Orkestrën Rinore të BE-së.
“Kjo ka qenë hera e parë mes Orkestrës së Rinjve të Ballkanit dhe Orkestrës së të Rinjve të BE-së dhe kjo ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për ne dhe një mundësi shumë e mirë që të luaj me këta instrumentistë”, ka thënë ai.
Ka qenë një gjetje unike përmbyllja e edicionit të sivjetmë të “ReMusicas” me një koncert si ky.
Drejtoresha artistike e “ReMusicas”, Donika Rudi, është shprehur e lumtur me ecurinë. Ka përshkruar edhe disa prej elementeve kryesore që i shoqëruan ngjarjet e këtij viti të “ReMusicas”
“Këtë vit ‘ReMusica’ solli diversitetin, gjithëpërfshirjen, magjinë dhe një program atraktiv të natyrave të ndryshme, me emrat më të spikatur të skenës evropiane dhe vendore, me mbi 200 pjesëmarrës”, ka thënë Rudi. Ka numëruar ngjarjet dhe peshën e tyre.
“Me mesazhin për rëndësinë e shëndetit dhe mirëqenies mendore, programi i edicionit të 22-të i festivalit ‘ReMusica’, ‘inhale – exhale’ filloi më datën 3 të këtij muaji me një program të gjerë. Njëzet ditë me eksperienca të pasura muzikore, me një program duke filluar nga kryeveprat e muzikës klasike deri te performancat e reja inovative, me artistët më të çmuar të skenave botërore dhe vendore, nga brezat e vjetër e deri tek gjeneratat e reja me diskutime dhe biseda artistësh, seminare, masterklasa, instalacione dhe me dhjetë premiera botërore nga kompozitorët tanë”, ka thënë ajo.