Programi i muzikës klasike i interpretuar nga Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës si pikënisje ka pasur nderimin e kompozitorit Rexho Mulliqi, me ç’rast në të mjeshtërisht janë ndërthurur edhe veprat e kompozitorëve nordikë, Edvard Grieg dhe Johan Svendsen, me ato të Mulliqit, pastaj Drinor Zymberit dhe Valton Beqirit. Interpretimi i këtyre veprave me instrumentet harkore për mbi një orë ka përçuar energji pozitive tek të dyja anët e skenës në “Autostrada Hangar”
“Autostrada Hangar” në Prizren ka qenë vendndalimi i radhës për Orkestrën Harkore të Filharmonisë së Kosovës. Nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani është realizuar koncerti me veprat e kompozitorëve nordikë dhe me ato të kompozitorëve kosovarë, me ç’rast dedikim të veçantë ka pasur për kompozitorin Rexho Mulliqi, në kuadër të shënimit të 100- vjetorit të lindjes së tij. Interpretimi i këtyre veprave me instrumentet harkore për mbi një orë ka përçuar energji pozitive te publiku i pranishëm, i cili disa herë me duartrokitje ka vlerësuar performancën e Orkestrës.
Mbrëmja e muzikës klasike në hapësirën e krijuar për edukim, prodhim dhe ekspozim të artit bashkëkohor ka filluar me veprën “Holberg Suite” të kompozitorit Edvard Grieg, për të vijuar tutje me “Melodi popullore suedeze Op.27" nga Johan Svendsen.
Ndërkaq pjesa e dytë e koncertit ka sjellë te publiku fillimisht veprën “Akuarelet e Prizrenit” nga Rexho Mulliqi, për të vazhduar pastaj me veprën “Sinfonietta” nga kompozitori Drinor Zymberi, derisa koncerti është përmbyllur me “Loja” nga Valton Beqiri, ku Orkestrës Harkore i është bashkëngjitur edhe perkusionisti Patris Berisha.
Dirigjenti Edon Ramadani ka bërë të ditur se ky program si pikënisje ka pasur nderimin e kompozitorit Rexho Mulliqi.
në program ka pasur fakti që është përvjetori i kompozitorit tonë Rexho Mulliqi, prandaj natyrisht kemi menduar me pasë vepër të tij, jo vetëm në këtë program, por besoj edhe në programet e tjera të Filharmonisë dhe të ansambleve dhe orkestrave të tjera të muzikës klasike. Pra, prej aty kemi filluar me një vepër shqipe që është koha e parë nga “Akuarelet e Prizrenit” dhe pasi që kishim një vepër shqipe atëherë vendosëm që ta ndajmë programin në dy pjesë: në pjesën shqiptare dhe në pjesën tjetër nga kompozitorët nordikë me veprat që luhen shumë nëpër botë dhe mund të themi se janë edhe vepra antologjike”, ka thënë Ramadani.
Koncerti në një hapësirë dedikuar artit bashkëkohor nuk ka qenë i pari për dirigjentin Ramadani, pasi më parë është paraqitur me Orkestrën Frymore të Prizrenit. Madje ai e konsideron si sallë simpatike për këtë formacion të instrumenteve.
“Nuk është diçka risi për neve, sepse edhe ashtu nuk kemi asnjë sallë adekuate për muzikë të tillë në Kosovë, kështu që jemi mësuar me hapësira të tilla të konstruktuara për qëllime të tjera. Njëra prej arsyeve që ka filluar programi “Filharmonia në lëvizje” është për të provuar edhe salla të tjera alternative, pos atyre që janë stërvjetruar dhe nuk mirëmbahen”, ka deklaruar ai.
Në të njëjtën kohë dirigjenti është befasuar për të mirë me numrin e madh të publikut të pranishëm, marrë parasysh faktin se kjo hapësirë ndodhet në periferi të qytetit.
“Publiku ishte i mrekullueshëm, çdo vepër e priti mirë, sidomos kah fundi disa herë u ngritën në këmbë, për të vlerësuar dhe shfaqur kënaqësinë e përjetuar gjatë koncertit. Ajo energji u përçua edhe tek unë dhe tek orkestra dhe kaluam shumë mirë në Prizren, por edhe një natë më parë në Pejë”, është shprehur Ramadani.
Violinisti Visar Kuçi ka përshkruar se ky ka qenë koncerti i dytë me këtë program dhe se për orkestrën është interesante përvoja në skenat e ndryshme.
“Kemi filluar në Pejë dhe vazhduam në Prizren, në një atmosferë komplet tjetër. Është shumë interesant kur ndërrohen skenat qysh ndryshon energjia, akustika, gjithçka. Sonte ishte një performancë shumë e detajuar, sepse akustika ashtu e impononte, dhe unë e shijova mjaft, ndoshta shkaku që ishte koncerti i dytë, dhe orkestra ishte paksa më në formë, por edhe hapësira ku e mbajtëm koncertin më është dukur shumë e veçantë. Jam për herë të parë në këtë hapësirë, edhe pse kam dëgjuar shumë për të. Sidomos më bëri përshtypje fakti që salla ishte përlot me publik përkundër se është fundjavë, i cili ishte shumë entuziast dhe ishte një mbrëmje shumë e këndshme”, ka thënë Kuçi.
Entuziazmi i publikut është rritur sidomos nga fundi i programit, që, sipas Kuçit, është përgatitur në atë mënyrë që finalja të jetë dramatike.
“Veprat nordike kanë dinamikë dhe zhvillim, por kanë karakter dhe melos tjetër prej muzikës shqiptare. Me qëllim i kemi ndarë në dy pjesë, që deri në fund me ndërtua ashtu që në finale me arrit kulmin me veprën e Valton Beqirit, ku tupani përdoret shumë mirë, dhe kësisoj u prit edhe prej publikut. Pikërisht e pati efektin që ne e kemi parashikuar dhe dëshiruar”, ka deklaruar Kuçi.